Gazetari Artan Hoxha ka publikuar në emisionin “Opinion” një foto të Arben Ahmetaj i cili ndodhet në pikën kufitare të Kakavijës. Hoxha thotë fotoja është bërë ditën e premte dhe sipas gazetarit ish-zëvendëskryeministri ka udhëtuar drejt Greqisë.
Ai thotë se edhe pse ishte nën hetim, Ahmetaj ka udhëtuar disa herë jashtë vendit pasi ndaj tij nuk ka pasur ndonjë ndalim. Nuk dihet nëse Ahmetaj është rikthyer në Shqipëri.
“Ditën e premte në mesditë ka qenë në Kakavijë ka kaluar për në Greqi. Fotoja është bërë në momentin e vulosjes së pasaportës. Gjatë kësaj kohe Ahmetaj ka hyrë dhe ka dalë nga vendi pa asnjë lloj problemi pavarësisht hetimit”, – tha gazetari Hoxha.
Ndërsa gazetari Lorenc Vangjeli tha se kjo ishte një koicidencë që 3 ditë më pas u zyrtarizua kërkesa e SPAK për arrestimin e tij.
“Unë sot kam komunikuar disa herë me zotin Ahmetaj si gazetar. Ajo që kuptova është që nuk do t’i shmanget hetimit. E kupton që i ka të gjithë kundër. Të gjitha erërat janë përballë tij, por do t’i duhet të luftojë dhe ligjërisht do të jetë në dispozicion” – tha Vangjeli.
I pyetur se ku ndodhet tashmë ish-ministri, gazetari nuk dhënë nd0një informacion. Sipas avokatit të Ahmetajt, ai do të jetë i parnishëm pasditen e së martës kur në kuvend do të mblidhet Këshilli për Mandatet dhe Imunitetin që do të vendosë për kerkesën e SPAK.