Entuziazëm, kënaqësi, por edhe debate të forta me tone kërcënuese. Kishte gjithcka në fushën, në fitoren 2-0 të Shqipërisë, përballë Moldavisë. Vendosën Asani e Bajrami, duke e ngjitur kombëtaren në kuotën e 3 pikëve, pas dy ndeshjeve të para kualifikuese. Nëse autorët e golit, apo edhe të rikthyerit nga dëmtimi kanë shprehur kënaqësinë e rezultatit, mes Hysaj e Uzunit pati një episod tensioni që nuk kaloi pa vëmendje.
HYSAJ E “KËRCËNIMI” NDAJ UZUNIT
“Besoj që me ndeshjen e sotme kemi treguar se kemi një formë të mirë dhe nëse vazhdojmë kështu, do të jetë e vështirë për këdo me të cilët luajmë”. Elseid Hysaj u kthye në rolin e tij natyral në të djathtë e rigjeti një performancë të rëndësishme. Mbrojtësi i Lazios ka vlerësuan mbi të gjitha impaktin që ka patur Sylvinho me grupin kuqezi: “Besoj se herët e kaluara kishte shumë gjëra të vjetra, shumë gjëra që ndodhin në fushë e jashtë. Me trajnerin e ri, na ka dhënë frymë të re. Është entuziast dhe i karikuar për të nxjerrë më të mirën tonë dhe shihet në fushë. Po shohim të rinj që japin në stërvitje 100%, si jashtë, si brenda, si në tribunë”, tha Hysaj, që në fund sqaroi edhe një përplasje me Myrto Uzunin. Beratasi lejoi një mundësi shënimi për moldavët, që për fat u kapën në pozicion jashtë loje: “I thashë ke shpëtuar se ishte pozicion se ndryshe do të kishim punë bashkë”.
BAJRAMI: “I LUMTUR PËR GOLIN E PARË”
“Jemi të gjithë të lumtur që fituam dhe i lumtur për golin e parë. Kemi rrugë të gjatë por besoj që jemi skuadër që japim maksimumin dhe kemi besim”. Nedim Bajrami nuk e fsheh entuziazmin për fitoren e arritur ndaj Moldavisë, markuar edhe me golin e tij. Mesfushori i Sassuolo mbylli llogaritë në minutën e 76′ duke treguar se e gjen veten në skemat e teknikut Sylvinho. “Është ndeshja e dytë. Edhe të parën kemi luajtur mirë por mungoi goli, ndërsa tani bëmë 3 pikë. Kemi një tjetër ndeshje të vështirë me Ishujt Faroe dhe duhet të fitojmë sërish – tha Bajrami, duke shtuar -. Ky është pozicioni i preferuar dhe jam i lumtur për golin. Jap maksimumin kudo që luaj dhe duhet të jemi gati për ndeshjen tjetër. Shpresoj të shënoj sërish për të ndihmuar skuadrën që të fitojë”.
GJIMSHITI: “JAVA PERFEKTE”
“Jam shumë i lumtur për familjen që bashkëshortja dhe vajza janë mirë. Pastaj e kemi merituar këtë fitore por duhej shumë durim sepse nuk kishim hapësira. U përshtatëm mirë dhe e gjetëm golin”. Berat Gjimshiti, u rikthye në kombëtare me fitore. Qendërmbrojtësi bëri ndeshjen perfekte bashkë me Ismajlin, në të parën me teknikun Sylvinho. “Kam kohë që kam munguar prej dëmtimeve dhe është e vështirë. Kam gjetur ekip me shumë vetëbesim, lojtarë të rinj me besim dhe më e rëndësishmja ishte vetëbesimi me top. Teknikisht jemi më të qetë dhe u duk edhe në fushë. Trajneri na jep besim dhe kjo është gjë e mirë – shpjegoi Gjimshiti, që shprehu edhe një dëshirë -. Euro 2016? Shpresoj që këtë herë të kem mundësi edhe unë të shkoj”.
ASANI: “GOLI MË I RËNDËSISHËM I KARRIERËS”
“Të them të drejtën, familja e shokët, që kur mora ftesën më thanë që do shënosh shpejt supergol. Falënderoj tifozët që kanë besuar, jam i lumtur dhe dua të vazhdoj edhe më shumë”. Jasir Asani nuk i ndal emocionet edhe në post-ndeshje. Sulmuesi shënoi golin e parë, që zhbllokoi ndeshjen e fituar 2-0 ndaj Shqipëria përballë Moldavisë. Përqafimi me teknikun brazilian pastaj ka shpjegimin e vetë lojtarit: “Unë mendoj se që ditën e parë që e kam takuar Sylvinho, më ka dhënë mbështetje shumë të madhe. Jo vetëm mua, por edhe të gjithëve. Do vazhdoj edhe me më shumë punë, se nuk kam bërë asgjë, duhet të arrijmë objektivat. E kam treguar se e kam merituar ftesën – pranoi Asani -. Të them të drejtën, çdo shqiptar anembanë botës, çdo futbollist ka dëshirë të luajë për kombëtaren shqiptare. Që në fëmijëri kam pasur dëshirë të madhe që të arrij të luaj për kombëtaren, ia dola dhe jam më i lumturi në botë. Këtë ndeshje nuk do ta harroj kurrë”.