𝗦𝗼𝘁 𝟴 𝗤𝗲𝗿𝘀𝗵𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟯, 𝗻𝗲 𝗞𝘂𝘃𝗲𝗻𝗱!
E nderuar zonja drejtuese e seancës,
Të nderuar zotërinj deputetë!
Këtë fjalë sot e mbaj në nderim, në përkujtim të jetës dhe veprës së një prej simboleve të qëndresës antikomuniste në Vlorë, i cili përpara disa ditësh u nda nga jeta, z. Enver Shaqiri.
Z. Enver Shaqiri në kohën e diktaturës ka bërë 25 vjet burg politik në dy periudha të ndryshme; burg politikë vetë, vëllai, njeri me karakter të fortë, të cilët ne vlonjatët i quajmë “Strong Man”, burra të fortë, burra të hekurt, për karakterin që kanë treguar në burgjet e diktaturës, por edhe për karakterin dhe integritetin e treguar më vonë, pas viteve ’90.
Për kuriozitetin e atyre që më dëgjojnë, është proverbiale, ka ngelur në histori, jo vetëm qëndresa, por edhe një fjali, një mesazh i dhënë në vitin 1989 i z. Enver Shaqiri në burgun e Spaçit, kur shkuan në burg zëvendësministrat e mbrojtjes e të drejtësisë në kuadër të “pseudohapjes” që bënte Ramiz Alia nën trysninë e Koffi Anan dhe Kombeve të Bashkuara dhe zhvilluan një bisedë me të burgosurit.
Mos të harrojmë që terrori komunist ende vazhdonte. 5 vite më parë ishte shtypur revolta e Qafë Barit dhe 15 vite më parë ajo e Spaçit.
Duke “birbilosur” emisarët e Ramiz Alisë, me një lloj oportunizmi për ndonjë të burgosur që “mund të kishte bërë edhe burg të padrejtë”, ngrihet Enver Shaqiri dhe u thotë: “Shumë mirë që i thatë këto fjalë. Për burgun e padrejtë që kemi bërë ne, tani që ne do të dalim, duhet të vini ju!”
…
Sot mund të flasim papushim.
Në radhë të parë dua të vlerësoj punën e “INSTITUTIT TË STUDIMEVE PËR KRIMET DHE PASOJAT E KOMUNIZMIT”, drejtorin e tij, z. Çelo Hoxha dhe t’i inkurajoj, që me mbështetjen tonë modeste, e cila nuk do t’u mungojë asnjëherë, të vazhdojnë në këtë rrugë, pasi kemi ende shumë probleme që janë ende të pazgjidhura, që janë në mes të rrugës, problematika përsa i përket dekomunistizimit, rehabilitimit të ish të përndjekurve politikë të diktaturës, nderimin dhe vlerësimin e tyre. Dhe një nga vlerësimet ku ne duhet të fokusohemi këtë vit, kur mbushen 50 vjet nga kryengritja e Spaçit, duhet të jetë ajo të të përndjekurit politikë kërkuan me të drejtë në janar të këtij viti, që në nderim të revoltës së Spaçit, VITI 2023 TË JETË VITI I KUJTESËS KOMBËTARE.
Por, çfarë u bë në përkujtimin e saj në 21 maj?
U zhvilluan 2-3 aktivitete modeste; u zhvillua edhe një aktivitet në Spaç me difekte në organizim; Presidenti i Republikës i nderoi me pjesëmarrje dhe mesazhin që dha, pavarësisht që edhe nga organizatorët presidenti u vu në pozitë.
Nuk është normale që të organizosh një aktivitet përkujtimor për një ngjarje të tillë dhe të mos flasin ata që janë gjallë, heronjtë e gjallë.
Nuk mund të organizosh një aktivitet e të mos flasin fëmijët, nipërit, mbesat e heronjve.
Unë i rekomandoj Institutit të “Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit” që këtë vit ta ketë në fokus, ta kemi seriozisht në vëmendje që këtë vit ta kemi vitin e Kujtesës Historike, duke përkujtuar 50 vjetorin e revoltës së Spaçit, heronjtë e saj dhe, pse jo, në sensibilizim e respekt të plotë ne të organizojmë një seancë të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë, ku ne deputetët të dëgjojmë heronjtë e gjallë të Spaçit që të na flasin për atë kryengritje, për rezistencën në burgjet e diktaturës dhe do të jetë në nderin tonë, nëse ne këtu në Kuvend ftojmë të flasin të dënuarit, simbolet e gjalla, si: Fatos Lubonja, Bedri Blloshmi, Bedri Çoku, Demir Pojani, Gëzim Çela, Qemal Demiri, Hysen haxhia, Astrit Xhaferri, Kujtim Murati e shumë e shumë të tjerë.
Të vijnë të flasin në Kuvend fëmijët e tyre. Të flasë Nardi Bejko, djali i heroit Dervish Bejko, që u pushkatua në Spaç në vitin 1973.
Të vijë të flasë mbesa e heroit të madh Xhelal Koprencka, vajza e Mersin Vlashit, vajza e Demir Pojanit, Agim Musës e shumë e shumë të tjerë…
Pse jo edhe Vilson Bedri Blloshmi, i cili ka marrë emrin e xhaxhait të tij si edhe Henri Haxhi Baçinovski.
Megjithatë, në mendimin tim të mos vlerësosh sa duhet 21 majin e vitit 1973, është njëlloj si të harrosh të kaluarën diktatoriale dhe, ndonëse pa dashje mund të bëhet nga institucionet studimore apo publike, është shërbim që u bëhet persekutorëve të djeshëm.
I nderuar drejtor i Institutit, pavarësisht punës suaj, ne kemi një përvojë të mirë që ne 21 maj 2006, kam pasur nderin të jem iniciator i shpalljes së asaj dite si DITË E KUJTIMIT PUBLIK dhe kremtohjej njësoj si 8 Dhjetori, Dita e Rinisë, 4 Dhjetori, dita e Ushtrisë, apo edhe ditë të tjera përkujtimore publike.
Ne duhet ta kthejmë në axhendë dhe të lobojmë fort të gjithë për të vendosur Memorialin e Qëndresës e të Qëndrestarëve në qendër të Tiranës dhe të vazhdojmë punën tonë që Muzeu i Spaçit të shpallet Muze Kombëtar e të plotësohet, të konfigurohet si një muze i tillë: Muze i dëshmisë së qëndresës antikomuniste.
Në 1973 në Spaç, shqiptarët kanë ngritur flamurin kombëtar pa yllin komunist për tre ditë.
Të persekutuarit politikë të diktaturës janë e do të mbeten nderi i kombit dhe kujtesa jonë për ta është nderim për moralin tonë politik e shoqëror, ndërsa harresa për ta është e pafalshme për ne dhe është ndëshkim për të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë.
Për herë të parë në Spaç u hodh parulla që e përsëritën Studentët e Dhjetorit: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
Për herë të parë në Spaç në mënyrë të organizuar iu kundërvunë diktaturës. 4 vetë u pushkatuan dhe 66 të tjerë, heronj të gjallë, të cilët kanë mbijetuar, vazhdojnë të qëndrojnë fort në mbrojtje të lirisë, vlerave, demokracisë e principeve të tyre.
Për të folur për Spaçin minutat asnjëherë nuk mjaftojnë, por unë dua të përmend këtu një poezi të Havzi Nelës, në të cilën ai stigmatizonte dy kriminelët e regjimit: Feçor Shehu dhe Kasëm Kaçi, por lexuesi mund të kuptojë se bëhet fjalë edhe për drejtuesit në Tiranë, Enmver Hoxha e Mehmet Shehu:
“Dy xhelat që ka Tirana,
Dy xhelat dy sytë iu plaqin
Nuk menduen për nanat tona
Nuk menduen i shitoft zana!”…
Tani kthehem te veprimtaria e Institutit të “Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit”.
Personalisht e vlerësoj shumë veprimtarinë e Institutit; Vlerësoj shumë ekspozitën me rastin e 45 vjetorit të ekzekutimit të poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka. Kam një vërejtje për ekspozitën që ju si ISKPK që në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Media, në mos gaboj, fytyrat e diktaturës.
Për mua keni bërë një zgjidhje të gabuar. Ju do të shkruanit me të zezë e mbi të zezë emrat e tyre, por për mua ai ekspozimi i fotove ishte i pakuptimtë.
Me foto ekspozohen herojnë, kurse fytyrat e diktaturës ju duhet t’i ekspozonit përgjatë kryerjes së krimeve të tyre kundrejt popullit shqiptar, por edhe ndaj njëri- tjetrit.
Megjithatë është për t’u përmendur e vlerësuar konferenca shkencore: “Qasje mbi historinë e Shqipërisë në vitet 1945- 1990” dhe bashkëpunimi juaj me Institutin polak duhet të thellohet.
Ekspozita “Laboratori i kujtesës” është një punë shumë e lavdërueshme e Institutit në përpilimin e Fjalorit Enciklopedik të viktimave të terrorit komunist dhe është vëllimi i dytë.
Botimet e ISKPK janë të gjitha për t’u vlerësuar, por unë kam zgjedhur të përmend “Ligje dhe akte represive gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri ’45- ‘90” me autor Leka Ndoja, librin “Molla e vjetit të ri” me autor z. Filip Guraziu.
Revista studimore “Memorie” është një revistë me nivel të lartë shkencor dhe në veçanti tre vëllime që mua më kanë bërë përshtypje dhe që dëshiroj t’ju falenderoj veçanërisht zoti Hoxha, libri “Dosja formulare, kategoria 2/a, nr. 15/ 94” për të dënuarin Bedri Blloshmi.
Ky libër është jo vetë një biografi mbi vuajtjen në diktaturë të autorit e familjes së tij, shoqëruar me dokument arkivor, por edhe një analizë mbi dënimet në diktaturë, për terrorin që ushtrohej në burgjet e komunizmit.