BallinaOP EDVazhdimësia e pushtetit të Erdoanit, Turqia drejt rrugës së fuqisë

Vazhdimësia e pushtetit të Erdoanit, Turqia drejt rrugës së fuqisë

DRITAN HOTI

Historianët e ardhshëm me siguri do ta klasifikojnë Presidentin aktual te Turqisë në rangun e një shtetari kompleks. Pothuajse të gjithë drejtuesit e lartë politike turq janë përpjekur dhe kanë dëshiruar ta masin rendimentin e tyre politik si edhe sukseset e tyre kombëtare me ato të shtetarit më të zot të shekullit XX-të, themeluesit të Turqisë moderne, Kemal Atatrukut.

Ndër ta vetëm Rexhep Taip Erdoan mund të pretendojë ta ketë rivalizuar, madje tejkaluar atë në kohëzgjatjen fizike të ushtrimit të pushtetit politik, si edhe ta ketë zhvendosur Turqinë nga një gjendje socioekonomike, kulturore e institucionale në një stad te ri, por me sa duket në drejtime historike të ndryshme nga njëri-tjetri.

Republika e Turqisë e krijuar prej Ataturkut mbështetej në platformën ideologjike të njohur si Kemalizëm, tiparet kryesore të cilit ishin republikanizmi, sovraniteti popullor, etatizmi si edhe një formë sekularizmi të ngjashme me versionit e laicitietit francez ku shteti kontrollon komunitetet fetare. Trajektorja politike e Erdoanit nuk rezulton të jetë e njëtrajtshme, nga një Kryeministër reformator e heraherës konsensual deri në zgjedhjen e tij si President i Turqisë.

Në rast se Ataturku ishte përfaqësues nacionalist i dalë nga rangjet e ushtrisë turke në përfundim të Luftës I Botërore, Rexhep Erdoan, pati një rrugëtim politik atipik të ngjitjes e konsolidimit të tij në karriere. Nga një aktivist me bindje nacionaliste e fetare në një Kryeministër reformator e konsensual deri në një pikë të caktuar. Ataturku ishte një modernist, i cili besonte në shkencë, evolucionin kulturor e racionalizëm duke mveshur në një etapë të dytë të karrierës së tij mantelin e liderit autoritarist. Dhe forma autokratike e ushtrimit të pushtetit përbën edhe një pikë të përbashkët ndërmjet Edoanit dhe Ataturkut.

Teksa autorizmi i Ataturkut ishte në funksion të ruajtjes së principeve të filozofisë së tij politike, republikanizmit, sekulazizmit, emancipimit kulturor, garantimit të drejtave të grave si dhe shkollimin masiv të turqve, ai i Erdoanit është pothuajse i një natyre të kundërt. Referendumi i 22 prillit 2016 i atribuoi Erdoanit si president të drejta të padiskutueshme që kanë të bëjnë me emërtimet direkte të gjyqtarëve, tagrin e shpërndarjes së Parlamentit, kontrollin e buxhetit të mbrojtjes të politikës së jashtme si edhe mundësinë e zgjatjes së qëndrimit të tij në pushtet.

Ndryshe nga Ataturku, Erdoani hoqi kontrollin e shtetit mbi institucionet fetare dhe për rrjedhojë favorizoi influencën direkte të këtyre të fundit mbi shoqërinë turke duke tentuar ta zhvendosë vendin drejt një versioni konservator të një islami sunit. Edhe industrializmi i projektuar nga Erdoani përbën një simbolikë tjetër krahasimisht me atë të Atarkut, ai i Erdoanit është kryesisht i një natyre ushtarake në funksion të rritjes së fuqisë dhe influencave të Turqisë në rajone që shtrihen ne 3 kontinente.

Harta e turit të parë të zgjedhjeve megjithë disa dëshira dhe parashikime të sondazheve të ndryshme, surpriza deri-diku me kryesimin e Erdoanit me 49.5% të votave përkundrejt rivalit të tij të opozitës, Keaml Killicadaroglu, me 44.9% te votave. Rezultati zgjedhor reflekton edhe ekzistencën e një ndarje të shoqërisë turke. Në rast se Erdoani e siguron bazën e tij mbështetëse në pjesën tradicionale të shoqërisë turke me pikëpamje fetare konservatore e rurale si edhe komunitetet neorubane me epiqendër në gadishullin anatolian, rivali Killicadroglu e siguron mbështetjen e tij në qytetet kryesore të Turqisë, popullsia e të cilave ka akses të konsiderueshëm në mediat sociale, në internet si edhe në lehtësirat e tjera teknologjike.

Erdoani po ashtu si Ataturku kishte si burim të frymëzimit të aksionit të tij politik një dobësi institucionale endemike e reflektuar në trazirat politike përgjatë 5 dekadave të Turqisë përgjatë luftë së ftohtë duke e bërë kësisoj këtë të fundit të depërtueshme përkundrejt interferencave të fuqive të huaja, kryesisht asaj amerikane. Në rast se Ataturku i dha fund dobësisë së brendshme nëpërmjet një “autoritarisme eclairé”, duke e drejtuar Turqinë në rrugën e një sistemi politik etatist të udhëhequr sipas parimeve perëndimore, Erdoani po e zhvendos Turqinë drejt një stabiliteti të brendshëm politik nëpërmjet aplikimit të disa normave të një autokracie e mbështetur mbi një version të nacionalizmit religjioz, përforcimit të rolit të shtetit, si edhe integrimit të vlerave fetare në shoqërinë e saj. Turqia e Erdoanit, nisur nga pozita e saj favorizuese gjeografike, densitetit demografik, si edhe pesha e ushtarake në rritje, funksionon si një aktor i rëndësishëm në një botë teknologjike, në të cilën po përjetojmë një rikthim të riideologjizimit të politikës së jashtme.

Megjithë përdorimin e superstrukturës të burokratëve si edhe infrastrukturës institucionale që Presidenti Erdoan e disponon, në funksion të suksesit te tij elektoral, të gjitha kalkulimet aktuale matematikore elektorale e nxjerrin atë fitues në balotazhin e 28 majit, duke llogaritur në favor të tij edhe votat e kandidatit nacionalist, Sinan Ogan, promovues i një versioni të nacionalizmit panturkofon si një vatër e rëndësishme kulturore euroaziatike.

Në këto kushte, përpara një “fait accompli” politik që nënkupton vazhdimësinë e realiteti aktual në Turqi do të vërejmë gradualisht spostimin e diplomacive perëndimore, nga diplomaci me qëndrime etike në një politikë të jashtme mbështetur mbi formulat e realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për më tepër çrregullimet e furnizimit me gaz si edhe sfida energjetike e provokuar nga lufta Rusi-Ukrainë e kthen sërish Turqinë në një epiqendër të një mundësie të ndërtimit të një rrjeti të furnizimit me gaz e hidrokarbure me burim nga Azia Qendrore, vende të tjera të Lindjes së Mesme në drejtim të Evropës apo edhe më gjerë.

Orientimi i ligjëratës politike në ditët e fundit i kandidatit të opozitës, Killicdaroglu drejt nacionalizmit fetar, tregon pikërisht se ky nacionalizëm përbën edhe elementin vendimtar në përcaktimin e rezultatit përfundimtar të balotazhit të datës 28 maj. Me të gjitha gjasat, Turqia e viteve të ardhshme do të drejtohet nga platforma ideologjike e Rexhep Taip Erdoanit, i cili në fakt do të duhet të aplikojë filozofinë e tij politike me të dyja Turqitë antagoniste. Sistemet me përmbajtje autoritariste, të gjitha në fakt nuk mbështeten mbi platforma filozofike e etike të pranueshme nga shoqëritë respektive mbartin një rrezik. Ngjitja aktuale progresive e Turqisë në një pol fuqie e influencash u detyrohet dhuntive të një lideri autokrat, i tillë rasti i Erdoanit.

Por kjo mund të rezultojë e përkohshme, pasi në mungesë të një mendësie të një trashëgimie të duhur institucionale që mbështetet në koncepte psiko-filozofike, që përbëjnë edhe botëkuptimin e një shoqërie. Me përfundimin fizik të pushtetit politik të Erdoanit, Turqia rrezikon të mbetet një shtet me popullsi të konsiderueshme, pozite gjeostrategjike të një rëndësie të pandryshueshme dhe me një potencial ushtarak të konsiderueshëm, por një mungesë në lidhje me vazhdimësinë e pushtetit të saj politik e institucional dhe në këto rrethana drejtuesve pasues të saj do t’u duhet të rimendojnë edhe njëherë mbi parimet filozofike e modalitetet institucionale të drejtimit të saj, për ta mbajtur dhe rigjallëruar atë si një pol fuqie rajonale apo edhe kontinentale. Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UMSH.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular