Ajo që ndodh në shtëpinë e “Big Brother VIP”, padyshim që është më e ndjekura e më e komentuara në rrjetet sociale, si edhe në jetën e përditshme. Suksesi ka kaluar kufijtë e një spektakli në ekranin e televizorit e tani jemi përballë një fenomeni social që mund të quhet edhe si “Big Brother Mania”. Për efektet e këtij formati të gjithë kanë diçka për të thënë, si ata që e shijojnë e argëtohen, por edhe ata që janë kundër. Por, të gjithë janë dakord në një pikë: “Big Brother” nuk lë askënd indiferent.
“Big Brother Vip” ka mbaruar tashmë me shpalljen e fituesit të madh këngëtarin Luiz Ejlli. Nata finale ishte e tejmbushur me emocione. Të gjithë ish-banorët ishin pjesë e tapetit të kuq ku dhanë intervista ekskluzive për TAR. Amos Zaharia iu përgjigj pyetjes se çfarë e vret më shumë në një shoqëri si kjo e jona e cila nuk të çon në finale edhe pse ti mund të jesh një djalë i mirë, i lexuar me një sens humori më ndryshe që edhe kritikohet shpesh.
Unë e kuptoj që humori i zi nuk është për të gjithë, sido që të jetë njerëzit bëhen sensibël ndaj humorit.
Bëhen apo i merr rrjedha?
Bëhen sepse një koment ushqen tjetrin e pas tij tjetrin dhe kështu bëhet një cunami i madh komentesh negative, megjithatë unë e kam përballuar në një lloj mënyre dhe them që këto humore më penalizuan, nuk dua të them që jam bërë pishman por e kuptoj arsyen pse.
Këtë edicion ka pasur shumë aktorë por asnjëri nuk arriti të shkonte në finale, a mendon Amosi se kemi ende një problem me artistët nuk i vlerësojmë?
Pavarësisht profesionit ne aty hymë si njerëz dhe jo si aktorë sepse të ishte për të aktruar, do të kisha aktruar unë dhe do të kisha bërë nuk e di se çfarë, çudira. Thashë me vete pse të aktroj kur origjinaliteti është gjëja që mendoj unë shet më bukur. Më mirë të jem origjinal, vetja ime me të mirat edhe të këqijat e mija sesa të shtirem dhe të jem dikush që nuk jam.