Kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale tashmë do të jetë i lejuar edhe në vendin tonë. Në projektligjin e hartuar nga qeveria, detajohet mënyra se si do të funksionojë kjo industri dhe kriteret mbi bazën e të cilave do të jepen licencat për operatorët e interesuar. Kështu, sipas nenit 13 të projektligjit, të depozituar për diskutim në komisionet parlamentare, “Licenca përcakton një ose disa njësi për të cilat subjekti ka plotësuar kriteret.
Nëse subjekti licencohet për më shumë se një njësi, ato duhet të jenë kufitare me njëra-tjetrën dhe, në çdo rast, jo më shumë se 4 njësi, në të njëjtën licencë.” Po në këtë nen specifikohet se “licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose sera.
Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë.” Ndërkohë që sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.
E thënë ndryshe nëse licenca do të merret për njësi të ndara, duke marrë në konsideratë limit minimal dhe maksimal të sipërfaqes së kultivimit prej, në total mund të jepen 20 deri në 40 të tilla. Megjithatë në draftin e konsultimeve të dokumentit, thuhet se nuk ka se specifikime mbi numrin maksimal të licencave që do të jepen, pasi nuk mund të parashikohet numri i personave të interesuar dhe niveli i përmbushjes së kushteve nga ata që ndikon në dhënien ose refuzimin e licencës.
Licenca jepet për një ose disa veprimtari, për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi me kërkesë për secilin nga aktivitetet dhe bazuar në procedurën përzgjedhëse të organizuar nga Agjencia që do të monitorojë gjithë industrinë. Çdo 3 vjet, kushtet e licencës rivlerësohen nga Agjencia, e cila, nëse konstaton mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve, propozon, sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo i kërkon subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor. Elisabeta Dosku/ SCAN