Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të kësaj të enjteje, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka lëshuar një akuzë të rëndë ndaj kryeprokurorit Çela. Ai deklaroj se Prokurori i Përgjithshëm ka marrë bekimin e mazhorancës, vetëm pasi provoi se është besnik i familjes kryeministrore dhe hodhi në erë një dosje të tërë.
Bardhi ka përmendur procedimin me nr. 335/1, duke shpallur të paidentifikuar atë që e identifikon lehtësisht çdo qytetarë në rrugë, por që për Prokurorin e Përgjithshëm, asokohe prokuror i çështjes, mbetet edhe sot e kësaj dite si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”, apo “përdorues i automjetit me targa AA653DM”. Cilës çështje i referohet Gazment Bardhi dhe cili është personi i paidentifikuar rreth 45 vjeç, mbetet për tu sqaruar.
Fjala e plote e Kryetarit te Grupit Parlamentar te PD:
Drejtësia e re e të paprekshmëve të vjetër nuk rregullohet as me rezoluta, as me rekomandime e as me këshilla në këtë sallë. Kështu e kam mbyllur fjalën time ekzaktësisht një vit më parë, ku njëlloj si sot miratonim rezolutat për institucionet e drejtësisë. Ka kaluar një vit dhe për fat të keq asgjë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të bëjmë sikur rekomandojmë, ndërkohë që institucionet e drejtësisë vazhdojnë të bëjnë sikur punojnë. Kjo është tashmë një histori e njohur prej 32 vitesh – ashtu sic i njohur është edhe fakti që në Shqipëri ka një kategori individësh, që për shkak të statusit, pozicionit apo pasurisë, kanë statusin të paprekshëm.
Ishte kjo drejtësia që ne donim të shëmbnim kur miratuam Reformën në Drejtësi me 140 vota në vitin 2016. Kërkuam të shëmbnim drejtësinë e mikut dhe shokut, drejtësinë e ndërhyrjeve politike, drejtësinë që ulte kokën përpara të paprekshmëve. Sot pas 8 viteve me keqardhje të thellë mund të themi që ende nuk ja kemi dalë.
Ne vazhdojmë të kemi drejtësinë e mikut dhe shokut, vazhdojmë të kemi drejtësinë që pranon ndërhyrjet politike, vazhdojmë të kemi drejtësinë që ende nuk ka gjetur kurajon të ngre kokën përpara cilido.
Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të mbuluar lirimin e paligjshëm të Saimir Tahirit, shpall në media pa ndodhur ende arrestimin e Vangjush Dakos. Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar Arben Ahmetajn, pret sinjale publike nëpër studio nga Kryeministri Edi Rama. Nëse ai jep sinjale se e ka lëshuar, prokurorët marrin kurajon jo vetëm ta hetojnë, por mundësisht edhe ta denigrojnë.
Në vazhdojmë për fat të keq të kemi drejtësinë që për të hetuar e arrestuar një politikan të lart me pasuri e para të gjetura tashmë prej kohësh jashtë vendit, po pret sinjale se kur arrestimi i tij do i shërbejë Kryeministrit për të mbuluar ndonjë skandal qeveritar. Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë i lejon vetes të shndërrojë në familje një prokurori të tërë dhe brenda një viti të emërojë aty jo dy, por plot 4 persona brenda një familje. Asnjë reagim për këtë, i vetmi shqetësim i KLP është pse drejtuesi i saj do i nënshtrohet vettingut.
Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nën këmbët e Kryeministrit, pret ti shkojë në sallë Ambasadorja Amerikane që të mos emërojë drejtues të SPAK një të preferuar të Edi Ramës, por dikë tjetër që ishte i vetmi që nuk pranoi ti shkojë si vartës Kryeministrit në zyre, kur ky i fundit tentoi të hapte konkursin kryeministror për të përzgjedhur ai vetë drejtuesin e SPAK.
Ne vazhdojmë për fat të keq të kemi një drejtësi ku Prokurori i Përgjithshëm merr bekimin e mazhorancës në këtë sallë, vetëm pasi provon se është besnik i familjes kryeministrore dhe hedh në erë një dosje të tërë, duke vecuar procedimin me nr. 335/1 dhe duke shpallur të paidentifikuar atë që e identifikon lehtësisht cdo qytetarë në rrugë, por që për Prokurorin e Përgjithshëm, asokohe prokuror i cështjes, mbetet edhe sot e kësaj dite si “personi i moshës 45 vjec me flokë të shkurta”, apo “përdorues i automjetit me targa AA653DM”.
Ne vazhdojmë për të fat të keq të kemi një drejtësi ku Gjykata Kushtetutese, pasi merr në punë në të njëjtin pozicion drejtoren e kabintetit të Elisës, ka një standart për bordin e ushqimeve dhe një standart për bordin e karburanteve, edhe pse janë identike, me dallimin e vetëm që për të dytin Kryeministri ka interes të drejtpërdrejtë.
Sa kohë ju në këtë sallë i mbushët institucionet e reja të drejtësisë me miqtë e shokë tuaj, dhe ato vazhdojnë edhe në detyrë të sillen si miqtë dhe shokët tuaj, qytetarët do presin kot drejtësi. Ajo do jetë drejtësia juaj, por jo drejtësia që prisnin qytetarët. Ajo do jetë drejtësia e Kryeministrit, por jo drejtësia e qytetarit të zakonshëm. Ne do vazhdojmë me rekomandime, ato do vazhdojnë me qoka e ndere. Gjatë këtyre ditëve ne jemi duke punuar disa ndryshime në ligjet e reformës në drejtësi. Opozita është përfshirë në atë proces që në nisje, me bindjen e plotë që Reforma në Drejtësi duhet të ecë përpara, duke u përpjekur të shpëtohet aq sa mund të shpëtohet. Edhe në atë proces, unë dhe kolegët e mi jemi dëshmitar sesi institucionet e reja të drejtësisë më shumë kishin merakun sesi të rrisnin kompetencat e tyre, dhe jo sesi ti shërbenin më mirë qytetarëve.
Dua të jem fare i qartë; opozita mbështet dhe do të mbështesë cdo ndryshim që rrit eficencën dhe efikasitetin e sisitemit të drejtësisë. Por ne nuk do të mbështesim asnjë rol të shtuar të Prokurorit të Përgjithshëm; asnjë lehtësim të rregullave të hyrjes në sistemin e drejtësisë; asnjë favorizim apo lehtësim për anëtarët e KLP/KLGJ apo institucioneve të reja, që kërkojnë privilegje të shtuara për vehten. Reforma në Drejtësi ishte dhe mbetet kërkesë e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që mendonin dhe besonin se kjo reformë do i jepte fund pandëshkueshmërisë, do të siguronte barazinë para ligjit, dhe do i hiqte përfundimisht statusin “të paprekshëm” një grushti njerëzish që kontrollojnë qeverisjes dhe ekonominë e vendit. Për të arritur këtë qëllim, vota jonë do të jetë gjithmonë pro. Por vetëm për këtë.
Qytetarët duhet të fillojnë të marrin mbrapsht besimin që investuan tek Reforma në Drejtësi, duhet të shohin që ato që deri dje gëzonin statusin “të paprekshëm” të ndjejnë frikën e asaj që quhet drejtësia e re. Koha është tani, sepse nesër është shumë vonë.