Kreu i qeverisë Edi Rama, në një komunikim me gazetarët ka folur për procesin zgjedhor dhe mbarëvajtjen e tij.
I pyetur për raportin paraprak të OSBE, ai tha se nuk e ka lexuar, duke shtuar se në këto zgjedhje nuk ka pasur asgjë të veçantë, veçse “dështimit spektakolarë i KQZ për të garantuar fillimin në kohë të votimit në 500 qendra votimi”.
“Standardet, s’kam lexuar asnjë raport paraprak por besoj se zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçantë veç dështimit spektakolarë të KQZ për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra qytetarë që ishin që në orët e para të mëngjesit në radhë. Me siguri që ne nuk do ta lëmë me kaq këtë çështje aq më tepër kur pamë skemat e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh.
Akuzave të opozitës, nuk keni nevojë të më pyesni sot, keni sinkronet, e kam parashikuar disa herë në takimet e mia. E vetmja gjë që nuk parashikova ishte shpejtësia që u kthye në atë që është pozicioni i përhershëm historik i tyre, mohimi i realitetit dhe fillimi i klithmave për vjedhje zgjedhjesh”, tha Rama.