BallinaIntervistaDavid Smiley, oficeri legjendar britanik që donte të përmbyste komunizmin/Flet i biri:...

David Smiley, oficeri legjendar britanik që donte të përmbyste komunizmin/Flet i biri: Enver Hoxha kishte prioritet të luftonte ballistët jo nazistët

spot_img
spot_img

Në vitin 1940, Winston Churchill themeloi Drejtorinë e Operacionet Speciale për t’i “vënë flakën Evropës” siç thoshte vetë ai. Njësia sekrete kishte misionin të ndërmerrte akte sabotimi dhe subversioni në Europën e pushtuar nga forcat fashiste përfshirë Shqipërinë. Një ndër 113 ushtarakët e parë britanikë i cili kreu dy misione në vendin tonë ishte kolonel David Smiley. Emri i oficerit legjendar britanik që donte përmbyste komunizmin, është një emër që nuk mungon në historinë e vendit

Në fillim të misionit koloneli bashkëpunoi ngushtë me partizanët e Enver Hoxhës por edhe më Ballin Kombëtar dhe zogistët, por në fund fjalët i erdhën në vesh se Hoxha donte ta vriste nëse shkelte më në zonën e tij. Vite më vonë, Smily u angazhua në stërvitjen dhe infiltrimin e diversantëve shqiptarë për të rrëzuar regjimin komunist të Hoxhës por u tradhtua nga agjenti Kim Filbi e jo vetëm. Në një intervistë për gazetaren Aurora Golemi, i biri 74 vjeçar Xan Smiley, rrëfen me detaje lidhjen e veçantë të babait me shqiptarët e Shqipërinë si dhe pengun e madh që  mbajti në zemër deri në fund të jetës. Ju ftojmë të ndiqni intervistën e redaktorit të prestigjiozes “The Economist” ekskluzivisht dhënë për News24 dhe “BalkanWeb”.

-Zoti, Smiley, faleminderit që pranuat ftesën për të folur për ne, është kënaqësi t’ju kem në këtë intervistë
Kënaqësia është e imja! Ju falënderoj!

 

 

– A u treguar ndonjëherë ndonjë histori babai juaj, kolonel David Smily, për kohën kur shërbeu në Shqipëri gjatë misionit “Consensus”?
Po më ka treguar, ai ka shkruar një libër kujtimesh që është përkthyer dy herë edhe në gjuhen shqipe. Ashtu siç ju e dini, babai mbërriti në Shqipëri në prill të vitit 1943 kur ishte vetëm 27 vjeç. Zbriti me parashutë në Greqi, pranë kufirit në jug të Shqipërisë. Më pas ai përshkoi gjithë Shqipërinë duke ndihmuar partizanët pra komunistët, anëtarët e Ballit Kombëtar si dhe mbështetësit e mbretit Zog. Ideja sipas këndvështrimit të britanikëve ishte që t’i ndihmonte ata me armatime si dhe me këshilla për të luftuar italianët e më pas gjermanët. Por ajo që babai vuri re ishte se të tria palët, partizanët, ballistët dhe zogistët ishin më të prirur të luftonin me njëri-tjetrin sesa të luftonin me gjermanët.

– Çfarë e inspiroi babanë tuaj për t’iu bashkuar forcave speciale dhe inteligjencës britanike?
Ishte ndjenja e pastër aventureske. Kur ishte vetëm 26 vjeç ai kishte luftuar në Irak dhe në Palestinë dhe në atë territor ku sot është Libia. Por shpesh ai mërzitej me të qenit këmbësor i thjeshtë, kështu që një ditë ai takoi një mik, i cili kishte një punë, pra një projekt me aventuresk që përfshinte hedhjen me parashutë në Ballkan. Sigurisht kjo ishte shumë e rrezikshme, por për një djalë të ri ishte emocionuese. Unë mendoj se ai donte të sfidonte veten, kështu që u regjistrua për të kryer një detyre të vështirë.

– Si ishte të rriteshe me një baba që ishte një oficer i njohur i forcave speciale dhe inteligjencës britanike, dhe si ndikuan përvojat e tij në jetën dhe karrierën tuaj?
Ashtu sikurse shumë të rinj edhe unë debatoja shumë me tim atë. Por kur isha tek të 20-at, sikur i rregulluam marrëdhëniet. Por siç mund ta përfytyroni ishte burrë shumë i drejtpërdrejtë dhe i ndershëm. Nuk është se ishte i interesuar për idetë për letërsinë dhe nuk i jepej për të shkruar. Nëna ime ishte me shumë le të themi, intelektuale, ndaj ndoshta e kisha shumë më të thjeshtë raportin me të. Por, babai ishte shumë argëtues por edhe një njeri me këmbë në tokë.

I pëlqente ushqimi si dhe gjërat e mira që të ofron jeta. Nëna ime ishte më shumë, le të themi, më intelektuale, ndaj ndoshta e kisha më të lehtë marrëdhënien me të. Por babai im ishte shumë argëtues, por ai ishte shumë me këmbë në tokë. I pëlqente ushqimi dhe i pëlqenin gjërat e mira të jetës. Por ai ishte një njeri shumë i drejtë dhe i ndershëm.

-A mund të përshkruani përfshirjen e babait tuaj në rezistencën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe çfarë ndikimin që pati?

Për të qenë i sinqertë, në fund të dy misioneve të tij, pasi ai erdhi në Shqipëri dy herë në prill të vitit ‘43 dhe më pas përsëri në prill të vitit ‘44. Kur u largua nga Shqipëria me anije përmes Adriatikut për në Itali, mendoj se ishte shumë i zhgënjyer, sepse ishte e qartë se pasi italianët ishin larguar pra ata kapitulluan dhe më pas gjermanët kishin filluar tërheqjen. Babai po përpiqej të ndihmonte shqiptarët vendas të luftonin pushtuesit gjermanë, por ajo që ishte shumë dukshme ishte se shqiptarët, të tria palët, ishin shumë më të interesuar të luftonin njëri-tjetrin, kështu që im atë ishte i zhgënjyer. Ai u zhgënjye, veçanërisht kur iu bë fare e qartë se komunistët ishin më efikas për të luftuar dy grupet e tjera, ballistët dhe zogistët. Iu qartësua, teksa po largohej, se komunistët do të mposhtnin dy grupimet e tjera. Unë mendoj se ai ishte i zhgënjyer nga ajo situatë. Por duhet thënë se britanikët nuk ishin aq të interesuar se kush do të fitonte në Shqipëri. Anglezët donin që të vriteshin nazistët. Nuk është se ishin aq të interesuar se kush do ta merrte pushtetin nëse nazistët të mposhteshin.  Babai preferonte më shumë të punonte me Ballin Kombëtar dhe me zogistët.

-Me Drejtorinë e Operacioneve Speciale, babai juaj hyri në vendin tonë për herë të parë më 17 prill 1943. Detyra e tij ishte të organizonte partizanët për të luftuar nazistët. Edhe Enver Hoxha bashkëpunoi me të apo jo?
Po bashkëpunoi!

-Referuar babit tuaj, si ishte sjellja Enver Hoxhës para se të bëhej udhëheqës i Shqipërisë? Kur ata u takuan fillimisht, në një nga kujtimet e tij kolonel Smily shkruante se nuk e pëlqeu fare.
Unë di që babait i pëlqeu Hoxha në fillim. Ata kishin marrëdhënie të mirë kur u takuan në fillim. Mendoj se kishin raporte të mira por pasi gjërat avancuan dhe kur im atë pa që komunistët ishin më të interesuar të luftonin me ballistët dhe zogistët, atëherë ai filloi mos ta pëlqente më Enver Hoxhën. Im atë nuk ishte fare i interesuar për marksizëm-leninizmin. I dukej gjë shumë e mërzitshme. E me kalimin e kohës, Hoxha u bë më armiqësor. Im atë mendonte se Mehmet Shehu ishte burrë mizor, mendonte se ishte i pashpirt, i ndyrë, ai i trajtonte ushtarët e burgosur italianë shumë keq.

-Babai yt shkruante se e urrente Mehmet Shehun! Cila ishte arsyeja?
E urrente ngaqë mendonte se ishte burrë mizor.

– Kur babai juaj hodhi një urë në erë gjatë shërbimit në Shqipëri, Enver Hoxha u zemërua dhe pretendoi se nuk kishte dhënë urdhër. Çfarë ndodhi?
Pyetje interesante, siç e thashë më parë, qëllimi që kishte im atë ishte tua vështirësonte jetën gjermanëve, hedhja në erë e një ure të madhe që ndodhej mes Tiranës dhe Durrësit dukej ide e mirë. Por Enver Hoxha kishte gjithmonë axhendën e tij personale, e kjo axhendë nuk ishte e njëjtë me axhendën e babit tim. Siç thashë, axhenda e tij prioritare ishte të mposhte shqiptarët e tjerë, gjë që ishte më e rëndësishme për të sesa të hiqte qafe gjermanët.

– Babai yt mendonte se njerëzit e Enver Hoxhës donin ta vrisnin pasi e dinin se ishte antikomunist. Ai kishte frikë nga partizanët, por nga ana tjetër edhe nga nazistët. A ishte jeta e tij në rrezik?
Do të më duhej ta rilexoja përsëri librin e tij për të folur më me detaje , por mendoj se kur babai im dhe grupi i tij po bëheshin gati t’i drejtoheshin detit për të udhëtuar drejt Italisë pasi misioni i tyre kishte përfunduar, i erdhi fjala se Enver Hoxha kishte thënë se babai nuk ishte më i mirëpritur të kalonte  në zonën e tij, pra në atë zonë që kontrollonin partizanët, dhe se nëse do të kalonte në këtë territor, do të konsiderohej si i padëshiruar dhe madje mund të pushkatohej. Mendoj se historianet nuk bien dakord për rrethanat e kësaj ngjarjeje.

-A ju ka rrëfyer ndonjëherë babi juaj se jeta e tij ishte në rrezik?
Jo në veçanti, por natyrisht kur ai hodhi në erë një urë me ushtarë gjermanë në të, atëherë mund të themi se ishte një veprim mjaft i rrezikshëm.

-Në një pikë Shtabi i Përgjithshëm anglez vendosi të tërhiqte ndihmën ndaj Abaz Kupit dhe t’ia kalonte të gjitha ndihmat Enver Hoxhës, babi juaj mendonte vite me vonë se ndihma e dhënë ndaj Hoxhës ishte vendim i gabuar.

Jo. Kam përshtypjen se babai im mendonte në tërësi po flas, se ishte gjëja e duhur pasi po ndihmoheshin të gjithë njerëzit. Por unë mendoj se ai e parandjeu kur ishte në fund të misionit të tij se Enver Hoxha ashtu siç e përmendja ishte më i interesuar të luftonte me shqiptarët e tjerë sesa të luftonte me gjermanët.

-Babai juaj shkruante se kur u larguan nga Shqipëria, vendi ishte në luftë civile … ku partizanët vranë anëtarë të Ballit Kombëtar dhe mbështetës të monarkisë të njohur si zogistë.
Po ai kështu mendonte.

– A është e vërtetë që ballistët dhe zogistët bashkëpunuan me gjermanët, siç mendonte babai juaj?
Nuk e di, por pasi kam lexuar disa libra së fundmi, të gjitha palët mund të kenë bërë marrëveshje të vogla. Marrëveshje të momentit. Por ideja është se ata kryesisht bashkëpunonin me gjermanët, por e gjithë kjo mendoj se lë vend për diskutim…

Në fund a u largua kolonel David Smily i zhgënjyer dhe i mbushur me mllef nga Shqipëria?
Jo, mendoj se ai ndoshta ishte pak i zhgënjyer, por i pëlqente populli shqiptar dhe kishte disa përvoja të mira me shqiptarët.

Dhe si ishte nofka e babit tuaj gjatë misionit këtu në Shqipëri? A e mbani mend?
Epo, ka një biografi për të, aty thuhet se pseudonimi i tij në Shqipëri ishte Grin.

Më vonë, kolonel Smily stërviti në një bazë në Maltë shqiptarë me orientim pro-britanikë dhe më pas i infiltroi në shtetin e ri komunist të sapokrijuar. Më vonë ai mësoi se operacioni ishte tradhtuar nga dikush që dekonspiroi informacionet por dhe nga agjenti i famshëm Kim Philby. Çfarë ndodhi?
Ata janë infiltruar në fakt nga Korfuzi, jo nga Malta. Ata u trajnuan në një bazë në Maltë dhe më pas u infiltruan nga Korfuzi. Ishte një operacion i dyfishtë. Amerikanët dërguan agjentë nga ajri nga Bavaria në Gjermaninë juglindore dhe britanikët dërguan agjentë nga Korfuzi, pra ishte një operacion i dyfishtë. Oficeri përgjegjës, pra agjenti i inteligjencës mes të dy palëve pra mes amerikanëve dhe britanikëve ishte Kim Philby. Dhe ai, natyrisht, ishte edhe agjenti që punonte për sovjetikët. Nuk po them se babai im mendonte se i gjithë operacioni dështoi për shkak të Kim Philby-t.

Operacioni do të kishte dështuar me siguri gjithsesi. Im atë mendonte se Enver Hoxha kishe një kontroll të fuqishëm në të gjithë vendin. Ndoshta ka pasur rrjedhje informacioni nga njerëz të ndryshëm të Diasporës që duhet të kenë dëgjuar për operacionin në fjalë. E për ketë babai  mendonte se do të dështonte gjithsesi. Por Kim Philby i dha dorën e fundit duke u siguruar që operacioni të dështonte sepse ishte shumë e qarte qe shteti komunist i Enver Hoxhës dinte gjithçka për planet e agjentëve që do të futeshin në Shqipëri. Më vonë qeveria e Enver Hoxhës zbuloi se ishin treguar të shkathët kur kapën agjentët teksa ata përpiqeshin të dërgonin me radio sinjale, në fakt në fillim ata jepnin idenë e gabuar se gjithçka po shkonte sipas planit, kur në fakt komunistët i kishin kapur. Ju e dini se çfarë u ndodhi më pas, ajo që ndodhi ishte një fatkeqësi.

-Puna e babait tuaj u shpërblye me dekoratën e Kryqit Ushtarak, edhe pse misioni i tij në Shqipëri nuk u krye deri në fund Pse ai kishte një vend të veçantë në zemrën e tij për Shqipërinë?
Epo, mendoj se babai kur ishte i ri mori pjesë në dy misione këtu për një periudhë  dy vjeçare dhe padyshim që ai bashkëpunoi me shumë shqiptarë. Episodi që ju përmendët, ai i dërgimit të agjentëve të infiltruar i theu zemrën. Në vitin 1991, kur u shemb komunizmi, ai ishte shumë i lumtur që regjimi i Hoxhës u shemb, Hoxha vetë kishte vdekur në atë kohë. Babai mendonte se një sistem më i mirë u instalua në vend.

-A ishte dështimi i misioneve destabilizuese kundër regjimit komunist të Hoxhës një ndër pengjet më të mëdha të babait tuaj?
Po, ishte një peng i madh. Ai ishte shumë i mërzitur, nuk e di numrin e plotë, por mbase 60 apo 70 të rinj shqiptarë u dërguan prej tij në Shqipëri dhe të gjithë përveçse se 3 ose 4 personave arritën të arratiseshin në Greqi. Por të gjithë të tjerët u kapën, u torturuan dhe u pushkatuan.

-Babait tuaj i pëlqente të ishte në kontakt me shqiptarët po ju ndiheni ndopak shqiptar?
Ndoshta po, kur im atë jetonte në Londër, afër fundit të jetës së tij, aty nga vitet 1990 e ca, shumë shqiptarë mërgimtarë e takonin. Kujtimet e tij në Shqipëri u përkthyen në shqip dhe u botuan nga dy shtëpi botuese vendase. Kështu që babait i pëlqeu shumë kjo gjë.

-Me krenari ai e quante veten mik i shqiptarëve, madje e konsideronte ish- kryeministrin Sali Berisha mik të mirë. Si ishte marrëdhënia e tyre?
Kur Sali Berisha u bë udhëheqësi i parë i Shqipërisë postkomuniste, ai e mirëpriti babanë tim. Dhe kështu babai im ishte shumë i lumtur që u mirëprit përsëri nga Berisha.

Në kujtimet tuaja në vitin 1993 Tiranën me atë stilin sovjetik e patë si shumë gri, po sot si ju duket qyteti?
Ka ndryshuar krejtësisht. Është gati e panjohur. Tirana për mua është një qytet modern evropian, vibrant. Dhe kështu ka ndryshuar plotësisht është shumë bukur të shohësh ndryshimet. Më ka bërë shumë përshtypje Tirana dhe zhvillimi i qytetit.

-Pyetja e fundit, a keni një mendim sa i takon të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe me gomone?
Mendoj se është e natyrshme që njerëzit në çdo pjesë të botës, veçanërisht të rinjtë që janë më dinamikë dhe më ambiciozë, gjithmonë do të përpiqen të bëjnë një jetë sa më të mirë kudo që mund ta gjejnë. Shpresoj që ndërsa Shqipëria forcohet dhe ekonomia e saj të forcohet më tej dhe qytetarët të qëndrojnë e do të krijojnë një jetë për veten e tyre këtu. Por është e kuptueshme që të rinjtë duan të ecin përpara dhe të fitojnë më shumë para, të kërkojnë një jetë më të mirë në një vend tjetër. Por është e mundur që dhe  shkalla emigracionit të ngadalësohet.

Zoti Smily, ju falënderoj për intervistën. Ishte kënaqësi!
Ishte kënaqësi për mua!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular