Një studente e universitetit “Fan Stilian Noli” në qytetin e Korçës që jeton në konviktin e quajtur “Trajtimi i Studentëve Korçë” ka dërguar një denoncim në redaksinë e Fiks Fare në lidhje me kushtet brenda konviktit.
Studentja tregon se në këmbim të qëndrimit në konvit ajo dhe studentët e tjerë paguajnë 45 mijë lekë të vjetra, dhe në bazë të kontratës që ka me këtë konvikt duhet të ketë ujë 24 orë dhe internet.
Studentja ka treguar se uji i ngrohtë është me orar, gjë që më parë ka patur ujë të ngrohtë pa ndërprerje dhe interneti është i dobët. Ajo shprehet se këtë shqetësim ja kanë shprehur drejtorit të konviktit, por ku i fundit ka thënë se kështu e ka vendosur.
Gazetarët e Fiks Fare shkuan në Korçë dhe vunë re se uji i ngrohtë mungonte, studentët duhet të prisnin orën 18:00 të pasdites që të mund të përdornin dushet.
Drejtori i qendrës studentore zoti Shkëlqim Kajmaku tha se janë 70 studentë dhe herë pas here disa prej këtyre studentëve i kam gjetur duke shpërdoruar ujin e ngrohtë. “Lënë çezmat hapur që t’u ngrohet ambjenti dhe më pas futen në dush”, u shpreh ai.
Kështu ai ka vendosur orar për ujin e ngrohtë nga ora 18:00 e pasdites deri në orën 09:00 mëngjes të ditës së nesërme. Gjithashtu zoti Kajmaku tha se shuma që këta studentë paguajneë për të marrë shërbimin në konvikt është e pamjaftueshme, edhe pse paguajnë 45 mijë lekë të vjetra shpenzimet janë shumë më të mëdha për energjinë dhe ujin.