BallinaAktualitetBIRN: Ahmetaj, zyrtari më i lartë në tre dekada i akuzuar për...

BIRN: Ahmetaj, zyrtari më i lartë në tre dekada i akuzuar për korrupsion

spot_img
spot_img

Arben Ahmetaj, zyrtar, deputet dhe ministër socialist me disa portofole përgjatë dy dekadave të fundit, pritet të përballet me arrest dhe akuza të rënda për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e inceneratorëve, tre kontrata famëkeqe të qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilat kanë dërguar sakaq pas hekurave edhe ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako krahas shumë zyrtarëve të tjerë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, bëri të ditur të hënën se i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit parlamentar të Ahmetajt me qëllim arrestimin e tij.

Në bazë të hetimit, SPAK tha se “ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit: Arben AHMETAJ”.

Ahmetaj është deklaruar i pafajshëm për akuzat.
Detajet mbi akuzat nuk janë të ditura dhe shkresa e kryetarit të SPAK Altin Dumani për Kuvendin e Shqipërisë nënvijëzon nevojën “për të ruajtur sekretin hetimor” dhe kërkon që procedura e shqyrtimit të dokumenteve nga Këshilli i Mandateve të bëhet pa praninë e publikut për shkak se, sipas Dumanit, hetimet vijojnë për persona dhe fakte të tjera.

Arben Ahmetaj, 54 vjeç, ka qenë drejtues i administratës tatimore dhe më pas, zëvendësministër, gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste 1997-2005. Ai u përball me akuza për korrupsion pas rënies nga pushteti në vitin 2005, në lidhje me skandalin e Albtelecom, kompanisë në atë kohë shtetërore të telefonisë, nga e cila u transferuan miliona euro përmes kontratave fiktive të interkonjeksionit me operatorë ruralë. Ahmetaj doli i pafajshëm në atë kohë. Ahmetaj deklaron se ka një pasuri familjare prej rreth 3 milionë eurosh.

Pas rikthimit të socialistëve në pushtet, në vitin 2013, ai u bë fillimisht Ministër i Ekonomisë dhe i Sipërmarrjes dhe më pas, Ministër i Financave. Ai u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.

Qeveria shqiptare akordoi një kontratë për ndërtim inceneratori në Elbasan në vitin 2015 me procedurë emergjente, e cila më pas u konsiderua si e paligjshme. Dy kontrata pasuan për një incenerator në Elbasan dhe një në Tiranë, e cila vijon të jetë aktive.

Aktualisht në burg nën gjykim gjendet ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili përballet me akuza korrupsioni dhe pastrimi parash si dhe Alqi Bllako, ish-sekretar i përgjithshëm në ministri dhe ish-deputet, nën akuzën për korrupsion.

Ahmetaj është zyrtari më i lartë në gati tre dekada që përballet me akuza për korrupsion./Reporter.al/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular