Basha: Mjekët nuk mbahen me detyrim, por duke u përmirsuar kushtet e punës e rritur pagat
Në kulmin e skandaleve e fakteve tronditëse që tregojnë se si kjo qeveri vepronte si organizatë kriminale për të mbushur xhepat e një grushti njerëzish – kërkojnë t’u ndalojnë të drejtën studentëve të mjekësisë të punojnë dhe jetojnë aty ku ata duan.
Me ligje anti-kushtetuese dhe anti-demokratike pretendojnë të ndalojnë mjekët të largohen nga vendi. Me këtë ritëm kjo qeveri mund të kërkojë të mbyllë dhe kufinjtë, që të ndalojë emigracionin. Por si mjekët edhe të rinjtë e këtij vendi largohen se nuk kanë mundësi, nuk kanë kushte, nuk kanë punë e paga dinjitoze, largohen nga keqqeverisja e një qeverie që vetëm për hallet e qytetarëve nuk shqetësohet.
Mjekët mund t’i mbash jo duke i detyruar, duke i kërcënuar, por duke krijuar kushte më të mira pune e paga dinjitoze. Mënyra arrogante e qeverisë vetëm do t’i nxisë më shumë për t’u larguar në mundësinë më të parë.
Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve për bujqësinë të programit IPARD tregon babëzin e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE.
Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve dhe llogaritë e oligarkëve do t’i mundësonin çdo qeverie t’u krijojë kushte studentëve të mos largohen e fermerëve subvencione për bujqësinë.
Partia Demokratike do t’u ofrojë shqiptarëve një model që mishëron kulturën e re politike të ndërtuar mbi aktet dhe veprat e qendrestarëve, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që mbrojtën me vendosmëri vlerat dhe parimet që janë në themel të forcës sonë politike:
🔘 Aleancë e qartë me partnerët strategjikë;
🔘 Lufta pa kompromis ndaj korrupsionit;
🔘 Për pastrimin e politikës, duke u dhënë fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësues me integritet.
Mbi këto parime, Partia Demokratike ka nisur procesin e riorganizimit, për t’i shërbyer shumicës së shqiptarëve, që kanë braktisur modelet e vjetëruara dhe kërkon një ndryshim të vërtetë!