Nga Bujar Leskaj
Më pak nxënës në shkollë, pasoja afatgjata për Shqipërinë!
Më pak nxënës në shkollë, pasoja afatgjata për Shqipërinë!
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se këtë vit shkollor regjistrimet në arsimin e mesëm shënuan rënie mbi 7.4 %, gati dyfishi i rënies në arsimin 9 vjeçar.
Në vitin shkollor 2022-2023 kishte gjithsej 95.8 mijë të regjistruar në arsimin mesëm, nga 154 mijë në vitin 2012, me një rënie prej 38%, ose 58.5 mijë nxënës më pak.
Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri.
Dhe nuk është vetëm rënia natyrore e popullsisë, as integrimi i hershëm në tregun e punës, por është edhe shpopullimi, edhe largimi i të rinjve për arsye emigrimi, që po thellon një plagë 32 vjeçare për shoqërinë tonë!
Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm të ulët e të mesëm të lartë, zgjedhin emigrimin në të shumtën e rasteve me familjet e tyre.
Varfëria, mungesa e shpresës, papunësia, pamundësia për të përballuar “arsimin falas” në Shqipëri, burokracia, arsimi jo cilësor, mungesa e gjetjes së një vendi pune, mungesa e meritokracisë; janë disa nga arsyet që mund të listoj…
“Politikat arsimore” të qeverisë së sektit Rama në pushtet kanë 10 vite që vetëm nxisin emigrimin, analfabetizmin dhe analfabetizmin funksional, ndëshkojnë të arsimuarit, vrasin shpresën.
Në 10 vite të Edi Ramës në pushtet, mbi 300.000 të rinj dhe mbi 720.000 shqiptarë janë larguar nga Shqipëria.
Në 10 vitet në pushtet të sektit Rama, afërsisht 150.000 nxënës braktisën shkollën.
Dhe kjo shifër rritet vit pas viti, duke treguar se sa besim ka rinia jonë tek arsimi, punësimi, mundësitë që ky sekt në pushtet u krijon atyre…