Nga Red Varaku
Nisur nga interpretimi që Veliaj i bën sulmit të BIRN ndaj tij dhe etiketimit ndaj gazetares kurajoze Ola Xama, sulm që ai e konsideron përpjekje të dështuar për ta vrarë atë politikisht përmes një “vrasësje me pagesë”, pyetja që lind është kush është porositësi i “vrasjes” që po insinuon Veliaj?
Kush është ai që ka fuqi t’i shpallë luftë njeriut të Ndranghetës, njeriut të dytë më të fuqishëm në PS ? Kush ka interes për eliminimin e tij politik pikërisht tani që ngrehina e PS po shembet dhe kur ai konsiderohet pasardhësi natyral i Ramës?
Në çdo rast përgjigja do të ishte e thjeshtë sepse eliminimi politik i tij do t’i atribuohej vetëm opozitës dhe kjo është krejt normale në një betejë politike, por në rastin konkret ai nuk akuzon opozitën dhe ajo që e komplikon përgjigjen e këtyre pyetjeve është pikërisht fakti që ky sulm u bë nga frëngjia e BIRN ( qe financohet nga institucione të krijuara nga Soros), pra nga vetë kumbari politik i Veliajt.
Një tjetër element që e komplikon përgjigjen për këto pyetje ( gjithmonë nisur nga interpretimi i Veliajt) është se në kushtet ku ndodhet PS aktualisht një goditje e tillë në mos është bërë nga vetë Rama ,është bërë padyshim me lejen e tij, sepse askush tjetër nuk e ka shansin as ta mendojë përballjen me Veliajn.
Rrjedhimisht, nëse vërtetë pas këtij sulmi fshihet dhe vullneti politik i Ramës, atëherë disa pyetje janë të pashmangshme.
Përse i duhet atij pikërisht tani eliminimi politik i Veliajt, “birit” të tij shpirtëror dhe pasardhësit të tij politik, aq më tepër që kjo sulmi ndaj Veliajt u realizua pikërisht në kohën që Belinda Balluku ndodhej në DASH?
Nëse Veliaj duhet të eliminohet atëherë çfarë ka ndryshuar në skemën e Ramës dhe pse nga pasardhës, sot Veliaj është kthyer në kërcënim për Ramën?
A mos ndoshta Veliaj po goditet sepse ka pranuar të marrë pjesë në këtë skenar të SHBA-ve për ndryshimin politik që pritet të provokojnë goditjet e SPAK?
A po “përdoret” Ahmetaj si detonator për të goditur çdokënd që do të tentojë bashkimin me skenarin e SHBA-ve për likujdimin politik të Ramës, ndaj Rama në këmbim i mundësoi atij arratisjen?
A është goditja e Veliajt apo arratisja e Ahmetaj kundërpërgjigje e Ramës për të bllokuar një skenar politik të SHBA-ve që synon rrëzimin e tij përmes Reformës në Drejtësi?
Të gjitha këto janë pyetje që sigurisht do të marrin përgjigje në muajt në vijim dhe episode të tilla do të shohim edhe më shpesh, por ajo që është e qartë është se zanafilla e këtyre zhvillimeve gjendet tek vullneti i palëkundur i SHBA-ve dhe lufta antikorruspion e sapo shpallur nga SPAK me arrestimin e Dakos dhe Ahmetajt dhe paralajmërimet për goditje të tjera.
Rezistenca e aktorëve të korruptuar do të prodhojë konfrontime periferike, apo qoftë edhe “viktima” politike, “kaçakë” politikë apo “vrasës me pagesë”, siç po dëgjojmë, por ndryshimi politik që po vjen është i pandalshëm, jo vetëm për faktin se këtë ndryshim po e nxit SHBA, por edhe për faktin se është një ndryshim të cilin po e kërkon e gjithë shoqëria.
*ky koment është një përpjekje për të dekripruar strikt mesazhin e Veliajt dërguar gazetares kurajoze të BIRN Ola Xama