BallinaKryesorePse deputetët e Kuvendit duhet të votonin kundër paketës për rritjen e...

Pse deputetët e Kuvendit duhet të votonin kundër paketës për rritjen e pagave

spot_img
spot_img

Nga Bujar Leskaj
Nuk kam asgjë me deputetët kolegë të mij që kanë mbështetur nismën për rritjen e pagave, por theksoj se kjo rritje e ndjeshme duhet te vije permes rritjes te larte ekonomike mbi 6 perqind te vendit dhe rritjes se qendrueshme te rendimentit ne pune.

I.  Arsyet politike

I.1. Republika kryeministrore

Gjykoj se ne, si opozitë, me këtë arrogancë që ka marrë shumica në pushtet, nuk duhet të votojmë pro asnjë ligj, pa u shbërë ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008. Koha tregoi që ato janë gabim. Ndryshimet ne mocionin e besimit dhe mosvesimit te kryeministrit, fakti qe kryetaret e partive parlamentare caktojne listat e kandidateve per deputete dhe deformimet që ka bërë Rama në këto vite, duke përdorur deputetët e korporatave, i kanë shndërruar deputetet e shumicës parlamentare në klone të kryetarit të partisë. Duke e kthyer republikën tonë parlamentare në një republikë kryeministrore, me një kryeministër praktikisht mbret. Shyqyr Zotit që Ramës nuk i ka shkuar mendja edhe të shpallet zyrtarisht mbret, si 95 vite më parë i shkoi Ahmet Zogut, se këta deputetë të sotëm të shumicës do ta kishin zgjedhur të tillë! Një republikë parlamentare nënkupton që të 140 ligjvënësit e saj të jenë më të rëndësishëm sesa ekzekutivi, sepse përcaktojnë ose ndryshojnë ligjet, në dobi të qytetarëve që i kanë zgjedhur. Me sektin Rama në qeverisje këto 10 vitet e fundit, raporti në një republikë parlamentare mes pushtetit legjislativ dhe pushtetit ekzekutiv tek ne po qëndron i përmbysur, me kokë poshtë. Sekti në qeverisje dikton gjithshka në Kuvend tek deputetët e shumicës, duke i shkëputur, me hir dhe me pahir, nga interesat e qytetarëve të komuniteteve ku janë zgjedhur dhe duke na kthyer në një republikë kryeministrore.

I.2. Thika pas shpine në garat zgjedhore

Mendoj se ne si opozitë nuk duhet të votojmë pro asnjë ligj, për sa kohë nuk kryhet e plotë reforma zgjedhore në vend. Rama u tall më 2020 dhe 2021 me interesin madhor të shqiptarëve për të votuar të lirë dhe me transparencë. Po me deputetët e korporatave, shkeli në prill 2021 marrëveshjen politike të qershorit 2020 për reformën zgjedhore, e cila dukej se kishte dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Pengimi i koalicioneve parazgjedhore ishte një thikë pas shpine ndaj përpjekjeve që bëri opozita, për të garantuar një garë të drejtë zgjedhore. Kjo thikë pas shpine ishte kupa që përmbysi kovën dhe solli deformimin e garës, dhe për rrjedhojë, edhe të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021. Një thikë të tillë, shumë ambasadorë të vendeve perëndimore tek ne, të mikluar dhe njëkohësisht, të kompleksuar nga Rama, bëjnë sikur nuk e shohin edhe sot. Rama na goditi sërisht më 2023 në zgjedhjet vendore të 14 majit, ku, permes makinacioneve, pengoi koalicionet parazgjedhore dhe i kushtezoi ato, deri ne percaktimin e vules apo sigles, apo, sikurse na ndodhi ne, deri ne mos vendosjen e emrit te kryetarit te koalicionit ne fleten e votimit.

Gjykoj se ne si opozitë, pasi hymë në dy gara zgjedhore të 21 prillit 2021 dhe të 14 majit 2023, duke provuar mbi kurriz një lumë të tërë pabarazish të dukshme dhe të padukshme në garë, duhet të mos votojmë më asnjë ligj, pa marrë garancitë e një procesi të drejtë dhe të patrukuar, duke kërkuar me forcë demokratizimin e sistemit elektoral të sotem.

I.3. Jo korrupsionit parazgjedhor dhe zgjedhor të Ramës, përmes pagave

Ne rast se ne deputetet e opozites votojme pro rritjes se pagave, shkojme ne nje linje me korrupsionin parazgjedhor dhe zgjedhor ekonomik të Ramës, i cili rritjen e pagës mesatare të administratës publike dhe bonusin 5 mije per te 690 mije pensionistet e shperndau dhe e deklaroi qëllimisht përpara zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit, duke i servirur si karrota zgjedhore.

Në këtë mënyrë, Rama dhunoi dhe deformoi procesin zgjedhor dhe vullnetin e lirë e të pandikuar të qytetarëve, duke blerë vota me para të ofruara nga buxheti i shtetit, me efekt që nga 1 prilli 2023.

Një veprim i tillë përbën një shitblerje të pastër të votës së shqiptarëve në ditën me diell, të dënueshme nga ligjet tona, në sy të të gjithë opinionit publik dhe institucioneve monitoruese ndërkombëtare, nga ana e partisë-shtet.

II.  Arsyet social-ekonomike

II.4. Jo rritje pagash pa përcaktuar minimumin jetik! Më vjen shumë mirë që Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, cilësoi dje se ne duhet të votojmë minimumin zyrtar jetik, përpara se sa të merremi me rrogat e ministrave dhe të deputetëve.

Në interpelancën e fillim marsit të këtij viti në Kuvend, të kërkuar prej meje që në fund të dhjetorit 2022, për përcaktimin e minimumin jetik zyrtar, kam theksuar se “Ju mazhoranca, i kishit gjasat e plota ta miratonit Minimumin Jetik Zyrtar në vitin 2016, kur, me nismën e Avokatit të Popullit, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike(ACER), realizoi studimin me titull “Llogaritja e minimumit jetik në Shqipëri. Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi të arësyeshëm jetese. Në programin tuaj të parë qeverisës 2014-2017, kishit përcaktuar si objektiv llogaritjen, publikimin dhe kalendarizimin e plotësimit të minimumit jetik në Shqipëri. Kishit studimin e plotë shkencor nga ACER dhe Avokati i Popullit, si dhe mbështetjen e plotë të opinionit publik dhe qytetarëve. …Përse nuk e përcaktuat atëhere me ligj minimumin jetik zyrtar? Pse nuk përfshini INSTAT në kërkimin shkencor modern për varfërinë e shqiptarëve, por e latë të numëronte televizorin dhe lavatriçen në shtëpitë e të varfërvë, për t’i deklaruar të padenjë për ndihmën shtetërore?…” Morali shoqëror ta do që, përpara se sa të rritësh rrogat e nëpunësve publikë, të sigurohesh se të varfërit e e vendit tënd, të cilët, sipas Bankës Botërore, janë rritur tek ne me një ritëm shqetësues, pas Pandemisë nga Covid-19 dhe pas inflacionit të lartë nga agresioni i Putin në Ukrainë, të marrin ndihmë dinjitoze ekonomike, të bazuar në minimumin jetik zyrtar. Por për ju është i huaj ky moral, kjo fytyrë dhe ndjenjë humane.

II.5. Pagat thellojnë pabarazinë shoqërore

Shtimi i pagave për ministrat me 82 përqind dhe për deputetët e Kuvendit me 98 përqind thellon pabarazinë shoqërore në vend. Punonjësit publike në shërbimet themelore të vendit, si mësuesit, mjekët, infermierët dhe punonjësit e rendit në terren, për këtë vit morën vetëm 7 përqind rritje të pagës, në pritje të rritjeve të pagës mesatare(pra, jo për të gjithë këta punonjës), deri në korrik 2023. Ky shtim përbën vetëm 2 përqind shtesë reale të fuqisë së tyre blerëse, në rast se llogarisim inflacionin vjetor për këtë vit në nivelin 5 përqind, sipas pritshmërive të shumë aktorëve ekonomikë në vend dhe të institucioneve vrojtuese ndërkombëtare. Dy përqind shtesë reale e fuqisë blerëse përfaqëson 40-45 herë më pak shtim, nga fuqia blerëse e rritur e ministrave dhe deputetëve, e korrigjuar edhe ajo me inflacionin pritës të vitit 2023.

Ky provokim që Rama iu bëri deputetëve, që gjoja rritja gati dy herë e pagave të tyre doli si propozim nga ata vetë, i distancon ata edhe më shumë nga qytetarët. Për pagën e përfaqësuesve të popullit, Akademiku i njohur Artan Fuga, në një prononcim publik të djeshëm të tij, shprehet se “Shtimi i pagave nuk përkthehet në rritje të cilësisë së punës së deputetëve dhe për pasojë, është një vendim i pakuptueshëm. Përfaqësuesit e qytetarëve duhet të kenë një standard jetese pak a shumë të ngjashem me qytetarët, Përfaqësuesi i qytetarit nuk mund të jetojë në distancë ekonomike shumë larg nga qytetari. Duhet të ketë të njëjtat kushte, pak a shumë”.

II.6. Pagat deformojnë piramidën shtetërore të shpërblimit

Një shtim i njëtrajtshëm i pagës prej 10 përqind për të gjithë punonjësit e nomenklaturës së lartë shtetërore, do t’i kishte dhënë barazpeshim dhe harmoni piramidës së re të pagave në sektorin publik. Ndërkohë, për të ruajtur llogjikën e kësaj piramide të re të pagave, koeficienti i të gjithë drejtuesve të institucioneve të larta, ministrave, deputetëve, etj., duhej të ishte përgjysmuar. Kjo do ta kishte bërë Piramidën më të barazpeshuar dhe harmonizuar edhe me majën e saj, ku me propozimet e tanishme, raporti mes majës së piramidës, pagës së Presidentit të Republikës, me atë të ministrave dhe deputetëve, ngushtohet shumë.

III.7. Rritje pagash pa planifikim afatmesëm buxhetor

Rritja e fortë e pagave të administratës publike, e përqëndruar në dy vjet, deri në korrik 2024, në një kohë që në dhjetë vjet nuk ka pasur as indeksim të plotë të këtyre pagave, do të zhbalancojë disa tregues të rëndësishëm makroekonomikë, të tillë si inflacioni, shtimi i barrës fiskale dhe reduktimi i shërbimeve publike. Sufiçiti buxhetor, me rënien graduale të inflacionit, i cili në prill 2023 ishte 5 përqind, do të ulet ndjeshëm dhe qeveria do të ndodhet përballë domosdoshmërisë për të përballuar qindra milionë euro shtesë në vit për shtimin e pagave, vetëm përmes shtimit të borxhit publik. Ajo nuk ka zgjidhje tjetër. Do të përfundojë në terrenin e minuar, kur siguron rritje pagash, përmes rritjes së borxhit. Rritjet e sforcuara të pagave për të rritur kërkesën në treg, kur fuqia prodhuese e ekonomisë dhe produktiviteti nuk i përgjigjen këtij ritmi, do të çojë në mënyrë të pashmangshme në shtimin e stokut të borxhit publik. Rritja reale e pagave sigurohet kur ndodh një zgjerim i ekonomisë mbi 6 përqind në vit dhe kur produktiviteti i saj përmirësohet qëndrueshëm. Rritja e ndjeshme e pagës mesatare dhe e pagave të nomenklaturës së lartë të Shtetit, sipas standardeve të qeverisjes së mirë të OECD, kërkon një parashikim të fondeve të domosdoshme në Buxhetin e Shtetit, të cilat janë në vlera të mëdha, për ta realizuar atë. Nuk ka asnjë përmendje të këtyre fondeve të domosdoshme në Planin Afatmesëm të Buxhetit të Shtetit për vitet 2023-2025, të përgatitur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe kjo përbën një skandal të madh! Nga ana tjetër, mungesa e parashikimit të fondeve përkatëse për rritjen spektakolare të pagave, dëshmon që ky veprim është thjesht dhe vetëm një aventurë, një tekë e momentit e të ashtuquajturit Lider Global, për të blerë abuzivisht dhe me korrupsion parazgjedhor dhe zgjedhor votat e qytetarëve, duke përfituar nga sufiçitet e krijuara dhe në krijim e sipër në Buxhetin e Shtetit për vitin 2023, për shkak të inlfacionit të lartë. E shtrirë deri në korrik 2024, rritja e pagës mesatare në administratën publike projektohet sërisht si një investim abuziv parazgjedhor i Ramës, në optikën e zgjedhjeve të përgjithshme politike të vitit 2025.

II.8. Rritje pagash pa analiza të thelluara ekonomike dhe pa realizuar censusin e popullsisë

Rama përsërit si papagall se kjo rritje pagash ka ardhur si rezultat i analizave të thelluara të bëra nga qeveria e tij. Po të kishte një të vetme syresh, ky manipulues i paskrupullt i opinionit publik nuk do të kishte përtuar ta tregonte, por nuk ka!

Kjo dëshmon më së miri karakterin aventuror të nismës për shtimin e e ndjeshëm të pagave në administratën publike. Qeveria nuk ka as edhe të dhënat e duhura për numrin e popullsisë, për të krahasuar ndikimin e rritjes së pagës mesatare të të 135 mijë të punësuarve të saj, në sektorin privat.

Ne interpelancen e marsit 2023, i kam kerkuar Ministres se Financave dhe Ekonomise edhe pershpejtimin e realizimit te censusit te popullsise, te cilin qellimisht kjo qeveri dhe kjo maxhorance e ka vonuar ne dy vitet e fundit, te mbuluar me gjoja deshtimin menaxherial te INSTAT per ta kryer ne kohen e duhur. Vonesen tuaj te qellimshme e konfirmon edhe Gazetari dhe publicisti Ben Andoni, i cili në një shkrim të tij të djeshëm cilëson se “Censusi i popullsise, sipas literaturës, na tregon se kush jemi dhe ku po shkojmë si komb, por edhe i ndihmon komunitetet tona të përcaktojnë se ku të ndërtojnë gjithçka u nevojitet, nga shkollat te supermarketet dhe nga shtëpitë e deri te spitalet. Censusi ndihmon qeverinë të vendosë se si të shpërndajë fondet dhe ndihmën për strukturën shtetërore dhe lokalitetet”. Kete ndihme dhe investimet ju doni t’i shperndani aty ku ju leverdis juve, dhe jo ku ka me shume nevoje.

II.9. Rritje pagash pa finalizuar reformën në administratën publike

Përbën nonsens ekonomik që, ndërsa popullsia e vendit është pakësuar në 10 vitet e fundit me të paktën 600 mijë vetë, nga emigracioni intensiv, ose mbi 20 përqind të popullsisë, sipas shifrave të INSTAT, administrata shtetërore, e cila duhej të tkurrej po me 20 përqind, është rritur!

Administrata jonë publike është rritur, për shkak të falangave të patronazhistëve dhe aktivistëve, që kanë depërtuar në të gjitha poret e saj. Duhet perfunduar reforma. Kete reforme duhet ta fillojme nga vetja jone. Me popullsine e sotme, ne jemi shume 140 deputete, ndersa numri optimal duhej te ishte 100 deputete. Kemi dhe shume struktura shteterore te fryra dhe institucione e drejtori qe dublojne njera-tjetren.

II.10. Të votosh rritjen e pagave do të thote te biesh në kurthin e Rames

Ne nuk duhet t’i votojme pagat e rriturra, edhe ne respekt te opinionit te shendoshe publik te vendit. Me djallezi Rama e paraqiti rritjen e pagave te deputeteve si nisme e vete atyre. Ne nuk duhet te biem ne kete projekt-kurth, por duhet te shikojme sugjerimet pozitive qe na kane ardhur nga shume personalitete te vendit dhe mesazhet qe na kane dhene.

Ne duhet te respektojme piken 3 te Kodit Etik te deputetit dhe te ndjekim standardin e parlamenteve te zhvilluara ne Evrope dhe ne bote, qe legjislacionin per ta e miratojne dhe e kalojne per zbatim gjate legjislatures tjeter.

Nuk duhet te biem pre e lojrave te kryeministrit dhe te mbjellim gjuhen e urrejtjes mes njeri-tjetrit. Ne duhet te respektojme zgjedhesit tane!

xxx

Të gjithë jemi për të patur një administratë publike sa më konkurruese, cilësore dhe të mirëpaguar. Mirëpo rritja e pagave edhe në shtet, njëlloj si në sektorin privat, duhet të vijë gjithnjë, në përpjestim të drejtë me rritjen e rendimentit dhe të produktivitetit të punës. Në të kundërt, ajo përbën një aventurë me pasoja të pallogaritshme, si kjo që po e fut shoqërinë dhe ekonominë tonë Rama sot, e cila, për fat të keq, i ka të gjitha gjasat të përfundojë me rritjen e borxhit publik dhe me thellimin e pabarazisë dhe padrejtësisë shoqërore në vend.

Shënim: Nga diskutimi i djeshëm në Kuvend i zotit Leskaj.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular