Nga Mirela Karabina
Lulzim Basha prej disa ditësh ka nisur takime me të rinj, me demokratë e qytetarë dhe po shpalos disa kauza thelbësore për funksionimin e demokracisë: lista të hapura, vetting në politike, kufizime të mandateve, President të Republikës me kompetenca të plota.
Lufta pa kompromis me Trekëndëshin e Bermudes është misioni që Lulzim Basha nisi dy vite më parë dhe është koha që ai duhet ta përfundojë!
Në shtator 2021, në interest të Partisë Demkratikë ai vendosi ndarjen e saj nga e shkuara, pezulloi Sali Berishën nga grupi parlamentari PD-së, duke rreshtuar partinë krah aleatit tonë strategjik dhe jetik SHBA-ve. Kuvendin i 18 Dhjetorit 2021 i PD-së shpalosi rrugëtimin e përballjes me të vërtetën dhe mori vendimin politik të zgjedhjes së të ardhmes dhe shkëputjes nga e shkuara. Pas humbjes së zgjedhjeve të 6 marsit 2022, të cilat u zhvilluan në kushte të jashtëzakonshme, pak kohë pas sulmit të dhunshëm të 8 janarit ndaj godinës së PD nga Foltorja, Lulzim Basha dorëhiqet si kryetar i Partisë. Ky akt u ndërmor që të kishte reflektim dhe nga ana tjetër, (Z.Berisha), me qëllim qetësimin dhe qartësimit të demokratëve me të vërtetën dhe bashkimit të tyre. Por kjo nuk ndodhi, Sali Berisha vazhdoi rrugëtimin e tij duke i rënë me vare partisë, duke e përçarë keqazi atë. Ndaj, artikulimi i këtyre kauzave sot nga Z. Basha vjen në një realitet krejt ndryshme se më parë.
Koha i dha të drejtë Lulzim Bashës!
Zgjedhjet e 14 majit 2023 dëshmuan më së miri që Lëvizja Foltore prej dy vitesh shpartalloi Partinë Demokratike dhe jo vetëm nuk e rrëzoi regjimin e Edi Ramës, por pengoi rrotacionin politik. Ndërsa, rezultati katastrofik që Bashkë Fitojmë mori në këto zgjedhje dëshmoi se 300 e ca mijë mijë demokratë, i thanë stop koalicionit Berisha-Metaj. Inteligjenca e elektoratit opozitar ishte më e lartë se propaganda ekonomike, politike, mediatike dhe financiare e Trekëndëshit të Bermudës: 62-64% e qytetarëve i refuzuan, maxhoranca me gjithë makinerinë e pushtetit 10 vjeçar në funksion të saj nuk arriti dot të rrisë votat e veta, përkundrazi pati rënie,
Elektorati opozitar, i majtë dhe i djathtë, janë të neveritur nga kjo klasë politike!
Ndërsa Partia Demokratike nën drejtimin e Kryetarit në Detyrë Z. Alibeaj, falë stoicizmit dhe qëndrueshmërisë së tij, në kushtet e agresionit të brendshëm dhe të jashtëm, rezistoi, nuk u asgjësua dhe përmes një fushatë dinjitoze dhe një narrative politike të qartë, në zgjedhjet lokale mori 104 mijë vota të pastra idealistësh që e besuan atë.
Artikulimi i kauzave të rëndësishme për demokracinë dhe marrja e përgjegjësisë për t’i jetësuar ato, është themeltar. Por, ajo që përbën interes dhe e vendos Lulzim Bashën në një dimension të ri, sot, është qasja me të vërtetën, transparenca për vendimarrjet me kosto për vendin dhe vendosmëria e tij për t’i shkuar deri në fund këtij misioni.
Ditë pas dite ai po shpalos pikërisht këtë, përballjen me të vërtetën, ballafaqimin me demokratët, marrjen e përgjegjësisë së gabimeve dhe reflektimin ndaj tyre.
Partia Demokratike do të jetë alternativë qeverisëse kur ajo t’i drejtohet shqiptarëve me të vërtetën, e ndarë nga e shkuara dhe pa hijet e errëta të saj, në papajtueshmëri me korrupsionin dhe krah SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimi Europian.
Ky është misioni që Lulzim Basha shpalosi dy vite më parë.
Dhe sot është koha ta përfundojë atë…