Ndërsa ekonomia shfaqi shenja të ndjeshme ngadalësimi në tre muajt e parë të vitit dhe tendenca e popullsisë po vjen drejt tkurrjes, tregu i pasurive të paluajtshme vijon të lulëzojë.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT bëjnë të ditur se prodhimi i brendshëm bruto me çmime korente në aktivitetin e pasurive të paluajtshme, që mat vlerën e transaksioneve ekonomike në këtë sektor, arriti në 32.3 miliardë lekë, ose gati 300 milionë euro në tre muajt e parë të vitit.
Ky është niveli më i lartë i transaksioneve të tregut të pasurive të paluajtshme i regjistruar ndonjëherë, që kur INSTAT raporton të dhënat.
Aktivitetet e pasurive të paluajtshme ishin sektori që kishin ndikimin më të lartë në rritjen e ekonomisë në tremujorin e parë. Kjo e fundit u zgjerua me 2.72% për janar-mars, niveli më i ulët që nga periudha e pandemisë, teksa “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” kontribuuan me +0,62 pikë përqindje. Së bashku me ndërtimin, prej 0.42 pikë përqindje, të dy sektorët kontribuuan në 38% të rritjes totale të ekonomisë.
Që nga tremujori i parë i vitit 2021 tregu është rritur me ritme shumë më të shpejta në krahasim me periudhat e mëparshme, siç tregohet në grafikun: Aktivitete të pasurive të paluajtshme, PBB me çmime korente, të përshtatura sezonalisht.
Rekordin e mban kryeqyteti, në linjë dhe me shtimin e shpejtë të lejeve të ndërtimit. Sipas Statistikave të INSTAT, në vitin 2022 u dhanë gjithsej nga Bashkia e Tiranës leje ndërtimi me sipërfaqe prej rreth 1.81 milionë metra katror, rreth 70% e totalit të dhënë në gjithë vendin.
Në krahasim me një vit më parë, ky tregues u rrit me rreth 10%, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 2005, kur INSTAT i raporton të dhënat ë detajuara sipas qarqeve. Në tremujorin e parë të këtij viti, sipërfaqja e lejeve u reduktua ndjeshëm.
Në kontrast me rritjen e shpejtë të ndërtimeve, popullsia në Tiranë nuk po shtohet më me ritme aq të shpejta.
Nga viti 2012 deri në 2018-n, të dhënat e INSTAT tregojnë se popullsia e Tiranës shtohej mesatarisht me 20 mijë persona në vit. Por, që nga viti 2019, shtesa e popullsisë në Tiranë është zvogëluar ndjeshëm, teksa dhe kryeqyteti nuk i ka shpëtuar tendencës së emigracionit dhe plakjes graduale të popullsisë.
Në 2019-2020, kryeqyteti kishte 11 mijë banorë më shumë, shifër që u përgjysmua në vitet në vijim. Në 2022, , popullsia në kryeqytet u shtua me vetëm 5.75 mijë persona, që është shtesa më e ulët historike, të paktën që nga viti 2011, kur INSTAT raporton të dhënat.
INSTAT raportoi se popullsia e Shqipërisë në vitin 2022 ka shënuar rënien më të lartë në tre vjet, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 1.1%, ose 31.8 mijë persona më pak.
Gjithsesi, rënia e popullsisë së vendit është kompensuar disi nga interesi i të huajve për të blerë, por që është më i lartë në zonat bregdetare të vendit.
Shitjet u rritën, por investimet e huaja në pasuri të paluajtshme ranë në T I
Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme u rritën ndjeshëm vitin e fundit, ndonëse u ngadalësuan në treujorin e parë. Statistikat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se Investimet e Huaja Direkte (IHD) në pasuri të paluajtshme ishin 49 milionë euro, ose 25% më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Ky është dhe fluksi më i ulët tremujor që prej fillimit të vitit 2021, teksa një pjesë e madhe e blerjeve në tregun e pasurive të paluajtshme në tremujorin e parë nuk rezulton që ka ardhur nga të huajt.