Nga Sidi Hasanaj
Të gjithë i mbajmë mend debatet dhe këmbënguljet e forta të Gazmend Bardhit dhe deputetëve që sot (jo) rastësisht janë pozicionuar kundër zgjedhjeve për Kryetar në PD, për mos daljen me 61 kandidatë për kryetarë bashkie në 14Maji.
Arsyetimi i tyre, (Bardhit e tjerë), ishte ky: “Po dolëm me 61 kandidatë bashkish, vota e demokratëve do ndahet mes nesh dhe Rithemelimit , e si pasojë do bëhemi shkaktarë që demokratët të humbin nga ndarja shumë bashki përballë Edi Ramës”.
Se sa i sinqertë dhe i vërtetë ishte ky arsyetim pak rëndësi ka, por në publik ngjiste shumë sepse kishte bazë “morale politike”. Kryetari i komanduar dhe shumica e kryesisë së PD në atë kohë, (Shkurt-Mars), Enkelejd Alibeaj kishte tjetër arsyetim:
“Duke mos dalë me 61 kandidatë për bashki, do të japim mesazhin e një partie të vogël e të dobët që trembet para Berishës, dhe madje krijon e perceptimin se nuk ka as potencialin për të gjetur as 61 kandidatë. Bashkimi, edhe indirekt me kandidatët e BF, absolutisht do e dekurajojë votuesin e djathtë dhe opozitarë dhe jo vetëm që Rama do të fitojë mbi 55 Bashki por PD do të penalizohet, sepse nuk do marri maksimumin e votave që mund të marrë aktualisht”.
Sot jemi plot 44 ditë pas zgjedhjeve të 14Majit. Alibeaj edhe pse kishte shumicën në atë kohë për vendimmarrje, pranoi me tolerancë maksimale propozimin e pakicës “Bardhi dhe të tjerë”. Kush pati të drejtë, Alibeaj apo Bardhi?
Faktet janë kokëforte dhe të qarta sa më nuk ka!
Alibeaj pati absolutisht të drejtë- Rama jo vetëm që fitoi mbi 50 bashki në mënyrë dërrmuese, PD jo vetëm që nuk maksimizoi votën e saj dhe i la fushë të lirë BF, votuesi i djathtë jo vetëm që refuzoi masivisht daljen në zgjedhje…por sot jemi në një maskaradë ku edhe votat e demokratëve pro Berishës janë konvertuar në këshilltarë bashkiak të majtë për Ilir Metajn!
Pikërisht “spiunin” Ilir Metaj i cili direkt po nxiton të bëj pazar me votat e demokratëve duke i bashkuar në Rubik dhe Kuçovë me këshilltarët bashkiak të PS dhe Edi Ramës… po po me këshilltarët e Edi Ramës! (Sqarim: Rubiku dhe Kuçova janë bashki me shumë pasuri nëntokësore si miniera, naftë e gaz!)
Por çuditërisht sot Bardhi nuk mban asnjë përgjegjësi për vendimin e tij! Madje vetë shpallet si politikanë me vizion të madh largpamës që e parashikoi rezultatin e PD… çfarë hipokrizie therëse dhe irrituese. Mirë që të dëmtojnë, por edhe tallen me ty si demokratë!
Egtakt “ç’më duhet mua, çfarë bëj unë”. Enkelejd Alibeaj jo vetëm që nuk e përdori për revansh këtë zgjedhje të gabuar të Bardhit, por me një dinjitet si pak kush në politikën Shqiptare, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të komanduar duke ja dhënë automatikisht Bardhit këtë post. E çfarë thotë Bardhi e kompani për Alibeajn sot që në një mënyrë i shpërbleu për gabimin e tyre në gjykim … ose qëllim?!- “I persekutuari është kthyer në persekutor”.
Po u persekutoi Alibeaj se ju delegoi më shumë pushtet pas 14Majit; se zgjodhi dinjitetin përpara papërgjegjshmërisë! Dhe përsëri (jo)rastësisht të njëjtët persona që bënë gabimin trashanik politikë të mos daljes me 61kandidatë bashkishë janë zërat që me një gjuhë latante, të kamufluar mirë me qëllime sublime për PD dhe me dashuri për nenet dhe rregulloren e partisë, po helmojnë opinionin publik kundër Lulzim Bashës.
Shumë “rastësi” në PD kohët e fundit!