Rama u shpreh se nuk mund të pajtohet kurrë me ata që fryjnë xhepat duke abuzuar me besimin e njerëzve dhe besimin e tij duke kthyer mandatin e shqiptarëve.

“Sot votuam një kërkesë të SPAK për të autorizuar arrestimin një deputeti që ka mbuluar detyra të rëndësishme në qeveri. Ish zyrtari më i lartë në histori që ka përfunduar në rrjetën e SPAK ishte një tjetër test për ne si udhëheqës të reformës në drejtësi. Kush më ka dëgjuar që në krye të herës duhet ta mbajë mend se e kam kërkuar me ngul, këtë reformë. Kur thashë se duam një përmbysje të sistemit të vjetër e kam menduar mirë atë që kam folur. Për sistemin e vjetër nuk e kam vetëm për kalbësirën ku pandëshkueshmëria ishte normë për shqiptarët, por kam pasur parasysh kulturën mjerane të drejtësisë së egër për njeriun e zakonshëm dhe të gjunjëzuar para njeriut me pushtet.  Asnjëherë nga vitit 1912 deri në vitet kur ne PS i hymë detit në këmbë për të nxjerrë matanë reformën, nuk kishte bërë vaki që një njeri i tillë me pushtet të trajtohej ndryshe. I vetmi rast kur një njeri me pushtet ishte dënuar nga gjykata, ai i Fatos Nanos ishte i fundit i traditës së burgosjes poltike të kundërshtarëve politikë.

Duam një drejtësi të re të pavarur nga politika e të aftë të luftojë korrupsioni ne krimin pavarësisht ngjyrave politike apo lidhjeve farefisnore. Nuk jam mjaftuar me fjalët e mëdha për reformën në drejtësi, pa vepruar. Mua këtë mision ma kanë besuar shqiptarët dhe para tyre, qoftë ata që më zgjodhën apo jo për të drejtuar këtë përpjekje historike për këtë vend të bekuar nga Zoti e të penguar nga robi.

Unë nuk pajtohem dot me askënd që abuzon besimin e njerëzve duke kthyer mandatin e shqiptarëve dhe besimin tim në mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin duke punuar për shtetin”, u shpreh Rama.