BallinaAktualitet"Nga gjella dilnin krimba"/ Vuajtjet e ish-të burgosurit politik: Nënës i ‘ngula...

“Nga gjella dilnin krimba”/ Vuajtjet e ish-të burgosurit politik: Nënës i ‘ngula thikën’ në shpirt për një fetë bukë

spot_img
spot_img

Sot në Exclusive në Top Channel është folur për jetën e Viktor Martini është një ish-i burgosur politik, i cili u arrestua në vitin 1956 kur ishte vetëm 16 vjeç.

Ardhja e Partisë Komuniste në pushtet do shënonte për familjen e Viktorit një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe mundimesh, fillimisht me burgosjen e të atit, Zef Martini, e më pas me tre vëllezërit e tij. Të gjithë së bashku, pesë burrat e familjes Martini vuajtën më shumë se 100 vjet në burgjet e Shqipërisë diktatoriale.

Po cila është historia e tyre?

“Rrjedh nga një familje ku babai ka qenë në Hot të Jugosllavisë. ..Erdhi në Shqipëri të strehohej nën flamurin krenar tonin. Por mjerisht, me ardhjen e komunizmit, familja jonë me popullin shqiptare kaloi ditët më të zeza në historinë e vet. E kujtoj babain tim një ditë të zhegut në verë, flinte mes dy fëmijëve të vegjël. Çuditërisht si rrallë herë. Isha 9 vjeç. Kur u çova nuk e pashë babin, ndjeva pak zhurmë dhe kapa një njeri prej këmbësh duke menduar se është babai. Ai më shtyu, se u tremb kur e kapa prej këmbësh. Më thotë nëna që nuk është babai, babai e kanë arrestuar. Po ku dija unë se çfarë do të thotë fjala arrest! Më vonë mora vesh që fjala arrest na ndoqi gjithë familjen time e mbarë popullin shqiptar”, tregon Viktor Martini.

Zef Martini, ka qenë oficer i Zogut, i cili pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist u arrestua më 2 gusht 1949 me akuzën “Kryengritje e armatosur kundër regjimit popullor”, akuzë për të cilën u dënua me 15 vjet burg. Zefi ndërroi jetë në Burgun e Burrelit në moshën 51-vjeçare. Sot familja Martini vajton ende për varrin e humbur të të atit.

“Na nxorën nga shtëpia, jemi futur në një revijë, ishte përdhese, një penxhere me hekura pa xhama, një derë që vetëm mbështetej, një gropë gjirizi ku kundërmonte era e qelbur. Ishte një tmerr. Në vend të shtratit, nëna mobiliet që kishim i nxori në oborr nën një ballkon. Ai oficeri që na nxori nga shtëpia i tha mi shit këto mobilie se po të jap dy racione dru. Nëna i mori ato mobilie, i vuri në mes të oborrit dhe i bëri copë-copë. I tha: për dy racione dru, këto dërrasa nuk na bëjnë tym. U rritëm tmerrësisht keq”, rrëfen Viktor Martini.

Familja Martini rridhte nga paraardhës që kishin luftuar kundër turkut, serbit e malazezit dhe në fund ju desh të luftonte edhe kundër komunizmit të egër që po vendosej në Shqipëri. Autoriteteve nuk i mjaftoi arrestimi i Zef Martinit. Pas arratisjes së dy fëmijëve të tij, vëlla e motër, në vitin 1953, arrestohet një tjetër vëlla i Martinit, Rudolfi, me akuzën “Agjent i perëndimit” dhe dënohet me 25 vite burg.

“Mbaj mend njëherë kur nuk kishim bukë, nëna na çoi në një restorant. Në atë kohë ishte krizë buke. Na jepnin një racion bukë, një riskë të hollë dhe një pjatë gjellë. Isha 12 vjeç. Tha nëna: a u ngopët? I them: nënë me pas edhe njëherë bukë të thatë e të vdes, nuk kam gajle. Merre me mend, edhe sot kam ngashërim kur më kujtohet se çfarë thike i kam ngulur nënës time në shpirt”, tregon Martini.

Në moshën 16-vjeçare Martini u arrestua dhe u dënua me shtatë vjet burg si kreu i një grupi që synonte të arratisej nga vendi. Nëse do të tregonte të vërtetën do të kish shpëtuar. Por ideali i një biri malësori ishte të ruante sekretin mes shokësh dhe ai nuk tregoi.

“Shoh një oficer të degës që po ndiqte karrocën, e kuptova se do të më arrestojnë. Por kisha vetëm një rrugë. Brenda 24 orësh duhej shkuar për të bërë denoncimin. Por thashë do të njollosi emrin e familjes, do thonë i biri i Zef Martini që ka qenë me zë në kohët tona, paditi shokët e vet. Të nesërmen më arrestuan në një sallë gjyqi dhe më bënë kryetar grupi. Më dënuan 10 vjet. Më çuan në burg të Burrelit”, shprehet ai.

Burgu politik në Shqipërinë e regjimit komunist ishte një kantier pune. Ai ka qenë i përhapur në të gjithë vendin dhe kishte formën e një gulagu rus. Burgu ndonëse mbartte me vete një histori të trishtë e një pune rropatëse kishte krijuar një vlerë të jashtëzakonshme në Shqipërinë e pasluftës.

Në Burrel na jepnin gjellë kazani, ajo çorba ku shpesh herë dilnin edhe krimbat. Ishte tmerr. Po të mos kishe ndihmën e shtëpisë, do të hiqje shumë keq. Ne kemi qenë 4 vëllezër përnjëherë në burg.

Të burgosurit politikë që nga viti 1946 e deri në vitin 1976 kishin tharë kënetën e Maliqit në Korçë, të Tërbufit në Myzeqe, të Thumanës në Mamurras, të Skrofotinës në Vlorë dhe të Yzberishtit në Tiranë. Me punën e tyre ata kishin ndërtuar aeroportin ushtarak të Kuçovës, aeroportin e Rinasit, Uzinën e Traktorëve, Kombinatin Ushqimor dhe Kombinatin e Mishit në Tiranë. Kishin ndërtuar pothuajse të gjithë Tiranën e Re; pjesën e majtë të Rrugës Myslym Shyri, stadiumin Dinamo dhe ndërtesën e sanatoriumit në kodrat e Tiranës.

“Një javë mbrapa pasi jam arrestuar vetë, kam ndjerë zërin e vëllait në oborr, e kishte emrin Rudolf por e thërrisnin Hitler. Një ditë ata oficerët kur bënin fizkulturë thërrisnin “Halt Hitler”. Unë ia njoha zërin. Ajo ka qenë një natë e tmerrshme për mua. Se thashë, një nënë më katër djem në burg si do ta kalojë natën?”, tha Martini.

Në Shqipëri Sigurimi i Shtetit vepronte me anë të këtij gulagu, që ndryshe quhej Drejtoria e Kampeve dhe e Burgjeve. Ai ishte i shpërndarë në disa ishuj; kampi i Ballshit, i Spaçit, i Shën Vasisë në Sarandë dhe Burgu i Burrelit. I gjithë ky arkipelag mbante brenda vetes 1200 të burgosur politikë, të cilët shumoheshin  çdo ditë dhe në fund të viteve ’70 aty numëroheshin 3000 të burgosur politikë.

“Në derën e burgut për herë të parë që dolëm, më thotë vëllai, mos u trego i dëshpëruar para nënës se i thyen zemrën. Por sa shkova te hekurat, jo të qarë, por me ngashërim. Nëna ishte kurajoze, më tha: “Vili, mos na turpëro. Je djali i filanit. Unë e kam kaluar burgun 16 vjeçe në Serbi. Mos na korit, ti je burrë mes burrash.” Për të më marrë me të mira më tha çfarë do të të sjelli nëna herën tjetër në takim? Unë i thashë dy shegë të egra. Nuk dija më çfarë të flisja.

Nuk e quaj kohë të humbur se aty takova ata intelektualë të perëndimit, ministra, profesorë, avokatë, ajkën e kulturës shqiptare. Aty munda të plotësoj vetveten me edukatë perëndimore dhe të kuptoj diferencat komunizëm dhe perëndim”, tregon ai.

Shtysat tona të brendshme na bëjnë që disa zgjedhin të shkojnë drejt vargonjve. Disa të tjerë drejt lirisë. Kjo ishte ndarja mes njëri- tjetrit që prej fillimeve të qytetërimit. Por ne e dimë se njerëzit e vargonjve kanë qenë gjithmonë fatkeqësia e çdo epoke. Shqipëria nuk njohu përjashtim. Në Shqipërinë që sundohej prej regjimit komunist nuk kishte ideale. Shqipëria notonte në një gënjeshtër të madhe sepse të gjithë njerëzit që dinin të mendonin e kishin kuptuar se e vërteta ishte krejt ndryshe.

“E dalura jashtë ka qenë më e tmerrshme për mua se sa burgu. Isha i privuar nga njerëzit, se frika ishte futur ndër vete tek njerëzit. Na mohuan njerëzit e njohur e deri tek njerëzit e farefisit”, tregon Viktor Martini.

“Unë ika nga shtëpia se Viktori ishte i prekur. Prindërit nuk kishin qejf me u lidh me një të persekutuar. Mora Viktorin dhe kështu u lidhëm të dy që atëherë e deri tani. Unë isha 19 vjeçe”, tregon gruaja e Viktorit Liza Martini.

“Martesa në atë kohë kishat ishin të mbyllura, kurora nuk lejohej. Padër Meshkallën e kam pasur mësuesin tim shpirtëror e letrar. I them të na vinte kurorë dhe na erdhi në shtëpi me na vënë kurorën. Bëri atë shortet e fesë dhe tha ku i keni unazat. Nuk kemi padër. Ishim kaq të varfër, ishim martuar të rinj, kishim një shtrat me tela, një jorgan, një çarçaf që kur e lanim ditën e shtunë, flinim pa çarçaf. I thamë nuk kemi unaza. Na tha, ska gjë se kurora vihet edhe me dy fije bari. U ul gruaja. Mori dy fije bari jeshil dhe i lidhëm në gisht. Në atë kohë ishte diçka e çuditshme. Por a e din ti se sot ato janë krenaria ime?”, thotë Viktori.

Sistemi i atëkohshëm e përndoqi familjen e tij edhe pas kryerjes së dënimit duke i hequr gruas së tij, mundësinë për të ushtruar punën si mësuese.

“Unë në atë kohë isha mësuese dhe isha në Koplik. ..Dhe Viktori erdhi me mua. .. Por për fat të keq Viktorin e njihnin Kopliku, se babai i vet është prej Hotit të Jugosllavisë. Aty filloi”, shprehet Liza.

Në një mbledhje të këshillit pedagogjik në vitin 1967 Lizës i kërkohet të ndahet nga i shoqi për arsye biografie. Ndryshe nuk do të lejohej më të punonte në arsim.

“Nuk e ndjej të arsyeshme të ndaj burrin për 5 mijë lek rrogë ose për arsim. .. Më vonë pas 15 ditësh që më thanë ke 15 ditë për ta menduar, unë e kisha dhënë mendimin, u mblodhën tërë rrethet e Koplikut, u bë pothuajse një gjyq publik për mua. Përveç drejtorit ishte dhe Çun Januzi, ishte një person i njohur komunist aty në Koplik. Aty pashë një zhgënjim të vogël të shoqërisë.

Kur dola prej aty, isha në lot se nuk mundesh të thuash se nuk isha e impresionuar. Rruga nuk kishte asphalt shumë, por megjithatë u rrëzova 2-3 herë. Kur u rrëzova, gjunjët m’u bënë me gjak. Kur erdha në shtëpi, Viktori u tremb”, shprehet Liza.

“Kur ka hyrë brenda më tmerroi. Çfarë ndodhi, i thashë? Prit, më tha, të marr frymë. E kishin përjashtuar. Pergjigjja e saj është krenaria ime edhe sot, se u tha: “Unë mund ta ndaj burrin nëse kemi ndonjë grindje, ose mosmarrëveshje me të, por nuk mund ta ndaj për 5 mijë e ca lek rrogë që më jepni ju. Nëse e keni vendosur, kërkoj prej jush të më thoni, nëse unë e ndaj këtë burrë, cili është ai burrë i ndershëm që më merr mua më?”, thotë Viktor Martini.

“Më çuan në Zuktha, kam punuar 20 e ca vjet në Zuktha, në lagështirë, që ato pasoja i ndjej akoma sot. Jo vetëm unë, por edhe shoqet e mia, dikush ishte paralizuar nga lagështira, dikush ka vdekur më e re, po ashtu edhe unë mezi eci prej gjunjësh nga lagështira”, tha Liza.

Rënia e komunizmit në vitet ‘90 njohu ndër të tjera disa ndryshime pozitive. U pa se kishte pasur më shumë dokumente se mendohej për të rindërtuar kohën ashtu si qe. Doli se një pjesë e mirë e së vërtetës ishte heshtur, kundërshtuar e përjashtuar me kokëfortësi për vite e dekada me radhë.

Duket se pa dyshim ndodhi një proces pozitiv: më në fund e shkuara u la të fliste me gjuhën e vet. Me gjuhën e imazhit, me gjuhën e dëshmisë së shkruar. Ata që merren me shkencën e historisë i përmbahen parimit se të shkruarit e saj mbetet një proces i implikuar deri sa të jetojë dëshmitari i fundit i ngjarjes sepse në parimin e studimit dhe të rishkrimit të një historie, dëshmitari i gjallë është dhe ngatërrestari i historisë. Sidomos dëshmitari që mendon të monumentalizojë vetveten dhe jo ngjarjen vetë.

Viktor Martini është njëri prej të fundit të kësaj historie, por aspak prej atyre që duan medoemos ta ngatërrojnë atë. Përkundrazi ende në moshën 83-vjecare, flet për ngjarjen sikur ta ketë përjetuar dje.

Ai ka qenë një nga organizatorët e protestës më 14 janar të vitit 1990, ku mijëra banorë të Shkodrës u grumbulluan në qendër të qytetit me synimin për të rrëzuar monumentin e Stalinit. Sigurimi i Shtetit arrestoi të gjithë organizatorët e kësaj demonstrate, të cilët u liruan vetëm në marsin e vitit 1991.

Falë ngjarjeve të Rumanisë ajo na frymëzoi se në Evropën Lindore po vijnë tërmete që do të hidhnin poshtë diktaturën. Dhe ne në qytetin e Shkodrës me të rinj, organizuam që të rrëzojmë bustin e Stalinit. Por një natë përpara, na arrestuan kryesorët mua dhe vëllain tim e disa të tjerë. Brenda disa orësh, betohem në Zot, që trupi im ka qenë i karbonizuar”, thotë Viktori.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular