Raportohet se destinacioni i kreut të Kremlinit do jetë Turqia, ku ai do takojë homologun e tij turk, presidentin Rexhep Tajip Erdogan, i cili i ka dërguar ftesën Putinit.
Vizita do të jetë e para e Putinit në një vend anëtar të NATO-s që kur ai dëtrgoi dhjetëra mijëra trupa të pushtonin Ukrainën më 24 shkurt 2022.
“Ka një ftesë nga presidenti i Turqisë. Putin dhe Erdogan ranë dakord që vizita do të bëhet në të ardhmen e afërt, por ne ende nuk kemi folur për data specifike ”, tha këshilltari për politikën e jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov , sipas Interfax.
Erdogan, i cili u rizgjodh muajin e kaluar për një mandat tjetër pesëvjeçar, ka kërkuar që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë të mbajë lidhje të forta me Moskën, por edhe me Kievin.
Turqia ka refuzuar të bashkohet me aleatët e saj perëndimorë në vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, por gjithashtu ka furnizuar me armë Ukrainën dhe ka kërkuar që të respektohet sovraniteti i saj.