Fjala e deputetit Bujar Leskaj me 06.07.2023 në Kuvend…
𝗣𝗲𝗻𝘀𝗶𝗼𝗻𝗲𝘁 𝗲 𝗲𝗺𝗶𝗴𝗿𝗮𝗻𝘁𝗲𝘃𝗲, 𝗽𝗮𝘀𝗼𝗷𝗮𝘁 𝗲 𝗺𝘂𝗻𝗴𝗲𝘀𝗲𝘀 𝘀𝗲 𝗺𝗮𝗿𝗿𝗲𝘃𝗲𝘀𝗵𝗷𝗲𝘀 𝗺𝗲 𝗚𝗿𝗲𝗾𝗶𝗻𝗲
Fillimisht dëshiroj të përshëndes të gjitha hapat e ndërmarra nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe ministria përkatëse për marrëveshjet e arritura me disa shtete për njohjen e viteve të punës dhe përfitimin e pensionit për shtetasit shqiptarë, të cilët kanë emigruar në ato shtete, janë rezidentë dhe, pas viteve të punës së siguruara, përfitojnë pension, natyrisht për aq vite punë sa kanë në shtetet përkatëse.
Deri tani në dijeninë time qeveritë shqiptare kanë negociuar me 14 shtete në fushën e sigurimeve shoqërore, duke lidhur marrëveshje përfundimtare me 13 prej tyre.
Por diskutimi im sot do të përqëndrohet jo tek pensionet që marrin shtetasit shqiptarë në Zvicër, kanada, Maltë, Burkina Faso apo Kamboxhia. Natyrisht çdo marrëveshje dhe iniciativë në dobi të shtetasve shqiptarë është për t’u përshëndetur, por numri i emigrantëve shqiptarë në ato vende, me të cilat është arritur marrëveshje është i vogël, i pëpërfillshëm.
Në këto 30 vite të emigrimit të shqiptarëve peshën kryesore e ka mbajtur vendi fqinj, Greqia, e cila ka pasur, ka dhe ndoshta për një kohë të gjatë do të ketë numrin më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë atje.
Pyetja ime sot është:
1- Çfarë po bëhet me pensionet e emigrantëve shqiptarë në Greqi?
Çfarë bën shteti ynë për të mbrojtur të drejtat e shtetasve të tij e, më konkretisht, njohjen reciproke të kontributeve të tyre të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Pra, a e ka në vëmendje shteti ynë, që shtetasve shqiptarë që kontribuojnë në Greqi të mos u digjet asnjë sigurim?
Njohja e pensioneve me Greqinë është një çështje e lënë në kalendat greke, d.mth. në një të ardhme e cila është shumë e largët, apo po kryhen bisedime?
Nëse po kryhen bisedime apo është përmbyllur faza e parë e tyre, duke treguar vullnet për të përmbyllur marrëveshjen së shpejti, siç pretendohet: cilat janë rezultatet?
Dhe, në analizë të fundit, përse nuk ka një informim të gjerë të publikut për këto marrëveshje.
E, pra, problemi është shumë kompleks. Pavarësisht përparimeve në marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Greqinë dhe dakordësinë në parim, ende ka shumë pika, të cilat duhen diskutuar dhe duhen zgjidhur, në mënyrë që të mos humbasin vitet e punës dhe kontributet e shtetasve shqiptarë në Greqi.
Në muajin prill të këtij viti, drejtuesit e Sigurimeve Shoqërore të dy shteteve kanë mbyllur diskutimet teknike në Tiranë, për t’i hapur rrrugë njohjes së viteve të punës së emigrantëvë shqiptarë në Greqi, si një prej komuniteteve më të mëdha të diasporës shqiptare.
Në shtator të vitit 2022, bisedime janë bërë edhe në Athinë, dhe nëse marrëveshja do të arrihet shpejt, Greqia bëhet shteti i 15-të për mbulimin e sigurimeve shoqërore.
Projektligji për pensionet i paraqitur marsin e kaluar në Parlamentin grek parashikon uljen me 30 vite qëndrimi për të përfituar pension kombëtar nga 40 vite që ishte.
Përfaqësuesit e shoqatave të emigrantëve kanë kërkuar një pension të plotë kombëtar ku kriteri i viteve të ulej në 20 vite të qëndrimit të ligjshëm në Greqi, dhe jo 30 sa ç’është përcaktuar në projektligj.
Emigrantët shqiptarë kanë qenë kontribues të rregullt në skemat e sigurimeve shoqërore greke për shkak se pagesat e sigurimeve lidheshin detyrimisht me marrjen e lejeqëndrimeve, qëndrimin e tyre të ligjshëm, punësimin dhe përfitimin e të drejtave që rridhnin nga kjo.
Sipas shifrave vlerësohet se janë mbi 700 mijë shqiptarë, të cilët kanë punuar pas viteve 90 në Greqi. Nëse marrëveshja realizohet, shqiptarëve do t’u njihen vitet e kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke përfituar kështu pensionin me formulën e përbashkët.
2- Një tjetër parametër, i cili duhet pasur parasysh nga shteti shqiptar kur negocion me Greqinë për pensionet e shtetasve shqiptarë.
Aktualisht është edhe një tjetër kategori e shtetasve shqiptarë, të cilët duket se janë lënë jashtë marrëveshjes, ose nuk përmenden.
Janë ata ish- emigrantë, të cilët kanë punuar dikur në Greqi dhe për një arsye ose një tjetër kanë vendosur të kthehen në vendin e tyre, në Shqipëri.
Kjo kategori përfshihet në bisedimet për pensionet, qoftë edhe të pjesshme nga Greqia? Apo do t’u mohohen këto vite pune, mijëra euro kontribute në sistemin e sigurimeve të shtetit grek.
Në dijeninë time duhet që këta ish- emigrantë të kenë 15 vite pune në Shqipëri për pensionin minimal dhe 15 vite të plota pune në Greqi, ose 4.500 ditë pune të siguruara.
Për ata që kanë më pak se 15 vite pune të siguruara, çfarë ndodh? Humbasin të gjitha ato kontribute?
Është e vërtetë që edhe kjo kategori do të mund të përfitonte vitet e punës në Greqi për pension në rast se do të kishin shkuar për të jetuar e punuar në mënyrë të ligjshme në vende të BE apo edhe nëse Shqipëria do të ishte anëtare e BE, por Shqipëria është ende shumë larg, ndërkohë që ata që presin pensionin për të jetuar me dinjitet janë shumë dhe nuk i pret koha, nuk e kanë jetën përpara.
A nuk është mëkat që kjo kategori të mos përfshihet në bisedime? D.m.th. të përfitojnë një pension, ose një vlerë mujore sa u takon për kontributet e derdhura kur të arrijnë moshën e pensionit?
Dhe, në fund të fundit, të dy shtetet kanë detyrimin moral, njerëzor e ekonomik ndaj kësaj kategorie.