Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Hoxha, i ftuar në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN ka folur në lidhje me ndarjen e kësaj force politike, ndërsa nuk ka ngurruar të bëjë thirrje se nevojitet bashkimi i të dyja kaheve, në mënyrë që kjo parti të ecë përpara.
Sipas Hoxhës, palët duhet të lënë pas humbjen e kohës me naivitet politik, por duhet të jenë gjithmonë e më përbashkues mes tyre, për të mos pasur më atë rezultat që morën në zgjedhjet e fundit të 14 majit.
Hoxha siguroi se, nëse palët do të kishin qenë të bashkuara, në zgjedhjet e 14 majit, Partia Demokratike do të kishte fituar 24-26 bashki.
“Ne nuk duhet që të humbasim më kohë në naivitet të plotë politik, të secilit deputet, që në qëndrimin tonë në dy vite kemi qenë gjithmonë palë që kemi dashur të bëjmë procese përbashkuese, e që të çojnë në këto rezultate që tanimë janë certifikuar.
Kemi kërkuar gjithmonë që të bëjmë fushatë me kandidatë unikë dhe faktikisht ne gjendemi në një situatë të tillë, që secili nga ne duhet të mbajë përgjegjësi individuale dhe të themi të vërtetën që kështu nuk shkojmë askund.
Ajo që unë dhe i gjithë grupi parlamentar kemi kërkuar është që të merret një hap kohor, për të bërë një hap pas nga të dyja palët, që nga drejtimi i grupimeve për të krijuar një parti për të cilën unë kam ardhur për të kontribuar.
Një parti, që duhet të hapë një epokë të re, larg të shkuarës e më pranë të ardhmes, sepse Shqipëria është tkurrur, demokratët dhe qytetarët akoma më shumë. Të ndarë ne do t’i japim mundësinë qeverisë së Rilindjes ose aleatit të tyre që të vijojë betejat e saj të 2025-s por edhe të 2029-s duke qenë gjithmonë një parti-shtet me të gjitha mekanizmat.
Më vjen keq që pala tjetër nuk e pranon që dështimi në zgjedhjet e 14 majit ishte si pasojë e mos unifikimit të forcave tona dhe ju garantoj që nëse do kishim unifikuar forcat, të kishim dalë me një kandidat të përbashkët dhe do trokisnim në çdo derë me programin tonë, ne sot do të kishim 24-26 bashki të fituara.
Pra, do ishim një gur themeli për të ngritur një fitore të mundshme në vitin 2025. Pra, ne duhet të ndajmë mendjen, a kemi një parti apo dy parti? Nëse kemi një parti, hajde ta bëjmë dhe ajo parti me logo zyrtare të PD apo me një logo tjetër, gjithsecili prej nesh duhet të dalë në terren dhe ta riorganizojë këtë parti, sipas një koncepti komplet ndryshe nga ajo që është bërë deri më sot.”