Nevojat për mjekë zgjidhen me mirë me reforma të qendrueshme se sa me këtë ligj

0
390

PROF. MYQEREM TAFAJ

Diskutimi për projektligjin për studentët e mjekësisë është shumë i politizuar dhe duket krejtësisht formal, pasi konsiderohet si gjë e mbyllur, për shkak të kartonëve të mazhorancës në Kuvend. Në komisione qeveria shkon me nivelet e dyta dhe të treta, madje nuk pranon as t‘u përgjigjet pyetjeve. Përfaqësuesit e Universitetit të Mjekësisë të Tiranës (UMT) nuk shkojnë në Komisione ku diskutohet ligji për studentët e tyre, a thua se nuk është një ligj që e dekapiton autonominë e tij, për sa kohë e detyron UMT të mbaj peng kartonin e diplomës për 5 vite. Urdhri i mjekut është strukur, a thua se nuk bëhet fjalë për profesionistët, të cilët, me ligj, duhet t‘i përfaqësoj ky urdhër.

Përballë argumenteve që sjellin studentët, përfaqësuesit e qeverisë po tregohen shumë refraktarë dhe pa argumente logjikë. Madje, shkojnë më tej, duke tentuar ta orientojnë diskutimin publik në populizëm. Nuk është e ndershme që përfaqësues të qeverisë të shkarkojnë gjithë problematikën e mungesës së mjekëve te “patriotizmi i pamjaftueshëm” apo “atdhedashuria e pamjaftueshme” e studentëve të mjekësisë. Apo akoma më keq, kur i servirin publikut pseudoargumente, se studimet në mjekësi janë shumë të shtrenjta dhe studentët janë borxhli ndaj shtetit, a thua se prindërit e tyre nuk paguajnë taksa njëlloj si prindërit e studentëve që studiojnë shkencat teknike me kosto shumë të përafërt!

Unë mendoj se qasja e qeverisë me këtë ligj nuk e zgjidh problemin e mungesës së mjekëve, aq më tepër që zbatimi i këtij ligji kufizohet në 4 vite. Opsionet e paraqitura në relacionin e projektligjit janë shumë të varfra dhe tregojnë qartë nuk janë konsultuar mirë jo vetëm me grupet e interesit, por as edhe me stafin akademik të UMT dhe personalitete të kësaj fushe që e njohin mirë sistemin shëndetësor të vendit tonë. Opsioni i zgjedhur, i cili është sjellë në formë ligji, është tërësisht jo realist dhe nuk do ta zgjidhë problemin. Të pretendosh të izolosh studentët për 5 vjet brenda Shqipërisë do të thotë që atyre (studentëve) t‘u heqësh mundësinë e thellimit të njohurive në mjekësi, fushë e shkencës në të cilën dija vjetrohet, madje thuajse plaket, për 5 vjet! Burokratët e ministrive propozuese duhet të bëhen të vetëdijshëm se kërkesat e një shërbimi shëndetësor cilësor edhe në vendin tonë e bëjnë të domosdoshme që, çdo student/e, i cili/e cila përfundon studimet në mjekësi në vendin tonë, të thellojë njohuritë edhe në universitete dhe spitale universitare të huaja. Ndryshe nuk mund të pretendojmë që të rritet cilësia shërbimit shëndetësor në vendin tonë. A i dëgjojnë këta burokratë studentët se sa të pakënaqur janë me cilësinë e studimeve universitare? Po a mund të ketë cilësi të niveleve internacionale në formimin e mjekëve me një buxhet për student 15 herë më të vogël se sa mesatarja e vendeve të OECD?

Mua më duket se ky opsion i është servirur qeverisë ose nga mungesa e profesionalizmit të burokratëve ose ka një arsye të fshehur: të rriten tarifat e studimeve universitare në mjekësi. Ai nuk të çon në një zgjidhje të qëndrueshme të sigurimit të numrit të nevojshëm të mjekëve, sepse bazohet në parimin e detyrimit kundër interesave të studentëve, synon të izoloj mjekët e rinj për 5 vite brenda kufijve të vendit, vepron vetëm 4 vite, dhe, duke qenë kaq detyrues për studentët dhe kaq i diskutueshëm edhe në raport me Kushtetutën, ai mund të shfuqizohet menjëherë nga një mazhorancë tjetër qeverisëse.

Numri i pamjaftueshëm i mjekëve është pasojë e politikëbërjes në këtë sektor dhe jo faj i studentëve që paskan prirje të emigrojnë, çka nuk është fare e vërtetë. Asnjë mjek nuk dëshiron të lë vendin e tij nëse ka mundësi të ushtroj me dinjitet profesionin dhe të fitojë mjaftueshëm për të jetuar si një profesionist pjesë e shtresës së mesme të shoqërisë. Ky profesion është i kërkuar edhe në vendin tonë dhe profesionistët me nivel të mirë shkencor mund të ndërtojnë shumë mirë jetën e tyre në Atdheun e tyre.

Sidoqoftë, ky problem është real dhe kërkon zgjidhje racionale dhe të qëndrueshme. Është e sigurt se tregu internacional për mjekët do rritet dhe do të jetë gjithnjë e më atraktiv për mjekët e rinj të vendeve që nuk afrojnë kushte atraktive të ushtrimit të profesionit, përfshi edhe vendin tonë. Prandaj zgjidhja duhet të jetë e qëndrueshme dhe racionale.

Mungesat në mjekë, sipas relacionit të këtij projektligji, hasen në spitalet rajonale të qarqeve e rretheve, si dhe në shërbimin parësor të qendrave shëndetësore në njësitë administrative të vendit. Kjo kërkon që problemi të adresohet sipas niveleve përkatëse.

Le të marrim spitalet rajonale. Sistemi ynë shëndetësor është akoma i bazuar tek QSUT, ndërkohë që spitalet rajonale vuajnë nga mungesa e shërbimeve mjekësore të kualifikuara, për shkak të mungesës së mjekëve me kualifikim të lartë në to, edhe pse për këto spitale janë harxhuar fonde pa fund. Kjo ka ardhur si pasojë e interesave, të shumë palëve, për të monopolizuar shërbimet e kualifikuara mjekësore në QSUT. Pasojat i vuajnë qytetarët që duhet të vijnë nga rrethet dhe të ropaten në QSUT edhe për shërbime që mund të realizoheshin shumë mirë në spitalin rajonal qendër-qarku.

Po pse mjekët me shkallë të lartë kualifikimi nuk parapëlqejnë të drejtojnë shërbimet në spitalet rajonale? Thjesht se këto shërbime nuk kanë status institucional dhe nuk janë të pajisur për të qenë atraktiv për mjekë me shkallë të lartë kualifikimi. Ka ardhur koha për një ndryshim rrënjësor të spitaleve rajonale. Duhen fuqizuar shërbimet e specializuara në spitalet rajonale – homologe me ato të QSUT. Kur është krijuar UMT, një nga synimet ishte që klinikat universitare të UMT të merrnin përsipër gjithë udhëheqjen shkencore profesionale të shërbimeve të spitaleve rajonale. Unë do të shkoja akoma më tej. Shërbimeve të spitaleve rajonale mund t’u jepej një status i dyfishtë: ato janë, nga ana administrative, pjesë e spitalit rajonal, ndërsa nga ana shkencore, mund të konsiderohen si nënnjësi të shërbimeve/klinikave të UMT/ QSUT. Shefat e shërbimeve të spitaleve rajonale mund të kenë status të punësimit të dyfishtë, drejtues shërbimi në spitalin rajonal dhe pedagog me kohë të plotë në klinikën/shërbimit përkatës të UMT. Kjo është plotësisht e mundur edhe nga ana logjistike, sepse shumica e spitaleve rajonale (qendër-qarku) arrihen nga Tirana për një kohë deri 2 orë. Dhe ky status duhet të reflektohet në pagë si dhe në kriteret e rekrutimit të shefave të shërbimeve në spitalet rajonale. Në këtë mënyrë, këto pozicione në spitalet rajonale, do të bëheshin atraktive për mjekët me shkallë të lartë kualifikimi që janë në Shqipëri ose ata që janë jashtë dhe dëshirojnë të kthehen, madje edhe për profesorët apo profesorët e asociuar të UMT. Rritja e nivelit cilësor të shërbimeve në spitalet rajonale do të rritë cilësinë e shërbimit rajonal. Nga ana tjetër, kjo krijon mundësi, që gradualisht disa nga spitalet rajonale të akreditohen si spitale universitare.

Relacioni i këtij projektligji injoron çdo mundësi zgjidhjeje të problemit të mjekëve në kuadër të studimeve specializuese afatgjatë. A mund të ndërmerrej një reformë e këtyre studimeve dhe viti i parë i tyre të realizohej si mjekë të përgjithshëm të shërbimit parësor dhe në spitalet rajonale e të rretheve nën udhëheqjen e përbashkët të një profesori të UMT dhe të shefit të shërbimit të spitalit rajonal me një shkallë të kërkuar kualifikimi. Ky model ekziston edhe në vend të tjera, ku specializimi nuk realizohet gjithë kohën pranë klinikës universitare. Nëse do të bëhej një reformim i tillë, atëherë çdo mjek specializant do të bënte vitin e parë të specializimit në spitalet rajonale. Kjo nuk e cenon aspak nivelin e specializimit. Përkundrazi e rrit atë, sepse mjekët e rinj do të kishin mundësi të fitonin një përvojë praktike shumë më të mirë, përpara se të thelloheshin në një specializim shumë të ngushtë. Kjo reformë e studimeve të specializimit duhet të zhvillohej pas ose paralelisht me atë të shërbimeve të specializuara të spitaleve rajonale. Ndoshta ky opsion mund të ishte shumë më realist për sigurimin e numrit të mjekëve në rrethe.

Kjo kërkon:

– Të behet realitet kërkesa e kohës, sipas së cilës, çdo mjek i ri të ketë mundësi reale për t’u specializuar;

– Të gjithë mjekët e rinj specializohen me vend pune si mjek i licencuar i përgjithshëm dhe paguhen me pagë të plotë, madje të rritur;

– Reformë të kurrikulës së specializimeve në mjekësi, në të cilën viti i parë është shërbim parësor nën udhëheqjen e shefit të Shërbimit të Spitalit Rajonal dhe një pedagogu me kualifikimin e nevojshëm akademik të UMT;

– Reformën e studimeve universitare në mjekësi, për të shkuar tek modeli i shumë vendeve, sipas të cilit viti 6-të është vetëm stazh profesional, i cili kryhet nën udhëheqjen e një pedagogu të fakultetit dhe shefit të shërbimit të spitalit rajonal. Këtë përvojë e ka pasur vendi ynë për disa vite para 1990. Ky stazh në vitin e fundit të studimeve universitare, do të forconte formimin praktik të studentëve të mjekësisë përpara dhënies së provimit të shtetit dhe licencimit si mjek i përgjithshëm. Nga ana tjetër, me këtë vit të stazhit, çdo mjek i ri që përfundon studimet në Shqipëri do të punonte dy vjet në shërbimin parësor, një vit si stazhier, dhe një vit tjetër si mjek i përgjithshëm i licencuar në vitin e parë të specializimit.

Gjithashtu, qeveria mund të aplikonte një program Brain Gain, duke u fokusuar në thithjen e mjekëve shqiptar të kualifikuar që dëshirojnë të kthehen dhe të drejtojnë shërbimet e specializuara në spitalet rajonale, duke qenë njëherazi edhe pedagogë të UMT. Një program i tillë është tërësisht i mundur edhe nga ana buxhetore.

Nëse do aplikohej ky model nuk ka nevojë për ligj. Janë ndryshime që realizohen me VKM dhe udhëzime. Nga ana tjetër, ky model do të siguronte një zgjidhje të qëndrueshme dhe do të kishte efekte të qarta pozitive në plotësimin e nevojave të shërbimit parësor, fuqizimin e spitaleve rajonale, si dhe rritjen e cilësisë së formimit të mjekëve të rinj, sidomos të formimit praktik, si gjatë studimeve universitare ashtu edhe të specializantëve në mjekësi.

Unë mendoj se ka akoma kohë që qeveria të mendoj për një zgjidhje më racionale dhe më të qëndrueshme, e cila, ndoshta e bën të panevojshëm edhe një ligj të tillë të përkohshëm dhe jo realist.

Uroj që deputetët me përvojë në fushën e shëndetësisë, që janë aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë, nga grupet parlamentare të shumicës dhe të opozitës, të kontribuojnë për një qasje më racionale, më realiste dhe më të qëndrueshme të problematikës së numrit të ulët të mjekëve në sistem dhe të shmangin shkarkimin e zgjidhjes së këtij problemi vetëm në kurriz të studentëve dhe mjekëve të rinj të 3-4 viteve të ardhshme.