“Thuaj atij kunatit tënd, Enverit, të rijë mirë, se ka dalë urdhri dhe do ta arrestojnë”/ Dëshmia e rrallë e ish-zv/ministrit të Brendshëm: Qazim Mulleti i tha Omarit se…

0
296

Nga Dashnor Kaloçi

 “Miladini, duke thënë se forumi i partisë është provizor, tha që do të jetë një Sekretar i Përgjithshëm dhe ai të jetë Enveri, se ky ka dhe kunatin (Bahriun) në shtëpinë e të cilit strehohet dhe se aty nuk e arreston njeri”.

Dëshmia e bujshme lidhur me caktimin e Enver Hoxhës në krye të Partisë Komuniste Shqiptare në 8 nëntorin e ’41-it, për të vetmin fakt se ai ishte nën mbrojtjen e kunatit të tij, Bahri Omarit, asokohe eksponent i njohur i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, vjen prej 92-vjeçarit Nexhmi Ballka, ish-zv / Ministrit të Brendshëm në vitin 1945, i cili në sajë të detyrës që mbulonte, në shkurt-marsin e vitit 1945, u thërrit nga prokurori Bedri Spahiu, për të ndjekur seancat e “Gjyqit Special” ku u ekzekutuan 17 ish funksionarë të lartë, eshtrat e të cilëve u gjetën para pak ditësh tek Kodra e Priftit. ( intervistë, z. Ballka, e dhënë në vitin 2004, pak kohë para se të ndërronte jetë)

Zoti Nexhmi, ku keni shërbyer në vitin 1945, kur filluan hetimet për ‘Gjyqin Special’, ?

Kur u krijua pushteti në Tiranë, mua më caktuan në Ministrinë e Brendshme, si Drejtor i Përforcimit të Pushtetit. Aty, unë drejtoja edhe nja katër drejtori të tjera, sepse nuk kishte zv/ministra. Aty isha vetëm unë me kolonel Haxhi Lleshin, i cili ishte ministër i Punëve të Brendshme, që nga formimi i qeverisë në Berat dhe unë kryeja funksionin e zv/ministrit.

Kush ju caktoi në atë detyrë?

Zv/kryeministri Koçi Xoxe i bënte emërimet, ai më thirri në zyrën e tij në kryeministri dhe ma komunikoi detyrën.

Kur filloi arrestimi i atyre që u quajtën kriminelë lufte?

Këtë nuk e di, se arrestimet i bënte Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, por unë u njoftova nga Bedri Spahiu. Ai më tha se do të arrestonin ata që kanë mbetur këtu, pra që nuk ishin larguar jashtë në nëntorin e ’44-ës, dhe se ai ishte caktuar Prokuror i Përgjithshëm.

Në atë kohë Bedriu, më kërkoi të merrja nja dy shokë të Drejtësisë dhe të zinim një lozhë, prapa atyre të Ministrisë së Brendshme. Më tha të kisha kujdes, kur ai të polemizonte me të pandehurit, të vëreja që të mos shikoja ndonjë gabim te ai. Unë mora Bilbil Klosin dhe Shemsi Totozanin, se ata ishin shumë të përgatitur, pasi kishin studiuar Drejtësi në Francë.

Ndërhyri Bedri Spahiu, tek Enveri për mos ekzekutimin e Bahri Omarit?

Nuk e di këtë, por di të them se Bedriu, nuk shkonte fare me Enverin, madje ai nuk bisedonte fare me të. Edhe në mbledhjen themeluese të Partisë më 8 nëntor 1941, vetëm pse ishte Enveri aty, Bedriu nuk mori pjesë.

Gjatë Luftës, është strehuar Enveri tek familja Omari?

Jo vetëm që është strehuar, por Enver Hoxha është ushqyer me bukë nga Omari, se ai kishte motrën e Enverit. Bahriu ka ndërhyrë edhe kur ishte në Tuluzë të Francës për t’i dhënë bursën Enverit, pasi ai edhe pse ishte kundër Zogut, kishte njerëz të njohur këtu. Të të them një episod të njohur ,që ma ka treguar Shemsi Totozani. Shiko si është puna. Kur u bë bashkimi i grupeve komuniste, pra disa kohë para nëntorit ’41 dhe do formohej Partia, erdhi puna e forumit kryesor, pra e atyre që do e drejtonin Partinë, u shtrua pyetja: kë do të vëmë.

Koci Xoxe qe në burg, Miladini që ishte i dërguar i Kominternit, d.m.th, qe i internuar në Peqin dhe i mori ai peqinsi, ai Mustafa Gjinishi me veturë dhe i solli këtu në Tiranë të dy, bashkë me Mugoshën. Tashti aty doli problem se kush të bëhej kryetar i forumit. Njëri tha të vëmë Qemal Stafën, Qemali tha: “Nuk bëhem, se unë kam punë me rininë”.

Dikush tha të vëmë Vasil Shanton. “Jo mor axhë” tha ai shkodrani. Deri këtu nuk foli Meladini, pastaj tha: “Qoftë forumi, qoftë Partia, do të jenë provizore, pasi një parti nuk bëhet pa kongres”. Miladini, duke thënë se forumi i partisë është provizor tha, që do të jetë një Sekretar i Përgjithshëm dhe ai të jetë Enveri, se ky ka dhe kunatin (Bahriun) në shtëpinë e të cilit strehohet dhe se aty nuk e arreston njeri.

Miladini e tha këtë në mbledhje?

Po, Miladini tha, “mirë të bëhet Enveri”. Aty qe edhe Koço Tashko, i cili e mori Enverin nga rruga. Miladini qe shumë i formuar, ishte profesor në Mal të Zi.

Vetëm pse ishte kunati i Omarit, nuk e arrestonin italianët Enver Hoxhën?!

Italianët e arrestonin, por Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti nuk e arrestonte, për hatër të Bahriut, të cilin e kishte mik të ngushtë që nga koha e emigracionit antizogist, ku për vite të tëra kanë qenë bashkë jashtë shtetit, si në Itali, Francë, etj. Qazimi ka qenë njeri me kulturë të madhe, pasi ishte shkolluar në Turqi dhe i diplomuar në një nga universitetet e njohura të Austrisë. Po kështu ai ishte dhe shumë influent në qarqet më të larta të qeverisë së asaj kohe. Nuk qëndron ajo që thuhet për të në komedinë “Prefekti”.

Deri në çfarë periudhe ka qëndruar Enveri tek Omari?

Vazhdimisht, deri sa iku në Labinot. Shkonte dhe në vende të tjera, por vetëm për një ditë. Enveri më shumë aty rrinte dhe Bahriu teksa bisedonte me të, i thoshte: “Enver, ne s’jemi dakord, por ti bëj çfarë të duash”.

Si e kujtoni Gjyqin Special?

Gjyqi Special vazhdoi disa ditë. Di të them se pati njerëz që dëshmuan pro të pandehurve, pasi atëhere lejohej dëshmitari për të pandehurit. Por nga pjesëmarrësit në sallë, u hodhën fjalë emocionale që ata që dëshmuan pro të pandehurve, të arrestoheshin.

Si e kujtoni dhënien e vendimit?

Di të them se, kam ndier shumë keqardhje.

Dihej më përpara, se ata do të dënoheshin me vdekje?

Jo nuk dihej, ne menduam që nuk do i t’i vrisnin.

Mendoni se ata ishin “tradhtarë dhe armiq të popullit” siç u akuzuan në gjyq?

Shiko, tradhtar jo. Ata ishin me aktivitete patriotike.

Pas vendimit të gjyqit, cili ishte reagimi i Bahri Omarit?

Ata ishin shumë të përgatitur dhe pas vendimit të gjyqit, kur po i merrnin për t’i dërguar në burg, Kol Tromara, Bahri Omari dhe ata të tjerët, u mbërthyen prej krahësh dhe dolën nga salla duke kënduar këngë për flamurin.

Kur e mësuat ekzekutimin e tyre?

E mësuam menjëherë, ma tha Bedri Spahiu.

Pati ndonjë pendesë më pas Bedriu për dënimet?

Unë nuk kam biseduar me të, pasi më arrestuan shpejt.

Për çfarë jeni dënuar?

Herën e pare, më akuzuan “për tradhti të lartë ndaj atdheut dhe agjitacion e propaganda”, pasi isha në Grupin e Deputetëve. Ndërsa herën e dytë, vetëm për “agjitacion e propagandë”

Qazim Mulleti: “Bahri, largoje Enverin nga shtëpia”

Gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, Bahri Omari me familjen e tij qëndroi për shumë kohë në emigracion në Itali dhe Francë, me statusin e azilantit politik. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste e Benito Musolinit, ai u kthyer në Tiranë dhe në vitin 1943, shërbeu si Ministër i Jashtëm, në qeverinë shqiptare që ishte nën pushtim. Duke qenë se ai nuk kishte shtëpi në Tiranë, banoi tek “Pazari i Ri” në një shtëpi me qera të cilën ia mori Qazim Mulletit.

Tek ajo shtëpi e Omarit, për më shumë se dy vjet, ka banuar edhe kunati i tij, Enver Hoxha. Kur aty në atë shtëpi, nuk ndodhej Bahriu, Enverin shkonin për ta takuar, disa nga eksponentët kryesorë të Partisë Komuniste, si: Mustafa Gjinishi, Nako Spiro etj. Lidhur me këtë gjë, 92, vjeçari, Nexhmi Ballka, ish-zv/ Ministër i Brendshëm në vitin 1945, dëshmon: “Në atë kohë këtu në Tiranë, prefekt ishte Qazim Mulleti. Ai vete një ditë në shtëpinë e Bahriut dhe në korridor sheh Enverin. Hyn në dhomën e pritjes dhe në këtë kohë, Bahriu i thotë: “Hë mo, ç’ke”?!

Dhe Qazimi i përgjigjet: “Ai kunati tënd, malun, e di ti ç’është”?! “Unë – tha Qazimi, – vetëm pse është kunati tënd, nuk e arrestoj, se je ti. Por ai kapteri im që është aty jashtë, po ta zërë, ka urdhër ta arrestoj, si nga Jakomoni dhe nga qeveria, e cila në vend e pushkaton. Thuaj të rri mire, se del hapur fare”. Bahriu i tha: “I kam thënë gomarit, por çfarë t’i bëj, del në korridor dhe në penxhere”. “Po ja këto të mos i bëj, – i thotë Qazimi, – se një ditë, do të më veshë mua në pozitë, prandaj po ta them. Se mua nuk më dhimbet për atë kokë, por është kunati tënd dhe po ndodhi, mos e kërko tek unë”./Memorie.al