Vijon situata e tensionuar në veri të Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë filluar të tërhiqen nga Mëhalla e Boshnjakëve, në drejtim të jugut
Sipas REL, diçka të tillë e ka kërkuar një pjesëtar amerikan i KFOR-it. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka thënë se bëhet fjalë për “riorganizim” të pranisë së tyre.
Njerëzit që janë grumbulluar në afërsi të shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut, janë duke brohoritur “tradhti” si dhe e kanë ofenduar presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Raportohet për disa automjete të blinduara në Mëhallën e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut
Automjetet janë parë në rrugën që të çon në drejtim të shkollës së mesme teknike, ku janë mbledhur serbët lokalë.
Haxhiu: Nuk duhet të tolerohen akte kriminale të grupeve kriminale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova nuk duhet të tolerojë akte kriminale të grupeve kriminale.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se “pas angazhimit të madh nga ana e Policisë së Republikës së Kosovës është jetike që institucionet e drejtësisë të jenë në krye të detyrës dhe të ndërmarrin veprime në përputhje me përgjegjësitë e tyre”.
Policia e Kosovës e ka nisur të martën një aksion në veri dhe në të është arrestuar Milun Milenkoviq- Llune.
Sipas autoriteteve të Kosovës, ai është një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’”.
Sveçla: Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it
Tre pjesëtarë Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, teksa ka njoftuar se në këtë aksion është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ministri në Facebook.
Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.
Sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut pasditen e së martës, teksa bëhet e ditur që qytetarët serbë kanë filluar të grumbullohen në qytet.