Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Lulzim Basha ka ndarë momente nga takimi i zhvilluar në Parlamentin Britanik. Basha shprehet se Partia Demokratike në qeveri dhe opozitë ka bashkëpunuar ngushtësisht dhe do të bashkpunojë edhe në të ardhmen për marrëdhëniet strategjike me aleaten tonë Britaninë e Madhe, për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Reagimi
Nder dhe kënaqësi takimi dhe biseda me lordin David Richards, në Parlamentin Britanik
U ndalëm gjerësisht te situata me emigrantët, tensionet në Kosovë por dhe agresioni Rus në Ukrainë.
Ndamë keqardhjen për situatën e krijuar në Shqipëri që po i detyron të rinjtë të vënë jetën në rrezik për një të ardhme më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar. Gjuha fyese dhe denigruese e përdorur ndaj emigrantëve nuk e ndihmon zgjidhjen e problemit por vetëm ndikon padrejtësisht në stigmatizimin dhe diskriminimin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë me ndershmëri dhe dinjitet në Britaninë e Madhe. Ramë dakord që dy vendet duhet të punojnë bashkarisht duke ndihmuar në lehtësimin e procedurave për punësime të rregullta në Britaninë e Madhe dhe ajo që është më e rëndësishme, për të ofruar mundësi më të mira punësimi dhe jetese në Shqipëri.
Një tjetër çështje në diskutimin tonë ishte dhe Kosova. Marrëveshja me njohjen e ndërsjelltë në qendër është zgjidhja e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe mënyra më e mirë që serbët e Kosovës të jetojnë e punojnë pa u shantazhuar apo përdorur për interesat politike të Beogradit. Kjo mund të arrihet vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë dhe koordinimi të pandarë të Kosovës me partnerët britanikë, amerikanë dhe europianë. Kosova e pavarur është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejtë Serbia ta pranojë këtë realitet do të jetë më mirë për serbët dhe gjithë rajonin.
U ndalëm dhe të agresioni Rus në Ukrainë dhe pasojat që ka shkaktuar ajo. Lordi Richards mirëpriti me interes rezolutën që kam propozuar, e cila është mbështetur gjerësisht nga anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Përmes saj kërkohet konfiskimi i aseteve sovrane të Federatës Ruse në shtetet anëtare të KiE dhe krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara të cilat më pas do të përdoren për rindërtimin e Ukrainës.
E falenderova lordin Richards për kontributin që Britania e Madhe ka dhënë për Shqipërinë në momete të rëndësishme për vendin. Partia Demokratike në qeveri dhe opozitë ka bashkëpunuar ngushtësisht dhe do të bashkpunojmë edhe në të ardhmen për marrëdhëniet strategjike me aleaten tonë Britaninë e Madhe, për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.