16 të rinj u ngjitën me radhë në podiumin para Kryeministrisë, aty ku pasditen e kësaj të hëne u mbajt një ceremoni e veçantë në nder të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, në vizitën e tij historike në vendin tonë. Por cila ishte e veçanta e tyre? 13 prej tyre mbanin emrin Clinton, 2 Hillary, si bashkëshortja e ish-presidentit, ndërsa një tjetër mbante emrin BillClinton.
Teksa i prezantoi, Kryeministri Edi Rama tha se ata “janë ftuar këtu personalisht, për një arsye, që sapo ata t’ju prezantohen ju do ta merrni vesh”. E para që u ngjit në podium ishte një vajzë e ardhur nga Finlanda, e cila quhej Klintoniana.
Vetë ish-presidenti tha se ishte pa fjalë: “Mendoj që po të kisha një gjykim shumë të shëndoshë nuk do të thoja asgjë. Jam i mallëngjyer ”. Më pas, gjatë fjalës së tij ai tha se “do dëshiroja që e gjithë bota, të shihte një video të shkurtër të të gjithë këtyre fëmijëve. Është diçka që e marrin për të mirëqenë, duket diçka normale për ju, ka shumë vende në botë ku kjo do të ishte e çuditshme”.
Më tej Clinton shtoi: “Për mua kjo nuk është një ditë kur kryeministri dhe populli i dhanë një njeriu që nuk është më i ri e nuk ka më pushtet politik një lëvdatë për atë çka shumë kohë më parë bëri në mënyrë të drejtë për ju. Kjo është dita kur rikonfirmohet koncepti se njerëzit që bëhen bashkë përtej ndasive të tyre marrin vendime më të mira”.