Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, punonjësit në administratën e pushtetit lokal kanë paga që në disa raste janë 40% më të ulëta për të njëjtin pozicion pune si në pushtetin qendror.
Krahasimi i bërë nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) tregon se në Shqipëri, hendeku i pagave në administratën lokale në krahasim me atë qendrore është i lartë ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Në Shqipëri, Ligji për Vetëqeverisjen Vendore përcakton rregullat për nivelin e pagave te punonjësit që ushtrojnë detyrën në pushtetin vendor, ndërsa mbulohet edhe nga Ligji për nëpunësin civil, i cili rregullon çështjet e rekrutimit, karrierës dhe trajnimeve.
Zbatimi i ligjit mbikëqyret nga Komisioneri i Shërbimit Civil, i cili kryen inspektime të rregullta në nivel vendor për të siguruar që ligji është zbatuar siç duhet.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk ka diferenca në pagat ndërmjet administratës lokale dhe asaj qendrore. Ligji për statusin e zyrtarëve të njësive të vetëqeverisjes lokale rregullon çështjet e pagës dhe punësimit në pushtetin vendor.
Në Bosnjë, ligjet e përgjithshme të shërbimit civil zbatohen edhe për shërbimin civil të nivelit vendor.
Në Kosovë, nëpunësit civilë në administratën lokale dhe qendrore rregullohen nga i njëjti ligj për zyrtarët publikë, i cili aktualisht është ligji themelor që përcakton kuadrin ligjor për rekrutimin, promovimin dhe shkarkimin e nëpunësve civilë për të dy nivelet e administratës.
Çdo institucion që punëson nëpunës civilë, përfshirë administratat vendore, duhet të përgatisë planet vjetore dhe afatmesme të stafit në përputhje me procesin e planifikimit buxhetor. Në Kosovë nuk ka diferenca ndërmjet pagave që ofrohen për punonjësit në qeverisjen vendore dhe atë qendrore.
Në Maqedoninë e Veriut, punonjësit e vetëqeverisjes lokale ndahen në dy grupe: Oficerë Administrativë (shtetëror) dhe persona ndihmës-teknikë.
Nëpunësit janë të punësuar dhe rregullohen me Ligjin për nëpunësit administrativ dhe Ligji për punonjësit e sektorit publik. Stafi vendor është i punësuar dhe ushtron aktivitetin me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës. Edhe në Maqedoni nuk ka diferenca ndërmjet pagave në stafet vendore dhe ato qendrore.
Në Serbi, Ligji për të punësuarit në krahinat autonome dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale është miratuar në vitin 2016 dhe ka rëndësi të madhe për modernizimin e administratës publike. Ky ligj prezantoi një qasje të re, moderne për menaxhimin e burimeve njerëzore.
Ligji aktivizoi procedura të standardizuara për punësimin në të gjithë pushtetin vendor. As në Serbi nuk ka diferenca të pagesat e punonjësve ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror./ B.Hoxha/Monitor