4 orë e 50 minuta, pothuajse rekord për turneun e Wimbledon por ia vlejti një finale e tillë në “Central Court” ku 20-vjeçari spanjoll Carlos Alcaraz mposhti serbin 23 herë kampion i turneve grand slam, Novak Djokovic.
Betejë e gjatë në 5 sete ku iberiku u tregua në lartësinë e ballkanasit duke mos i toleruar asnjë centimetër në fushën e lojës në sytë e shumë yjeve të artit botëror.
Seti i parë 6-1 për Nolen krijoi iluzionin se do të ishte një finale pa rivalitet por në të dytin Alcaraz rezistoi dhe triumfoi me tie break.
Në të tretin pas një lufte shumë të gjatë ishte spanjolli që mori avantazhin 6-1 dhe fitoi shumë optimizëm që gjithsesi nuk i shërbeu në setin e katërt ku Djokovic u rikthye 6-3 ndërsa në të pestin ndeshjen e vendosi loja e tretë ku Alcaraz fitoi me topat e Djokovic e më pas ruajti shërbimin e tij për të shtypur serbin i cili nuk kishte humbur një ndeshje në Wimbledon që prej 10 vitesh dhe këtë sezon kërkonte trofeun e nëntë për të barazuar Roger Federer por nuk ka doli mbanë duke u dorëzuar përballë talentit të gjeneratës së re.
Ky është turneu i dytë grand slam për Alcaraz që konfirmohet numri 1 i botës dhe vendos një rekord duke u bërë tenisti më i ri që qëndron në majën e ATP për 29 javë rresht. Alcaraz fiton 2.350.000 sterlina dhe bëhet spanjolli i tretë që fiton trofeun Church Road pas Manolo Santana dhe Rafael Nadal ndërsa diferenc e viteve mes dy tenistëve në fushë ishte 15 vite e 348 ditë.