BallinaTe tjera“Ajo është vajza e një avokati borgjez, që ka studiuar në Zvicër...

“Ajo është vajza e një avokati borgjez, që ka studiuar në Zvicër para çlirimit dhe nuk është e denjë, për të studiuar…”/ Dëshmia e rrallë e ish-nënkryetares së Parlamentit

spot_img
spot_img

Nga Dashnor Kaloçi

Pjesa e parë

E lindur dhe e rritur në një familje me tradita intelektuale dhe aristokrate, si nga ana e babait (me origjinë nga Narta e Vlorës), ashtu dhe nga nëna e saj (nga qyteti i Durrësit), madje prej katër brezash të diplomuar në universitetet më të njohura të Evropës, në degë të ndryshme si; Drejtësi, Ekonomi dhe Mjekësi, edhe ajo bashkë më të vëllanë, (një nga ikonat e Mjekësisë shqiptare, prej gati gjysëm shekulli), nuk mund të “devijonin” nga geni familjar dhe rruga që kishin zgjedhur e përshkuar të parët e tyre, në rrjedhat e jetës.  

Madje, duke se ka shkuar pak më tej, pasi përveç mësimdhënies si pedagoge, është marrë edhe me politikë aktive, duke u zgjedhur jo vetëm si deputete e Kuvendit Shqiptar, por edhe nënkryetare e Parlamentit, ndonëse për një kohë të shkurtër, aq sa zgjati ajo legjislaturë. Duke pasur parasysh, degën ku është diplomuar dhe profesionin e pedagoges së universitetit, që ka ushtruar deri sa doli në pension, e gjithashtu edhe të vëllait, i specializuar në një nga klinikat më të mira universitare të Parisit, në fillimin e viteve ’70-të, jeta, jo vetëm nuk e ka “përkëdhelur”, por i ka sjellë edhe mjaft peripeci, në rrugëtimin e saj dhe karrierës profesionale. Për shkak të luftës së klasave, Komiteti i Partisë së Rajonit Nr. 1 të Tiranës, e pati etiketuar si: “Vajza e një avokati borgjez, që ka studiuar në Zvicër para çlirimit dhe ajo nuk është e denjë, për të studiuar…”, gjë e cila e privoi edhe nga dega që ajo kishte zgjedhur për të ndjekur. Të gjitha këto, tashmë i përkasin një kohe të shkuar, por për shkak të kërkesave tona të vazhdueshme, Prof. Dr. Margarita Qirko, është e “detyruar” që të prishi “kodin e heshtjes” që e ka zbatuar me përpikëri deri më sot, duke mos i kujtuar ato kohë të shkuara, e duke folur për herë të parë, për Memorie.al, në një intervistë, për historinë e familjes,  dhe të sajën.

Znj. Margarita, duke ju falenderuar që pranuat këtë intervistë për Memorie. al, po e nisim me fëmijërinë tuaj, kur dhe ku keni lindur ju?

Unë u linda në 8 dhjetor 1952, në qytetin e Vlorës, në një ditë të ftohtë dimri, por me diell. Tani që po tregoj jetën time, dita e ftohtë e dimrit do të thotë, se jeta nuk do të ishte e lehtë, por perëndimi i saj, do të ishte me dritë, pasi dielli i asaj dite, do ta mbyllte jetën time me paqe në shpirt.

Si e kujtoni fëmijërinë tuaj, prindërit, gjyshërit dhe origjinën e familjes e tyre?

Erdha në jetë në një familje intelektuale, të shkolluar në disa breza jashtë shtetit. Gjyshi im Athanas Qirko, ishte nga Narta e Vlorës dhe pasi mbaroi gjimnazin “Zosimea” në Janinë, ai vazhdoi Fakultetin e Mjekësisë në Athinë, ku u diplomua me rezultate të larta. Në vitin 1900, filloi punë në Vlorë, si mjek pediatër, por që kryente mjaft mirë, edhe mjekun e përgjithshëm. Ishte njeri i respektuar dhe i nderuar në gjithë krahinën e Vlorës, për zotësinë, përkushtimin ndaj pacientëve, dashamirësinë dhe dashurinë që dhuronte në trajtimin ndaj tyre. Kur vdiq Athanasi, në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Vlorës, madje arkivolin e tij, e mbajtën në krah deri ne varrezat e Nartës.

Po babai juaj, ku kishte studiuar?

Babai im, Telemak Qirko, ishte jurist, kishte mbaruar Universitetin në Lozanë të Zvicrës për Juridik dhe Shkenca Ekonomike, që në vitin 1935. Ai ishte miku më i ngushtë i fëmijërisë, pasi kontribuonte çdo ditë në edukimin tim me libra. Çdo mbrëmje para darke, unë ulesha pranë tij dhe dëgjoja për gjysëm ore përkthimin në shqip nga italishtja, të librit ‘Pinocchio’, ku qëllimi edukativ ishte që; babai nuk gënjehet asnjëherë. Kështu filloi dhe rruga ime për mësimin e mëvonshëm të gjuhës italiane. Pasi mbaroi ‘Pinocchion, vazhdonte çdo darkë me libra të tjerë si: ‘Zemra’ e Edmondo De Amicis’, ‘Aventurat e Çipolinos’, etj. Ne çdo javë, ne shkonim bashkë tek libraria që ndodhej diku aty ku sot është Muzeut Historik Kombëtar dhe pyesnim për librat e rinj, që kishin dalë për fëmijë. Ai zgjidhte përherë më edukativët. Të shtunave në darkë, së bashku me vëllanë tim, Spiron, bëhej edukimi me muzikë operistike nga radio, duke dëgjuar stacionin italian, L’Invito a L’Opera, ku këndonin këngëtarët më të mëdhenj italianë, të cilët njëkohësisht ishin dhe me famë botërore.

Kë kujtoni nga ata këngëtarë të famshëm?

Kam dëgjuar që e vogël, zërin hyjnor të Maria Callas, Renata Tebaldi, Mario Del Monaco, Giusepe di Stefano, Tito Gobi, etj. Unë bashkë me vëllain, Spiron, njiheshim nga babai me libretin dhe pastaj dëgjonim interpretimin e operës, nga këngëtarët e mësipërm. Gjatë gjithë fëmijërisë dhe deri në vitin 1967, kur Opera u mbyll nga sistemi komunist, nuk kam lënë asnjë shfaqje pa pare, bashkë me tim atë.

Cila nga ato shfaqje ju ka mbetur në memorien tuaj dhe kë kujtoni nga artistët shqiptarë që interpretonin në atë kohë, në Teatrin e Operës?

Më kujtohet si tani; “Traviata”, me Marie Krajën dhe Nina Mulën, “Madam Baterflai”, me Gjusepina Kosturin, “Bohema”, me Kristaq Paspalin, “Peshkatarët e Perlave”, të kënduar me mjeshtëri nga Gaqo Çako “Arien e Nadirit”, operetën “Princesha e Çardashit”, të Imre Kalman, të kënduar dhe realizuar mjaft bukur nga Luiza Papa dhe Gjoni Athanasi, “Dasma e Figaros”, me shumë sukses nga Rozmari Jorganxhi dhe me këtë të fundit, opera u mbyll.

Po më pas, kur u rihap, vazhduat të frekuentonit shfaqjet në Opera?

Më vonë kur u rihap, kam vazhduar ndjekjen e shfaqjeve operistike, ku interpretonin yjet e skenës operistike shqiptare, si; Edit Mihali, Gaqo Çako, Tatjana Kora, Inva Mula, Marjana Leka, etj.

Të kthehemi edhe njëherë tek gjyshërit juaj, në ç’moshë ishit ju koshient, për të kaluarën e tyre, pra, kur e mësuat se ata ishin intelektualë dhe pse jo, një familje aristokrate?

Para se të hyja në klasën e parë, në ditët e afërta të fillimit të vitit shkollor, babai më uli në karrige pranë tij dhe më shpjegoi historinë e familjes tonë, duke më konsideruar se bisedonte me një moshatarin e tij. Ai tregoi origjinën intelektuale të familjes, që nga gjyshi Athanas Qirko, të cilin e shtjellova pak më lart dhe vazhdoi me jetën e tij, i cili kishte studiuar 18 vjet jashtë shtetit. Kishte kryer vetëm 4 klasë fillore në Vlorë dhe më pas, në moshën 10 vjeçare, i ati e dërgoi në Itali, në Bari, ku kreu 8 vjeçaren dhe në Firence gjimnazin, me një formim kulturor të përveçëm në fushën e muzikës operistike, pikturës, skulpturës, letërsisë, filozofisë, historisë, etj. Dhe e gjitha kjo, falë vendit të përveçëm të Rilindjes Italiane, siç ishte Firence dhe gjithashtu profesorëve të jashtëzakonshëm në fushën e dijes, që jepnin mësim në ato shkolla dhe universitete. Pasi mbaroi shumë mirë liceun në Firence, ai u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në Lozanë të Zvicrës, ku kreu dy Fakultete, atë të Juridikut dhe të Shkencave Ekonomike. Sipas tij, jeta në Zvicër, i përkiste një planeti tjetër.

Pas diplomimit, ku filloi punë babai juaj Telemak Qirko, u kthye në Shqipëri pranë familjes, apo qëndroi jashtë?

Pasi mbaroi me rezultate shumë të mira universitetin dhe për arritjet e tij, babai filloi punë në Gjenevë, në Lidhjen e Kombeve, ku punoi 1 vit. Në këtë kohë, gjyshi im Athanasi, mjek në Vlorë, i thotë ta linte punën dhe të kthehej në atdheun e tij, pasi tashmë ishte plotësisht i formuar, për të kontribuar në vendin e tij. Kështu, pas 18 vitesh shkollimi jashtë vendit, babai Telemaku u kthye në atdhe dhe këtu filloi historia e vështirë e jetës së atij burri, tepër të ditur dhe shumë të ndershëm.

Për origjinën dhe historinë e familjes së nënës suaj, ju tregonte babai?

Po patjetër, që në atë kohë, babai më fliste edhe për prejardhjen e nënës time, që vinte nga një familje tregtarësh manifakture me breza, në Durrës, ku gjyshi nga nëna, Spiro Leka, i cili bënte tregtinë me Triesten dhe Milanon, kishte kryer shkollën Françeskane dhe dinte 4 gjuhë të huaja. Ndërsa gjyshja nga nëna, që i përliste një familje nga Berati me mbiemër Kona, ishte mbesa e një mjeku që kishte studiuar në Firence, vajza e një juristi dhe motra e një mjeku, të gjithë të kryer universitetin jashtë shtetit.

Pra, katër breza intelektualësh, të gjithë të studiuar jashtë vendit?

Po e vërtetë, katër breza të gjithë me studime jashtë vendit. Kujtoj se kur më tregonte babai, unë dëgjoja me sytë e zmadhuar dhe me një shqetësim prej fëmije. “Në regjimin ku jetojmë, – vazhdoi babai, – njerëzit si familja jonë, nuk i përkasin klasës në fuqi dhe ne shihemi si armiq të klasës, pasi ‘faji ynë’, është familja intelektuale nga vijmë”.

Nuk kishte frikë babai, që bënte ato biseda me ju pasi ju mund të flisnit me shokët dhe shoqet?!

Këtë desha t’u shpjegoja, pasi babai, kur më thoshte ato gjëra, më tha pak a shumë, këto fjalë, që po përpiqem t’i riprodhoj: “Të thashë këto vajza ime, pasi pas pak ditësh, do të fillosh shkollën, pra do të prekësh bregun e ftohtë të detit të jetës tënde dhe nuk do të habitesh asnjëherë, me ndonjë sjellje jo të përshtatshme ndaj teje, pasi i përket origjinës nga vjen. Kjo, nuk duhet të vrasë shpirtin tënd të pafajshëm, por duhet ta presësh me gjakftohtësi, duke e ditur që më parë realitetin, pasi e vërteta të ndihmon të mos gabosh. Do të kesh shoqet e tua, me të cilat ti e ndjen veten mirë dhe do të qëndrosh me to, duke dhuruar dashuri në kohën e lirë. Jeta jote, përveç shoqeve të mira, do të dominohet nga studimi i vazhduar, për të përthithur sa më thellë, dijet e mara në shkollë dhe e mbushur me libra jashtëshkollorë, të cilat, do ti zgjedhim bashkë, tek libraria e Bulevardit. Unë do të jem shoku yt më i mirë, për opera, kinema, teatër, shëtitje dhe diskutime të problemeve që do të dalin”. Kjo ishte pak a shumë ato që më tha babai, që në atë moshë të vogël, kur do ulesha për herë të parë në bankat e shkollës.

Si u përgjigjët ju, e kujtoni?

Unë isha e shokuar, por edhe e lehtësuar nga kjo bisedë e sinqertë me një njeri, i cili, edhe pse ishte në atë moshë, u ul dhe më trajtoi si shok dhe me një qetësi hyjnore, me tregoi jetën time, që do më vinte më pas. Bashkëbisedimi i sinqertë dhe miqësor për mua, ishte besim i verbër ndaj tij dhe ridimensionim i qenies time të brishtë, pas bisedës tepër të veçantë, që vetëm një edukator i rrallë, madje një psikolog, mund ta bëjë. Kjo bisedë, më rriti shumë në vitet e mendjes time, ndonëse sapo trokisja në klasën e parë. Pra, ua tregova këto, pasi këtu fillon historia e jetës sime, jo si një fëmijë i zakonshëm, por me mëndje të rritur për vitet që mbaja mbi supet e mia, për të gabuar sa më pak, në jetën që sapo po më trokiste.

Nëna juaj, ku kishte studiuar?

Nëna ime, kishte mbaruar shkollën amerikane të Dakos, me drejtoreshë Parashqevi Qiriazin, e cila kishte mbaruar “Robert Kolegjin” në Stamboll, ishte motra e Sevasti Qirjazit dhe respekti dhe konsiderata për to ka qenë i përveçëm për nënën time. Nëna ishte tepër fisnike dhe me një thjeshtësi të pazakontë nga origjina që vinte.

Me sa dimë dhe kemi lexuar, familja Leka nga Durrësi, përveçse familja intelektuale, kanë qenë edhe të pasur?

Është e vërtetë se familja Leka e nënës sime, kanë qenë e pasur. Në moshën 26 vjeçare, në vitin 1945, i kishte dorëzuar shtetit shtëpinë e saj, ku banonte në Durrës, duke dyllosur me dorën e saj, para policëve, të gjitha dhomat e mbushura me plaçka dhe u largua me rrobat e trupit të saj. Nuk dëgjova kurrë pakënaqësi prej saj, për ato që kishte kaluar dhe për kohët që kishin ardhur. Ajo ishte tepër kërkuese për mua, në edukimin e përsosur njerëzor, që duhet të kisha dhe në përvetësimin maksimal të dijeve në shkollë. Kjo ishte lumturia e jetës së saj, që zbehte sado pak kohët e vështira. Në familjen tonë, harmonia midis prindërve në edukimin tonë, ishte përherë e pranishme.

Ku e keni kryer shkollën fillore dhe si e kujtoni atë kohë?

Shkollën fillore e kreva tek “10 Korriku” pranë shtëpisë time në Tiranë. Kur fillova klasën e parë, nëna më mësoi të programoja kohën për studim, duke i lënë më shumë kohë lëndëve të vështira. Ky planifikim i kohës çdo ditë, u bë një nevojë e domosdoshme gjatë gjithë jetës time. Ajo kontrollonte çdo natë përvetësimin e mësimeve të mia, ndërsa babai, ishte i rregullt në takimin me prindët në shkollë. Çdo verë, pas mbarimit të vitit shkollor, bëhej programimi i librave që do të lexoja gjatë kësaj periudhe, ku zgjedhja bëhej në bashkëpunim me tim atë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, para se të trokisja në gjimnaz, kam lexuar mjaft libra, një prej të cilëve dhe sot qëndron e stampuar në mendjen time, ai është “Evgjeni Grande” i Balzakut të madh. Më tërhoqi mirësia e kësaj femre, e cila ndihmonte njerëzit në nevojë. “Mirësia në marrëdhëniet me njerëzit, është përkufizimi i bukurisë së jetës për mua”. “Kozeta” e Viktor Hygoit, më njohu me ligësinë njerëzore, e shprehur prej zonjës Ternadier, ndaj vajzës së pafajshme. Vetë Hygoi, ka përkufizuar mrekullisht ligësinë njerëzore, duke thënë se: “Nata s’është gjë tjetër, vetëm nata e botës, ligësia, është nata e shpirtit”. Vazhdova me “Kontin e Monte Kristos”, “10 Novelat” e Cehovit, “Lamtumirë Armë”, “Tre Shokët”, “Manastiri i Parmës”, “Një Tragjedi Amerikane”, “Saga Forsajtve” etj, etj. Në të gjitha këto libra, takoja personazhe, të cilat nuk i kisha njohur kurrë në jetë, por mësoja shumë nga jetët e tyre, duke grumbulluar një eksperiencë, të sapo nisur për jetën. Me këta personazhe të sapo njohur, trokita në dyert e gjimnazit.

Ku e kryet shkollën e mesme?

Fillova gjimnazin te shkolla “Qemal Stafa”, në Tiranë. Tani vetja më dukej më e formuar dhe duhej të piketoja profesionin e jetës time. Klasa ku u regjistrova, ishte me nxënës shumë të mirë dhe pedagogë të shkëlqyer. Ora më e bukur për mua, ishte ora e Anatomisë, ndoshta geni nga gjyshi dhe vëllai im, që studionte për Mjekësi, zgjuan tek mua dashurinë e fshehur, por tepër të fortë, për t’u bërë mjeke pediatre, pasi i doja shumë fëmijët e vegjël. Studioja Anatominë me pasion të madh dhe pasdite, pyesja vëllain, Spiron, për temën që kisha nesër, me qëllim për të ma plotësuar me detaje të tjera, që libri i shkollës nuk i kishte. U krijua një lidhje shumë organike me mësuesen e Anatomisë, saqë disa herë, më jepte temën përpara, për orën tjetër dhe unë e përgatisja, duke shtuar dhe njohuri të tjera, që më jepte vëllai dhe për atë orë mësimi, zëvendësoja mësuesen për të shpjeguar mësimin e ri. Udha ime drejt Mjekësisë, kishte nisur dhe çdo ditë fundosesha në pasionin për të dhe ecja përpara, në shtimin e njohurive të reja në bashkëpunim të përhershëm me vëllain tim. Në fillim të vitit të katërt të gjimnazit, nëna ime, pati një problem mjekësor, kështu u transferova në gjimnazin “Sami Frashëri”, për të qenë më afër shtëpisë në shërbim të nënës. Klasa ku kreva maturën, ishte me nxënës shumë të zotë dhe tepër të dashur. Kam kaluar një nga vitet më të bukura të gjimnazit.

Kë mbani mënd më shumë nga mësuesit e gjimnazit, dhe që e kujtoni me respekt edhe pas kaq vitesh…?

Kam pasur pedagogë që më kanë lënë shumë mbresa dhe janë të përjetshme kujtimet që kanë lënë ata pedagogë të nderuar, të cilët me krijuan një lidhje shpirtërore të ndërsjelltë, të respektit, dashurisë dhe mirësisë së tyre, në trajtimin që na bënin ne nxënësve. Kujtoj me respektin më të madh dhe që nuk do ta harroj kurrë në jetën time, profesorin e letërsisë, Rinush Idrizin, i cili e kthente orën e letërsisë në magji, me shpjegimin e tij brilant. Kur fliste për veprat madhore letrare dhe autorët e tyre, ai depërtonte aq thellë në personazhet, sa më dukej se jetoja me ta. Shpjegimi i tij ishte shndërruar në art. Ishte ora më e bukur për mua dhe këtu filloi dhe dashuria ime tepër e madhe për letërsinë. Bashkëpunova me profesorin për të më rekomanduar libra të tjerë, jashtë programit të shkollës. Ndër shumicën e autorëve të ndryshëm që më citoi, ishte dhe Dostojevski. Lexova me një frymë librin “Krim dhe ndëshkim” dhe më mrekulloi fakti, se ky autor, ishte gjeni në studimin e shpirtit njerëzor, duke u futur thellë në divergjencat që ekzistojnë, ndërmjet nënvetëdijes dhe vetëdijes. Dostojevski e ka përshkruar në mënyrë të përsosur, kontradiktën e madhe që ekzistonte tek Roskolnikovi, ndërmjet nënvetëdijes dhe vetëdijes së tij. Ai mund të quhet “Michelangelo” i shpirtit njerëzor, që me penën e tij, “gdhendi” përjetësisht në letërsi, kuptimin e shpirtit njerëzor. Nga gjithë këto, etj., lutem të prehet në paqe profesori im i letërsisë, Rinush Idrizi.

Me çfarë rezultatesh e mbaruam shkollën e mesme dhe pas maturës, ku dëshironit të studionit, në cilën degë?

Shkollën e mesme e mbarova me rezultate shumë të larta dhe maturën gjithashtu shkëlqyeshëm e, po trokisja në portën e jetës, pikërisht në atë kohë, kur ngjarjet në familjen time, ishin të zymta, për të patur një profesion që dëshiroja.

Me çfarë problemesh po përballej familja juaj në atë kohë, që ua vështirësonte të kërkonit për të studiuar, në atë degë që preferonit?

Vëllain tim, Dr. Spiro Qirko, kishin dy vjet që e kishin larguar nga Spitali Nr.1, ku shërbente me plot pasion si mjek. Largimi i tij, ishte në kuadrin e luftës së klasave që asokohe ishte acaruar së tepërmi dhe ajo gjë, bëhej me vendim të Komitetit të Partisë së Rajonit Nr.1 të Tiranës.

Babai juaj, ku punonte në atë kohë?

Në atë kohë, babai kishte dalë në pension para kohe, pasi siç dihet, shteti komunist, e suprimoi Ministrinë e Drejtësisë dhe e mbylli avokatinë, në vitin 1967. Nisur nga kjo situatë ku ndodheshim, pra pas largimit të vëllait Spiros, nga ai vend pune, “re të zeza” kishin mbuluar mendjen time, pasi dëshira për të marrë degën që doja, dukej e pamundur.

Në cilat degë kërkuat që të studionit?

Pas mbarimit të maturës, siç kërkohej dhe ishte rregulli në atë kohë, unë paraqita në shkollë dokumentet përkatëse, me biografinë e familjes, dëftesën e maturës me rezultatet e shkëlqyera dhe kërkesat për degët që dëshiroja të vazhdoja; E para ishte Mjekësi, e dyta Kimi Industriale, dhe e treta; Farmaci. Por, drejtoria e shkollës, më dha një rekomandim, si nxënëse e shkëlqyer, që kisha aftësi të spikatura për Mjekësi, të kërkoja të studioja, në atë degë.

U aprovua ajo gjë, u mor parasysh rekomandimi i drejtorisë së shkollës suaj, që juve t’ju jepej e drejta të studionit për Mjekësi?

Asgjë nuk u mor parasysh, pasi pëlqimin e jepte kryetari i organizatës së Frontit Demokratik, të bllokut të pallateve në lagjen ku ku banoja. Ata, pra kryesia e Frontit, fshinë të gjitha kërkesat dhe rezultatet e mia, duke mos i marrë fare parasysh, me motivin e luftës së klasave, duke thënë se: “Margarita Qirko, është vajza e një avokati borgjez, që ka studiuar në Zvicër para çlirimit dhe ajo nuk është e denjë, për kërkesat e paraqitura”.

Çfarë ndodhi pas kësaj që vendosi Fronti në lagjen tuaj?

Ndodhi ajo, që kur dolën të drejtat e studimit, pashë listat e afishuara, ku unë isha caktuar në degën Agronomi. Ishte një ndëshkim, që la gjurmë të thella, në shpirtin dhe mendjen time. Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular