Dy vëllezër janë arrestuar pasi kanë rrëmbyer për disa minuta një person tjetër, pasi pretendonin se i kishte mashtruar për të shitur një automjet me vlerë 4000 euro.
Në kuadër të operacionit të koduar “Preteksti”, u arrestuan vëllezërit Kristi dhe Enea Dilo, por edhe shtetasit Renaldo Shala e Xhuljano Diko.
Po ashtu është sekuestruar automjeti për shitjen e të cilit dyshohet se ka mashtruar 22-vjeçari.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kishin hequr lirinë për disa minuta, një 22-vjeçari, dhe e kishin dhunuar atë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Preteksti”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u bë e mundur zbardhja e plotë e këtij rasti, si dhe kapja dhe arrestimi i shtetasve përgjegjës, konkretisht i shtetasve:
K. D., 32 vjeç dhe E. D., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë (vëllezër), si dhe i shtetasit R. Sh, 25 vjeç, banues në Durrës
Nga këto veprime dyshohet se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë me forcë në një automjet, shtetasin Xh. D., e kanë dhunuar atë dhe i kanë hequr lirinë për disa minuta, pasi pretendonin se ky shtetas kishte mashtruar shtetasin R. Sh., për t’i shitur një automjet me vlerë 4000 euro, të cilin e kishte marrë me qira, nga shtetasit K. D. dhe E. D.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua edhe shtetasi Xh. D., 22 vjeç, banues në Durrës, si autor i dyshuar i këtij rasti mashtrimi”, thotë policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.