Partizani u eliminua në turin e parë të Champions League. Skuadra e Zoran Zekiç kishte barazuar 1-1 në ndeshjen e parë ndaj Bate Borisov, ndërsa sonte u mund 2-0 në Városi Stadion (Mezőkövesdi), në Hungari.
Të kuqtë pretenduan për penallti në minutën e dytë pas një rrëzimi në zonë të Mba, por arbitri nuk ndau të njëjtin mendim. Më pas, po Christian Mba iu afrua disa herë golit, pa mundur dot të dërgojë topin në rrjetë.
Bjellorusët nuk rrezikuan pothuajse fare portën e kundërshtarit në pjesën e parë. Murataj shkaktoi drithërima me një goditje të bukur në minutën e 31-të, por gjeti përgjigjen e portierit Kudravets.
Bate Borisov e nis me një gafë në prapavijë pjesën e dytë, gjithsesi gabimi nuk u shfrytëzua si duhet nga Da Silva. Pak më vonë, Murataj u gjend i vetëm me portierin, sërish pa konkluzion.
Kur nuk shënon, e pëson. Rregulli i pashkruar i futbollit u vendos në funksion në minutën e 70-të, kur Malkevich zhbllokoi ndeshjen, pas një goli me kokë.Shestyuk A. dyfishoi shifrat, me golin e tij në fund.
Kështu, Partizani do vazhdojë rrugëtimin europian, teksa do luajë në turin e dytë të Conference League ndaj ekipit nga Andorra, Athletic Escaldes.