Në një deklaratë për mediat nga selia blu, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar atë që ai e quajti si, ‘inkursion agresiv dhe banditesk i Policisë së Shtetit me urdhër të Edi Ramës në kampin e refugjatëve iranianë në Manzë’.
Berisha u shpreh se kontrollet e ushtruara nga Policia e Shtetit në kampin e muxhahedinëve në Manëz të Durrësit përbëjnë një krim të shëmtuar dhe dhunim flagrant të ligjeve të vendit. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se dënon, sipas tij, terrorin e ushtruar në kampin e muxhahedinëve.
Gjithashtu Berisha i bëri thirrje OKB-së, Kongresit të SHBA, NATO-s dhe organizatave që merren me refugjatët të të hetojnë këtë ngjarje tragjike dhe të dhunshme tek kampi i MEK në Manzë.
FJALA E PLOTË
Inkursioni agresiv dhe banditesk i Policisë së Shtetit me urdhër të Edi Ramës në kampin e refugjatëve iranianë, në Manzë përbën një krim të shëmtuar, përbën një dhunim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit, konventave ndërkombëtare për refugjatët, traditës shqiptare dhe detyrimit që vjen nga kjo traditë.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe, terrorin fizik, psikologjik të gjithanshëm të ushtruar ndaj muxhahedinëve. Dënoj me ashpërsinë më të madhe, dhunën e egër fizike e cila ka pasur pasojë deri më tani 1 të vdekur me plagë të shumta dhe mbi 40 të plagosur, një pjesë e të cilëve janë në spitalet e vendit.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe veprimet dhe i konsideroj banditeske ato, pasi të gjitha objektet e konfiskuara janë marrë pa lënë asnjë dokument, asnjë procesverbal nga ana e Policisë së Tiranës.
Partia Demokratike është një parti e cila dënon terrorizmin ngado që vjen. Nuk përjashtohen mundësitë që brenda muxhahedinëve të ketë dhe të infiltruar, terroristë, të deleguar apo të dërguar të regjimit të Ajatollahve, por PD nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive dhe këtë që ka ndodhur sot, një masakër pothuajse e vërtetë në kampin e Manzës.
Akuzat e formuluara nga prokuroria apo policia, sigurisht kërkonin hetim dhe gjykim, por kjo nuk mund të bëhej kurrë me një reprezalje masive ndaj refugjatëve iranianë me strehë në Shqipëri.
Unë informoj shqiptarët gjithashtu se sulmet kibernetike nga regjimi i Ajetollahëve janë një e vërtetë dhe realitet i pamohueshëm në vlerësimin tim. Por informoj shqiptarët gjithashtu se para këtyre sulmeve, nuk ishte Garda Revolucionare e Ajatollahëve, as zbulimi i tyre që sulmoi sistemet dixhitale shqiptare, por i sulmoi Edi Rama me falangat e tij të krimit, që nxorri në treg të gjitha të dhënat për punonjësit e SHISH, duke nxjerrë kështu në publik, të dhëna sekrete për këtë shërbim, duke dëmtuar jo vetëm interesat e tij, por edhe të shërbimeve sekrete të NATO-s në tërësi.
PD informon shqiptarët se nuk ishin Ajatollahët që nxorën në treg, pagat e shqiptarëve, targat e shqiptarëve, por ishin falangat e krimit të Edi Ramës ta bëjnë këtë, kohë më parë se hakerat e Pasdaranit të ndërhynin në sistemet tona.
Ishte Edi Rama dhe qeveria e tij që lëshoi në duart e patronazhistëve, të dhënat personale të mbi 1 mln shqiptarëve, të depozituar me besim të plotë tek qeveria e tyre armiqësore.
Thyerja e sistemeve dixhitale në Shqipëri, kulmon me thyerjen e TIMS-it, thyerje për të cilën unë informoj shqiptarëve se ka dhe ka pasur si operativ 4 oficerë, 1 shqiptarë dhe 3 oficerë amerikanë që kanë instaluar sistemin. Vetëkuptohet se ata që kanë instaluar sistemin kurrë nuk e kanë shitur atë. Shitja e TIMS-it është bërë nga zyrtarët më të lartë shqiptarë të lidhur me krimin. Edhe sot sistemi është disfunksional.
Shkatërrimi i sistemit u dha mundësi qindra e mijëra delinkuentëve, vrasësve, përdhunuesve, rrëmbyesve, të largohen dhe koncidoi pikërisht me periudhën e fluksit të madh të gomoneve në kanalin e La Manshit.
Ekspertë të shquar, ndër më të shquarit e fushës, deklaruan në mënyrë të përsëritur se hakerimi i sistemeve shqiptare po bëhej edhe nga hakera serbë, por kjo Edi Ramës nuk i interesonte, nuk mund ta thoshte se vëllau i tij, padroni Vuçiç po urdhëron hakerat e tij për të hakeruar sistemet në Shqipëri. Kjo është një ditë e zezë për vendin. 40 muxhahedinë në strehën, votrën shqiptare u sulmuan egërsisht, barbarisht nga njerëz që nuk kanë ligj dhe moral.
Ministri i familjes autori i këtij krimi të shëmtuar direkt, deklaron se kanë shkelur marrëveshjen. Marrëveshjen e ka shkelur qeveria shqiptare. Në dy kushte, kushti i parë ishte heqja e tyre nga lista e terroristëve nga Departamenti i Shtetit dhe DASH e plotësoi këtë kusht. I dyti ishte vendosja e tyre nën mbikëqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Dhe ky ishte një kusht themelor, po pse thoni ju; pikërisht për të mos ndodhur, kjo që ndodhi sot.
Kjo ngjarje e zezë, e turpshme, sulmon njerëz të pambrojtur, civilë. Nuk janë përdorur armë, siç thanë mediat në fillim, por kanë mbetur 40 të plagosur me objekte të forta. Ka vdekur një njeri, i bërë fërtele. Që të gjithë në akte vetëmbrojtje nga sulme banditeske.
Edhe një herë, i bëj thirrje OKB-së, Kongresit të SHBA, i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, institucioneve që merren me refugjatët, të ndërmarrin një hetim urgjent ndërkombëtar për këtë ngjarje tragjike të turpshme, plotësisht të shmangshme. Krejtësisht të pajustifikueshme që turpëron Shqipërinë, që dhunon në mënyrë flagrante konventat ndërkombëtare për refugjatët dhe ligjet e vendit.