Një aksident me tre të plagosur është shënuar mbrëmjen e së hënës në aksin rrugor Korçë- Ersekë. Ngjarja ka ndodhur vetëm pak metra larg kryqëzimit të fshatit Kamenicë. Një 52-vjeçare me iniciale H.K nga fshati Starje i Ersekës ka qenë duke udhëtuar me mjetin Jeep nga Korça në drejtim të Ersekës.
Në afërsi të fshatit Kamenicë sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor 52-vjeçarja ka humbur kontrollin e mjetit duke u përplasur fillimisht me sinjalistikën në krahun e kundërt të rrugës dhe më pas me barrierat mbrojtëse të aksit nacional.
Goditja gjithnjë sipas ekspertëve ka qenë e fortë duke shkaktuar dëme të mëdha të mjetit në pjesën e përparme të tij. Për fatin e mirë nga goditja ka përfunduar e lënduar lehtë drejtuesja e mjetit tip Jeep ndërkohë që nipi dhe mbesa në moshë të mitur ndodhen në spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve.
Burime që vijnë nga spitali i Korçës thanë se gjendja e dy të miturve nuk paraqet probleme për shëndetin. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për shkaqet e këtij aksidenti që për fatin e mirë nuk ka pasur pasoja.