“Ky është ndër momentet e mia më të mira”, Hysaj: Champions me Lazion? Ëndrra e të gjithëve të luajnë në këto nivele

0
235

Elseid Hysaj e nisi shumë mirë fazën përgatitore me Lazion, teksa shënoi gol që në start, duke dhënë një mesazh të qartë për trajnerin dhe drejtuesit se e meriton një fanellë titullari edhe këtë sezon. Në një intervistë për “Lazio Style Channel”, Hysaj u shpreh:

“Ndihem në formë, kampi stërvitor po shkon shumë mirë. Po punoj me të gjithë ekipin, do të jemi gati për fillimin e kampionatit. Kur je në një ekip prej 22 lojtarësh, e di që ka ulje dhe ngritje, duhet të dish të presësh momentin tënd. Ky është ndër momentet e mia më të mira. Ia dola mirë sezonin e kaluar, do të bëjmë edhe më mirë këtë vit”.

Sarri – “Trajneri ka ndryshuar pak, por për më mirë. Ai ende kërkon atë që mund të arrini, gjithmonë dëshiron të arrijë sa më lart. Të gjithë thonë: Ke luajtur me të për gjashtë vite, kështu që është më e lehtë për ty. Sidoqoftë, është gjithmonë e vështirë të hysh në fushë dhe të japësh më të mirën për çdo futbollist.

Momenti im më i mirë me Sarrin? Po, padyshim, po ecim mirë. Kemi bërë një sezon të mirë, kemi një ekip të fortë dhe sigurisht që do të bëjmë mirë sërish në sezonin e ri.

Si mund të rritet mbrojtja e Lazios? – Nëse përfundojmë të parët, është edhe më mirë, duhet të synojmë për më lart. Me sulmuesit që kemi, mund të shënojmë gjithmonë, gjëja e rëndësishme është të mos pësojmë.

Champions League? Sigurisht që është gjëja më e mirë për një lojtar, të luash kundër ekipeve si Real Madridi dhe në stadiume të bukura. E provuam dhe ia dolëm. Champions-i është ëndrra e të gjithë fëmijëve që luajnë futboll.

Tifozët? Është e bukur, të gjithë ishim fëmijë dhe të gjithë donim të ishim pranë një futbollisti. Duhet t’iu jemi mirënjohës, t’i falënderojmë dhe të bëjmë mirë punën tonë”.