Nënkomisari, Shkëlzen Gjonaj është përjashtuar nga rradhët e policisë së shtetit, pas publikimit të një video të tij ku hyn brenda mjetit të një qytetari dhe i kontrollon portofolin
Pamjet e efektivit të rendit në Shkodër, ky dyshohet se merr në portofol një zarf të vogël me 350 mijë lekë dhe 50 euro, janë bërë publike në një emision investigativ.
Gjithashtu janë publikuar video ku ai godet me grushte e shkelma një të ri brenda një lokali në Shkodër.
AMP raportohet se është duke kryer veprimet procedurale për arrestimin e Shkëlzen Gjonajt.
“Në vijim të informacionit të dhënë nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, për pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër, sqarojmë se:
Pas transmetimit të një rasti tjetër të abuzimit me detyrën nga ky punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj.”, thuhet në njoftim.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër, në saj të një pune të përbashkët hetimore në funksion të procedimit penal regjistruar më datë 31.05.2023, ka finalizuar me sukses dokumentimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të punonjësit të policisë Nënkomisar SH. GJ., 55 vjeç, , me detyrë Specialist Rendi në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Ndaj këtij punonjësi, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Shkodër ka nxjerrë urdhër ndalimi për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kanosje”, në dëm të shtetasve me iniciale B. U. dhe A. B. Ky rast është publikuar në media më datë 01.06.2023″, raporton AMP.