Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka komentuar vizitën e ish-Presidentit amerikan Bill Clinton në Shqipëri si edhe tensionet në veriun e Kosovës.
Ngjela u shpreh se vizita e Clinton në Shqipëri ishte një sukses i botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, ndërsa e cilësoi ish-kreun e SHBA-ve si hero të shqiptarëve.
Ai deklaroi më tej se duke ndihmuar në pavarësinë e Kosovës, Clinton ka rrezikuar nisjen e një Lufte Botërore me Rusinë asokohe.
Po ashtu ai zbuloi një episod të veçantë të Clinton gjatë luftës së Kosovës, duke thënë se ky i fundit kishte qëndruar 3 ditë pa fjetur për shkak të situatës
Sa i përket situatës konkrete në veriun e Kosovës, ai u shpreh se problemet për komunat nisën së fundmi prej kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk pranoi kërkesën e SHBA-së për vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në godina të tjera.
“Vizita e Clinton është sukses i madh i botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Ai është hero i shqiptarëve duke bërë një akt që i çori maskën Serbisë. Clinton ishte në kulmin e vetë si President asokohe. Kam pyetur Albright-in, dhe më tha se Clinton nuk ka fjetur 3 ditë prej ngjarjeve. Blair dhe Albright nuk iu ndanë, i kishin dhënë kurajo. Nuk ishte e lehtë ajo, mund të shpërthente Lufta Botërore. Presidenti rus Yeltsin e ka takuar Clintonin, ndërsa ai kishte skemën në kokë për Kosovën.
U bë një gabim me komunat, e pranon dhe ekspertiza amerikane. Rastësisht e mori Franca veriun, ajo e bëri atë gjullurdi. Franca ka qenë kundër nesh së bashku me Rusinë. Veriun e mori Franca kur shkuan forcat atje. E kanë marrë rastësisht nga një proces. Veriu është një zonë me vlerë të madhe ekonomike në Kosovë. 60% e GDP-së së bashkuar Kosovë Shqipëri është në minierat e Trepçës.
Serbët kanë ikur vetë nga votimet në veri. Abstenimet llogariten pro-minorancës. Çfarë ka ndodhur tani? 4 kryetarët e komunave janë shqiptarë atje dhe ata nuk pranonin të ishin në zyra. SHBA i pranoi zgjedhjet, por kërkoi zbutje duke u thënë të mos marrin institucionet. Kurti nuk pranoi dhe këtu është konflikti. Gjithë problemin e ka bërë Kurti. Kurti ka hyrë në një ndërmarrje të rrezikshme, ose i merr të katërta komunat, ose goditet ai”, u shpreh ai.