Nga Ardi Stefa
Sot po pija kafenë e mëngjesit me një shok, me të cilin politikisht jemi kundërshtarë, rreth 15 vjet më të vogël se unë, por që kishte qenë drejtor që pa mbaruar ende universitetin.
Biseda e solli tek ambicia e tij për të ngjitur shpejt shkallët e karrierës, të bëhej kryetar dege dhe në 2025-ën për të qenë deputet në vend të sigurtë në lista.
E dëgjova teksa po më fliste për luftërat e tij, se si ishte rritur me partinë, si i kishte dhënë maksimalisht kontributet e tij për partinë, etj, etj.
Pasi më llomotiti nja 20 minuta i bëra një pyetje. “A ke punuar ndonjë ditë në jetën tënde? Ke ndonjë ditë pune të siguruar jo në post partiak apo zyrë shteti i emëruar nga partia? Ke pasur ndonjëherë frikë se mos humbet vendin e punës dhe nuk ke më lekë të ushqehesh, paguash fatirat, etj?”
E mirë është “përvoja politike”, por nuk mjafton. E kundërta ndodh. “Përvoja politike” të mbështjell në një botë të vockël, të cilën, shpesh herë, tipat si shoku im e ngatërrojnë me botën reale.
Tranzicioni ynë i tejzgjatur prodhoi me shumicë tipa të tillë, të majtë e të djathtë, herë të majtë e herë të djathtë. Të gjithë ishin një prerje. Sufllaqexhinj e patronazhistë, që kërkojnë shkallët e pushtetit me arrogancë e shpejt e shpejt.
Politika për ta ishin dhe janë thashethemet, linçimi i kundërshtarit dhe llogjet e kafeve ku uleshin me gotën e whiskey- t përpara, kafenë e purot e shtrenjta.
Politika për ta ishin dhe janë pa asnjë analizë fjalët e liderit që përsërisnin, përsërisnin e përsërisnin…
Këta tipa janë “ekspertë të komunikimit”; dinë të bëjnë shoqërira pa pasur asnjë shok; të hiqen besnikë pa qenë besnikë, të shkojnë nga fryn era edhe kur flladi është zheg vape; të përmendin ndonjë filozof pa lexuar një libër në jetën e tyre; të pretendojnë se historia e forcës politike fillon me ta…
Cinizmi i tyre politik; indiferenca e tyre të lënë pa gojë…
Për një gjë jam i sigurtë. Jashtë kënetës sonë politike, për të cilën investojnë të gjithë nuk do të mund të mbijetonin…
Shumica e tyre as nuk do të kalonin një intervistë pune, nëse do të kërkonin të bënin ndonjëherë një punë të vërtetë në sektorin privat.
Jo se nuk janë të zgjuar. Zgjuarsinë e kanë, madje me tepri.
Por kujt i hyn në punë, veç tyre ajo zgjuarsi?
Pikërisht këta lloj tipash i kemi paguar shumë shtrenjtë këto 32 vite tranzicioni. Në vend që t’u japim hakun i kemi çuar në parlament, në poste qeveritare, nëpër poste të larta të administratës për të na drejtuar, pa pasur minimumin e eksperiencës.
Dhe rezultatet janë të dukshme!
Katastrofë!
Si politikisht, edhe në administrim, edhe në jetën publike…
Ka ardhur ora, madje është vonuar që vetë ne të bëjmë dallimin dhe të përcaktojmë se cilët duam të na qeverisin, të na drejtojnë, t’i vendosim në poste publike dhe të dalim për kafe apo edhe shëtitje!
Por ka ardhur edhe ora që t’i pyesim të gjithë ata që kanë ambicie politike dhe që na qëndrojnë përballë duke na kërkuar votën nëse kanë punuar ndonjë ditë në jetën e tyre…
Dhe pastaj të vendosim! T’i votojmë apo një shkelm pas…