BallinaOP EDPresidenca Spanjolle e BE si Presidencë e vazhdimësisë

Presidenca Spanjolle e BE si Presidencë e vazhdimësisë

NGA ARDIT GJINALI 

Mbretëria e Spanjës do të drejtojë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, përkatësisht në periudhën politike 1 korrik 2023 deri më 1 janar 2024, e njëjta është Presidenca e parafundit përpara zhvillimit të procesit zgjedhor që zgjedh Deputetët e Parlamentit Europian, zgjedhje të një rëndësie të veçantë politike që do të përcaktojnë boshtin politik të Bashkimit Europian në kontekstin e sfidave të vazhdueshme gjeopolitike, konflikti në Ukrainë apo dhe rreziku në rritje i flukseve të ndryshme populiste në jetën politike të vendeve të ndryshme të Unionit.

Dinamika në skenën politike të brendshme të Spanjës është e trazuar dhe zgjedhjet e fundit të pjesshme vendore janë dëshmi e këtij fakti;- rezultati përfundimtar zgjedhor ishte një humbje për qeverinë e qendrës së Majtë përkatësisht Socialistët dhe aleatët e tyre të quajtur si lëvizja “Bashkë Mundemi”.

Kryeministri socialist SANCHEZ mori vendimin politik të dërgimit të vendit në zgjedhje të parakohshme, të tillat që do mbahen më 23 korrik 2023, pikërisht në muajin e parë të Presidencës gjashtëmujore të Bashkimit Europian, zgjedhjet e rregullta do të mbaheshin më dhjetor 2023; – mundësia e një rezultati zgjedhor të ngushtë ekziston, i tilli është parathënia e vështirësisë së krijimit të një qeverie politikisht stabile në nivelin politik të brendshëm dhe në atë të jashtëm, gjithashtu.

Politika e Jashtme e Mbretërisë së Spanjës nuk do të ketë një ndryshim thelbësor pavarësisht përbërjes politike të shumicës politike qeverisëse ku i tilli bosht politik i Politikës së Jashtme shënjohet nga vullneti pro-Europian i dy partive më të mëdha politike përkatësisht Partia Popullore e Qendrës së Djathtë dhe Partia Socialiste e Qendrës së Majtë;- vlen të theksohet që sistemi politik dy partiak Spanjoll është tronditur nga shfaqja e aktorëve të rinj politikë përkatësisht lëvizja me përkatësi të Majtë “Bashkë Mundemi” , Lëvizja me përkatësi të Djathtë “Vox” apo Lëvizja e përkatësisë politike të qendrës ”Qytetarët”.

Presidenca Spanjolle e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023 do të fillojë rrugëtimin mes paqartësisë politike në politikën kombëtare dhe do ta vijojë rrugëtimin në pritshmëritë e dinamikave të reja në nivel EuroAtlantik, ku zhvillimet ushtarake dhe jo vetëm të tillat në aksin politik kundërshtar Kiev-Moskë përbëjnë pritshmërinë kryesore të ecurisë së Presidencës.

Qëllimet dhe objektivat politikë të Presidencës Spanjolle të Bashkimit Europian janë përgjithësisht në koherencë me shtyllat kryesore mbi të cilat Unioni funksionon në secilin dimension duke mos anashkaluar çështje apo qëndrime thelbësore në politikën e Jashtme kombëtare të vendit, të tillat që nuk njohin avancim apo Presidenca mund të mbajë një qëndrim në kushtet e veprimit të munguar politik për të mos shkaktuar një kundërshti me të quajturën “politikën e madhe “ të Unionit në tërësi.

Përtej të panjohurës së nesërme politike në nivel të politikës së brendshme kombëtare, kryeministri i Mbretërisë Parlamentare së Spanjës SANCHEZ parashtroi qëllime dhe objektiva për tu përmbushur dhe për tu përballur në të nesërmen politike gjatë Presidencës përkatësisht si vijon ; – energjia, kriza fiskale, emigracioni, mbështetja e Zgjerimit të Unionit me vendet e Ballkanit ku spikat pozicioni politik i Malit të Zi, inkurajimi i proceseve të konsensusit politik kombëtar në Maqedoninë e Veriut mbi miratimin e ndryshimeve Kushtetuese, rikthimi i vëmendjes dhe mbi marrëdhëniet strategjiko- politike të Unionit me vendet e Amerikës Latine apo dhe me aktorë politikë në kontinentin Afrikan, dy elementët e përmendur më lartë reflektojnë strategjinë e vazhdueshme të politikës së Jashtme së Monarkisë Parlamentare Spanjolle përtej Unionit që burojnë dhe nga të tilla lidhje historike, ekonomike dhe politike, gjithashtu.

Konflikti në Ukrainë mbetet “një prioritet i prioriteteve” ku Presidenca Spanjolle do të jetë në koherencë me vendimin politik të Unionit , përkatësisht në një përgjigje të qartë ndaj agresionit Rus.

Risia politike e Presidencës Spanjolle të Bashkimit Europian do të jetë trajtimi dhe rikthimi në vëmendje politike për një zgjidhje i “mosmarrëveshjeve dhe ngërçit shumëvjeçar mbi çështjen e Qipros që daton prej 1974” ku Spanja garanton politikisht që të realizojë rolin e ndërmjetësit politik dhe diplomatik duke pasur në konsideratë marrëdhënien pozitive dypalëshe Spanjë-Turqi, gjithashtu.

Ky qëllim, politikisht i lartë dhe tejet ambicioz u deklarua nga Kryeministri Spanjoll SANCHEZ gjatë vizitës zyrtare të zhvilluar në Qipro në muajin Prill të këtij viti, një synim i deklaruar i Madridit zyrtar për të rritur staturën diplomatike në Mesdheun politik dhe duke shndërruar të njëjtin në një fuqi ndikuese dhe orientuese në perspektivën e nesërme gjeopolitike.

Përtej qëllimeve strategjike, synimeve politike afatgjata, veprimit diplomatik pro-aktiv pozitiv në koherencë me politikën kombëtare, mbetet të theksohet që Presidenca Spanjolle e Bashkimit Europian nuk pritet të përcjellë ndonjë mesazh politik të qenësishëm, pozitivisht të ndryshëm ndaj Republikës më të re në Rajonin e Ballkanit, përkatësisht asaj të Kosovës.

Pozicioni politik i Monarkisë Parlamentare të Spanjës ndaj Republikës së Kosovës është i njohur dhe Presidenca Spanjolle e Bashkimit Europian do të ketë qëndrime institucionalisht korrekte dhe standarde, por nuk ka pritshmëri pozitive mbi ndonjë qëndrim mbi aplikimin e dorëzuar nga Republika e Kosovës në Bashkimin Europian apo ndryshim të pozicionit të Spanjës ndaj kufizimit të lëvizjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt këtij vendi.

E panjohura politike e së nesërmes në politikën e brendshme të vendit është një sfidë jo e parashikuar në një periudhë politike ku sfidat më shumë se të tillat gjeopolitike në kontekstin ndërkombëtar, kanë shënjuar ecurinë e secilës Presidencë të Unionit përkatësisht nga periudha Janar 2022 dhe në vijim. Presidenca Spanjolle e Bashkimit Europian do të jetë një presidencë e vazhdimësisë në koherencë me zhvillimet gjeopolitike, por mbetet thelbësore që e njëjta të mos shënjohet nga paqëndrueshmëri të mundshme në politikën e brendshme që mund të pengonin krijimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme, mbetet besimi që “shpirti politik Europian” i qytetarit dhe përfaqësisë politike të prevalojë mbi secilën të panjohur politike që do të përcillte të tillën paqëndrueshmëri politike, gjithashtu.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular