Zogaj u shpreh se në këto zgjedhje opozita ka humbur thellë, ndërsa shtoi se tashmë është koha që të bëhen disa ndryshime thelbësore, në mënyrë që PD të ringrihet dhe të mund të fitojë përballë qeverisë së Edi Ramës.
Por çfarë duhet të bëjë konkretisht opozita për të fituar kundër qeverisë, dhe çfarë i sugjeron Zogaj Sali Berishës?!
“Opozita është përdhe, në një ditë të zezë. Ato 6 bashki qe u fituan janë 9 bashki më pak dhe se në 2015 kur ka konkurruar vetëm, pa LSI. Tani në 2023, pjesa e madhe e Rithemelimit që Berisha e formoi për një parti më të madhe dhe të bashkuar, dhe për fitore, të trija këto synime kanë dështuar. Partia është me e vogël, më e përçarë, fitorja më larg se kurrë. Në 2021 opozita e bashkuar ishte 37 mijë vota larg PS, dhe nuk ka dyshim se me një organizim më të mirë dhe duke mbetur e bashkuar, këto 2 vite do e kishte parakaluar PS. Por Berisha ndërmori atë që unë e quaj betejë sedre në sfidë të SHBA, që ftoi demokratët ta mbështesin duke u premtuar se do fitojnë. Njerëzit kanë shkuar me idenë se Basha humbet dhe Berisha fiton. Nuk fiton opozita me një lider të penguar nga SHBA, me liderë që riciklohen për arsye të tyre dhe të problemeve të tyre”, u shpreh ai.
Zogaj ka komentuar edhe rezultatin e kandidatit të PD për Tiranën, Roland Bejko. Ai tha se PD nuk u fut në garë për të fituar, por për të mbijetuar dhe për të dalë e gjallë.
“Duhet të jemi korrekt me atë që u kemi ofruar zgjedhësve. PD zyrtare nuk u ka ofruar zgjedhësve në asnjë rast që do fitojmë, sepse e di që në një vit e gjysmë vetëm është bombarduar. Hyri në këto zgjedhje për të mbijetuar, për të dalë gjallë. Hynë në një organizim pak kaotik. Bejko i dha formë kandidimit në Tiranë. Sfida në këto zgjedhje është proporcionali, pra sa vota do marrin për këshilltarë. Pra ka hyrë në zgjedhje për të mbijetuar me një përqindje që i lejon të riorganizohen. Ndërsa grupi tjetër ka hyrë duke premtuar se do fitojnë. Natyrisht që ka qenë politik ky premtim. Shumë njerëz kanë dashur ta provojnë vetë, dhe nuk mund t’i gjykoj sepse duan ta shohin vetë dhe nuk u besojnë njerëzve që kanë detyrë të parashikojnë.
Me thënë të drejtën nuk kam menduar se do dalin kaq keq. Elektorati ekziston, e tregojnë numrat e atyre që kanë votuar dhe atyre që kanë abstenuar, por ky elektorat duhet të shkojë në kuti. Nëse duam strategji fituese për zgjedhjet e 2025 duhet të ndërmarrim veprime deri dhe drastike. Kërkohet një opozitë e re, duhet t’u hapim rrugë të rinjve. Një bashkim rreth vlerave euroatlantike. Mos mendojë njeri që mund të fitojmë zgjedhjet duke qenë dyermbyllur me Perëndimin. Në këtë sens them se Berisha, dhe ai e ka barrën sepse ai ka më shumë mbështetje, por dhe Meta dhe Alibeaj, të gjithë duhet të kenë një propozim si opozita të maksimalizojë votat. Më këtë rezultat opozita do zvogëlohet nëse nuk i përgjigjet me masa që shkojnë drejt një reformimi të thellë”, tha ai.
Por nga ana tjetër si mundet që PS të rrisë votat dhe cilit ligj të politikës i përgjigjet ky rezultat? Sipas Zogajt kjo ndodh për disa arsye, teksa thotë se pozita përdor edhe shitblerjen e votave apo patronazhistët, por nga ana tjetër kur lideri humbet zgjedhjet largohet dhe lë vend dikujt tjetër në parti.
“I përgjigjet asaj që kanë gjetur shesh dhe bëjnë përshesh. PS i përdor të gjitha, edhe shitblerje, patronazhistë, aktivistë, administratë… por nga ana tjetër nuk mund të mohojmë që sondazhet sërish i kanë rënë kokës zgjedhjeve, i nxjerrin ata para. Pra kemi një shumicë që votojnë PS. Në demokraci fiton kush ka shumicën. Mos harro se janë në pushtet, por sa herë liderit e tyre kanë humbur zgjedhjet janë larguar, kanë hapur rrugë. Rama po fiton, dhe partia nuk i thonë dot ik. Ndërsa PD ka hyrë në një rreth vicioz sepse nuk ikën njeri, as tek PL. PS do bënte si opozita, që nëse do humbte Rama të thoshte që nuk shkulem, dhe edhe ata do shkonin në humbje. Por ata kanë ikur, nuk e kanë shumë si ne”, u shpreh Zogaj.