Në një intervistë për News24, Presidenti i Institutit Pashko, Preç Zogaj, tha se në këto zgjedhje janë vënë re ndër të tjera, disa rekorde. Ai tha se tashmë është e dukshme që PS ka fituar thellë, e ndërsa opozita ka humbur thellë.
“Tashmë është e dukshme se PS ka fituar thellë, dhe opozita ka një humbje po aq të thellë. Opozita është tërhequr që të presë numërimin e votave. Që tani zgjedhjet kanë nxjerrë në pah rekorde që nuk kanë ekzistuar më parë.
Rekordi i parë ka të bëjë me pjesëmarrjen e ulët, nuk kemi një rast të tillë në histori. Me zgjedhje me garë të kemi një pjesëmarrje kaq të ulët. Në zgjedhjet e djeshme kanë munguar rreth 200 mijë njerëz, pra 200 mijë njerëz më pak se në 2021. Këta mund të kenë qenë votues të opozitës. Pra ndërsa i duhet të shtonte 100 mijë për të siguruar fitoren, ka humbur 200 mijë. Rekord tjetër është rezultati dhe opozita dhe po të kishte dalë e bashkuar, me këto rezultate që kemi deri tani, nuk do ishte fituese”, u shpreh ai.
Ndërkohë Zogaj tha se ringritja e opozitës kërkon më shumë sesa një bashkim mekanik, dhe se rezultati i këtyre zgjedhjeve duhet të shërbejë si një reflektim i thellë.
“Ka një problem të madh. Ringritja e opozitës si forcë fituese kërkon diçka më shumë se një bashkim mekanik. Mendoj se kjo duhet kuptuar dhe reflektuar thellë, sepse është një absurditet që të synosh të fitosh zgjedhje pa rinovim, pa reformim dhe me një betejë qendrore, e cila ka qenë beteja e sedrës, e Sali Berishës dhe e sfidës me SHBA.
Kjo mori përgjigje, dhe është kuptuar kjo betejë dhe nga ata që kanë munguar nga rezultatet. Pra Berisha u ka kërkuar shumë demokratëve, që të bëhen pjesë të zgjedhjes dhe të një problemi që është i tij. Duket qartë se nuk është e mundur për asnjë lider, që problemet personale që mund të ketë me partnerin strategjik apo dhe me drejtësinë shqiptare, nuk mund të zgjidhen duke përfshirë njerëzit, sepse kështu u bën dëm edhe zgjedhësve”, tha ai.
Po ashtu, Zogaj ka komentuar edhe fitoren e PS në Shkodër, dhe fitoren e Fredi Belerit në Himarë.
“Rezultati i Shkodrës është më emblematik i zgjedhjeve që tregon një trend votimi që është përcaktuar nga shumë faktorë. Tregon se zgjedhjet kanë qenë më komplekse sesa zgjedhje të thjeshta vendore. Zgjedhësve u bashkohet edhe figura e kandidatit, i cili është një person i njohur që ka qenë i respektuar në funksionet që ka kryer. Ka punuar me të dyja qeveritë, pra ka qenë një gjetje e qëlluar Benet Beci. Por nuk është vetëm kandidati që përcakton këtë, por është dhe vetë atmosfera në Shkodër.
Një pjesë e qytetarëve nuk kanë dalë fare në zgjedhje. Për këtë arsye ose kanë ndryshuar votën ose kanë qëndruar në shtëpi duke munguar derisa opozita të rivendoset në aksin dhe hullinë, ose busullën me të cilën ka lindur, që është busulla perëndimore.
Himara është rezultat befasues sepse kontraton me trendin e votave në atë zonë, por dhe për faktin se kandidati ishte pjesë e një zhurme të madhe politike për shkak të deklaratave të tij dhe arrestimit të tij. Në rastin e Himarës viktimizimi i kandidatit ka ndikuar për të galvanizuar elektoratin dhe për ta bërë më aktiv. Është rast i dytë, i pari ka qenë Azgan Haklaj i PD në 2001, në Tropojë, i cili ka fituar zgjedhjet duke qenë në burg. Tani duhet të shikohet se cila është e vërteta e tij, SPAK do shprehet”, tha Zogaj.