Ekipet e kërkim-shpëtimit po përpiqen të gjejnë një nëndetëse turistike që u zhduk me pesë persona në bord, rrugës për në rrënojat e Titanikut. Kontakti me nëndetësen Titan humbi një orë e 45 minuta pasi u zhyt të dielën pasdite, tha Roja Bregdetare e SHBA. Sipas faqes së internetit të kompanisë OceanGate, bëhet fjalë për një nëndetëse 6.7 metra e gjatë dhe me peshë mbi 10 tonë, e cila mund të zhytet në një thellësi prej 4000 metrash. Ka kamera, drita dhe skanerë për të eksploruar mjedisin. Nëndetësja përmban edhe bombola oksigjeni që sigurojnë një furnizim 96-orësh. Megjithatë, numri i orëve varet nga frekuenca e frymëmarrjes së atyre që janë në të, shkruan Guardian. Është shumë herët për të thënë se çfarë ka ndodhur, por ekspertët kanë ofruar disa skenarë më të mundshëm, nga ngatërrimi në rrënojat e Titanikut, tek një ndërprerje e energjisë elektrike apo një problem me sistemin e komunikimit të nëndetëses.
Rrënojat e Titanikut, e cila shtrihet rreth 3,800 metra në ‘dyshemenë’ e oqeanit, është e rrethuar nga mbeturinat nga fatkeqësia që ndodhi më shumë se një shekull më parë. “Pjesë të anijes së fundosur janë kudo. Është e rrezikshme”, tha Frank Owen për Guardian, një oficer i pensionuar i Marinës Mbretërore Australiane. Kontakti u humb një orë e 45 minuta pas nëndetësja Titan u fut nën ujë, duke sugjeruar se ekuipazhi mund të ketë qenë afër ose tashmë në fund, tha Owen, duke shtuar se sa më thellë të zhyten, aq më ngadalë shkon. Në rast se ajo ngatërrohet në mbeturina, ose humb fuqinë apo komunikimet, Titani duhet të pajiset me pesha të lëshimit emergjent, duke krijuar një shtytje të mjaftueshme për ta nxjerrë atë në sipërfaqe. Titani ka gjithashtu pajisje për të sinjalizuar vendndodhjen e tij për ekipet e shpëtimit, por për ta përdorur atë, nëndetësja duhet të dalë në sipërfaqe. Skenari i katërt është se ka një rrjedhje në trup, në të cilin rast prognoza nuk është e mirë, tha Alistair Gregg, profesor i inxhinierisë detare në Universitetin e Londrës.
“Nëse ka shkuar në fund të detit dhe nuk mund të rikthehet me fuqinë e saj, opsionet janë shumë të kufizuara”, tha Greg. Ai shtoi se megjithëse nëndetësja mund të jetë ende e padëmtuar, nëse është në fund, ka pak anije që mund të zhyten kaq thellë, sigurisht jo zhytës. Ekipet e kërkimit “po luftojnë me kohën” për të gjetur nëndetësen e zhdukur që transportonte turistë në një turne në rrënojat e Titanikut. Chris Parry, një admiral në pension i Marinës Mbretërore Britanike, i tha Sky News se shpëtimi në shtratin e detit është “një operacion shumë i vështirë”. “Natyra aktuale e dyshemesë së oqeanit është shumë e valëzuar. Vetë Titaniku shtrihet në llogore. Rreth e rrotull ka shumë mbetje të anijes së fundosur. Prandaj, përpjekja për të kontrolluar zonën me sonar ose një nëndetëse tjetër është një veprim vërtet i vështirë”, tha ai.
“Aeroplanët amerikanë dhe kanadezë dhe anijet e mëdha po kërkojnë zonën, por kërkimi është “i ndërlikuar” sepse ekuipazhet nuk e dinë nëse Titani ka dalë në sipërfaqe, që do të thotë se duhet të kërkojnë si sipërfaqen ashtu edhe thellësitë e oqeanit”, tha kundëradmirali John Moger, komandanti i parë i distriktit të rojës bregdetare të SHBA, i cili mbikëqyr operacionin e kërkim-shpëtimit. David Concannon i OceanGate tha se po punojnë për të sjellë një pajisje nënujore të telekomanduar që mund të arrijë një thellësi prej 6,000 metrash në vend sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, për shkak të rrënojave të Titanikut në fundin e oqeanit, mund të duhet pak kohë për të treguar se çfarë janë mbeturinat dhe çfarë është nëndetësja Titan. Të paktën ekipet e kërkimit e dinë se ku të nisin sepse nëndetësja u gjurmua deri në momentin kur u humb kontakti. “Ka ende mjaft kohë për të kryer një mision shpëtimi, në nëndetëse ka pajisje mbijetese për raste të tilla. Ne të gjithë shpresojmë dhe lutemi që të kthehen gjallë dhe shëndoshë”, tha drejtori ekzekutiv i kompanisë Mark Butler.