Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.
Osmani ka deklaruar se fati i të zhdukurve me forcë ka qenë prej kohësh një plagë e thellë në shoqërinë tonë.
“Familjet që vazhdojnë të kërkojnë vendndodhjen e të dashurve të tyre, të cilët u zhdukën me forcë nga regjimi i Millosheviçit dhe përmes një sistemi të krimeve të luftës dhe gjenocidit të sponsorizuar nga shteti, kanë mbi dy dekada që mbajnë këtë barrë të rëndë në zemrat dhe në emër të një vendi të tërë. Atyre u është mohuar në mënyrë çnjerëzore drejtësia dhe paqja për një kohë të gjatë”.
“Shpresojmë që Deklarata e rënë dakord sot në Bruksel do të hapë rrugën për njohjen e këtyre krimeve dhe për drejtësinë. Por mbi të gjitha, një moment lehtësimi për familjet që kanë pësuar dhimbje dhe vuajtje të pashpjegueshme. Kjo deklaratë do të kërkojë zbatim të menjëhershëm dhe për këtë, siç e dimë nga marrëveshjet e mëparshme, Serbia ka një histori të paimagjinueshme”, ka shkruar Osmani.
Kurti dhe Vuçiç u takuan të martën për një rund të ri të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së.
Dy udhëheqësit miratuan, fillimisht, Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.
Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, që kryesoi takimin Kurti-Vuçiç, tha se BE-ja e mirëpret miratimin e kësaj deklarate dhe pret që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”.
“Zgjidhja e çështjes së personave të zhdukur nuk është vetëm një detyrim humanitar. Ajo është gjithashtu një mundësi thelbësore për pajtimin dhe besimin mes njerëzve”, tha, mes tjerash, Borrell.