Ardi Stefa
Si do të jetë Shqipëria pas pesë vitesh?
Për shumicën, ndoshta, më keq se ç’është aktualisht, për disa të tjerë më mirë. Por për të diskutuar seriozisht të nesërmen, është e nevojshme të flitet qartazi, hapur e pa kompjekse për të shkuarën dhe të sotmen.
Vitet e fundit ka mbizotëruar qasja ndaj tranzicionit në një mënyrë që mbithekson karakteristikat e tij negative. Disa përgjigjen se karakterizime të tilla shtrembërojnë realitetin. Ata nuk e kanë gabim: dihet, për shembull, se, pavarësisht deficiteve serioze, periudha e pas viteve ’90 ishte periudha më demokratike dhe më e pasur në historinë e Shqipërisë. Nga ana tjetër, megjithatë, qasja kritike ndaj saj nuk është e pajustifikuar, pasi të gjithë e dimë rezultatin që pati.
Që termi “Tranzicion” përdoret në një mënyrë që thjeshton një realitet kompleks nuk është domosdoshmërisht negativ. Por për të sqaruar peizazhin, është e nevojshme të theksohet se përdoret për të përshkruar një realitet të tërë politik dhe social, pra një grup praktikash. Shumë keqkuptime zgjidhen kur nënvizohet se Tranzicioni, në këtë kontekst, nuk është vetëm viti 1990 e këtej. Megjithatë, për të mos tejmbushur termin dhe për të ruajtur dobinë e tij, ia vlen të shqyrtohen dy data të tjera kyçe që kontribuan në krijimin e realiteti që na shqetëson sot.
E para është në vitin 1944. Sot, kontributi i diktaturës komuniste në atë që ne e quajmë tranzicion është harruar. Por ishte e rëndësishme. Nga njëra anë, ai minoi konceptin e lirisë individuale dhe një sërë vlerash tradicionale (p.sh. rendi, ligji, detyra etj.) të cilat, megjithëse të nevojshme për funksionimin e çdo shoqërie, u identifikuan me autoritarizmin e diktaturës së proletariatit, e cila i miratoi si një mjet për ta legjitimuar atë, duke hiperbolizuar, në këtë mënyrë, praktikat diktatoriale.
Pason periudha pas vitit 1990, i cili kryesisht na lë trashëgim dominimin në hapësirën e ideve të një demokracie primitive, anarshiste, një “radikalizmi adoleshent”, shfaqja e të cilit kontribuoi si në margjinalizimin afatgjatë të së majtës, ashtu edhe në nevojën për ofertë ideologjike si një reagim normal ndaj komunizmit.
Këto ide u konsoliduan pas vitit 1991, pasi shartuan një kontratë të re shoqërore, e cila në emër të idealeve të djathta demokratike bazohej në institucionalizimin e grabitjes së paparë të pasurisë së vendit, por edhe të brezat e ardhshëm, nga një koalicion i gjerë interesash të mëdha, të mesme dhe të vogla, duke e çuar kështu vendin në degjenerimin e institucioneve, shpërbërjen e shtetit dhe shpërbërjen e shoqërisë.
Këto 32 vite demokraci ndoshta janë periudha e tejzgjatur e tranzicionit tonë, por pa diskutim janë edhe periudha më e mirë e shtetit shqiptar. Natyrisht që zhgënjimi ynë është shumë i madh, pasi pritshmëritë tona në vitet ’90 ishin të shumta, por edhe ndryshimet janë gjigande.
Tranzicioni i tejzgjatur 32- vjeçar na ka bërë të jemi defiçitarë në aspektin ligjor, në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe të një drejtësie të verbër, në aspektin social, ekonomik, industrial, në raportin individ-shtet, në shëndetësi, arsim e turizëm.
*
Si nocion, tranzicioni është shumë i përgjithshëm dhe interpretohet me shumë mënyra të ndryshme.
Tranzicioni kuptohet si periudha e kalimit nga diktatura 45- vjeçare komuniste në një sistem demokratik në vitin 1991.
Por në diskusin publik tranzicioni ka interpretime të ndryshme për tranzicionin: Kur fillon, cilat janë fazat; nëse ka përfunduar ose jo, kur do të përfundojë, etj. Në thelb secili i jep tranzicionit një përmbajtje të ndryshme.
Për një pjesë të madhe tranzicioni (lexo: demokracia) është përgjegjës, për të gjitha të këqijat e shoqërisë sonë.
Është një qëndrim shumë problematik, për disa arsye. Do të përmend vetëm dy.
E para është diskreditimi i ndryshimeve që çuan në demokratizimin e shoqërisë dhe institucioneve, nga rënia e diktaturës deri te zgjedhjet e “lira” me votë të “lirë”.
E dyta është se “sulmi” ndaj tranzicionit përdoret për të delegjitimuar demokracinë, të drejtat dhe liritë, të cilat mirë ose keq i kemi.
Tranzicioni shqiptar me të gjitha problematikat e tij i kanë rrënjët në veçantinë e historisë së Shqipërisë, veçanërisht në periudhën 45 vjeçare të diktaturës komuniste.
Ndryshe nga shumë vende të tjera të Lindjes Komuniste, Shqipëria nuk bëri ndonjëherë ndonjë revolucion, por një kalim të pushtetit nga nomenklatura e lartë komuniste, në një nomenklaturë të “mesme” e “të ulët”, po komuniste. Kjo, sepse disidenca politike ishte zhdukur në gjithë këto vite, lëvizjet intelektule pothuajse nuk ekzistonin, mendimi ndryshe politik, artistik, intelektual, fetar e institucional ishin vrarë që në embrion, terrori shtetëror ishte në apoteozë.
Tranzicioni i tejzgjatur u mbajt në këmbë nga elitat politike, të cilat nuk qarkulluan, por u emëruan në vitin 1990- 1991 dhe që e mbajnë ende peng politikën, shoqërinë, Shqipërinë. Elitat e reja në tranzicion ishin vazhdimi i elitës së vjetër të Enver Hoxhës. Këto elita të emëruara, folën për katarsis, por katarsisin nuk e bënë, duke u imponuar shqiptarëve realitetin e ri në dukje, por të vjetër në thelb.
Dhe pikërisht këto elita politike ushqejnë krimin dhe vrasin shpresën e shqiptarëve për ndryshim.
Fakti që këtu e 32 vite Shqipërinë e qeverisin tre emra dëshmon se ende në vitin 2023 e konsiderojmë veten sistem komunist si organizim. Partinë-shtet e kemi zëvendësuar me 2-3 parti- shtet, të cilave u njohim forcën e kryetarëve dhe jo të ligjit. Të gjithë e shohim politikën si trampolinë dhe nuk bazohemi tek meritokracia, vlerat, vizioni. Ndërkohë që zgjedhjet i shohim si pazar duke shkatërruar konceptin e demokracisë funksionale, shanset që mund të kemi për zhvillim.
Por sa do të zgjasë derisa të përmbyllet periudha e tranzicionit politik, ekonomik e shoqëror shqiptar? Ndoshta disa vite, ndoshta edhe disa dekada. Patëm shansin që të përmbyllnim tranzicionin në vitet e para, por viti 1996 me grabitjen flagrante e të hapur të zgjedhjeve, viti i përgjakshëm e barbar 1997, viti 2005 apo viti 2013 mund të ishin pikënisja. Por gjithçka në këto e pas këtyre viteve dëshmoi se elitat shqiptare nuk e dëshironin përmbylljen e tranzicionit dhe shqiptarët nuk kanë qenë kurrë të gatshëm për një shoqëri e demokraci liberale e ligjore, e cila të garantonte funksionimin e shtetit të së drejtës, lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, profesionalizmin dhe integritetin e atyre që na përfaqësojnë në politikë dhe në institucione, korigjimin e plagëve dhe padrejtësive të së kaluarës, etj.
Elitat shqiptare dështuan të krijonin një shtet normal demokratik, sepse ato zbuluan shijen e pushtetit dhe të pasurimit marramendës përpara se të zbulonin shijen e lirisë dhe të drejtësisë shoqërore.
Shqipëria dështoi në krijimin e një kulture të shëndetshme politike, të të pasurit parti politike funksionale dhe lidership politik të efektshëm, të ndershëm e bashkëkohor, që funksionon në të gjithë vendin.
Në këto 32 vite Shqipëria nuk pati një sistem gjyqësor të konsoliduar për shkak të ndërhyrjeve dhe dëmtimeve që i solli atij politika.
Tranzicioni i tejzgjatur bëri që shqiptarët të vriten, të priten e grihen për pronën shpesh herë të tjetërsuar e grabitur “me ligj”.
Por kur do të përfundojë tranzicioni në Shqipëri?
Tranzicioni vazhdon dhe do të vazhdojë për sa kohë bashkëpunëtorët dhe pjellat e diktaturës nuk u dënuan kurrë për krimet e tyre dhe qarkullojnë të lirë.
Për sa kohë arroganca e tyre do të ekzistojë kur takohen në rrugë me viktimat e tyre dhe i “përshëndesin” me cinizëm. Tranzicioni do të vazhdojë për sa kohë xhelatët e djeshëm do të vazhdojnë të hien si njerëz të mirë.
Tranzicioni ynë do të përfundojë kur nga skena politike të largohen përfundimisht elitat e emëruara nga regjimi i kaluar, elitat e korruptuara e të pandëshkuara në këto 32 vite; kur të respektohet shteti ligjor, ligjet e rregullat; kur drejtësia e pavarur të fitojë mbi krimin, mafien në pushtet, mafien ekonomike dhe kriminale.
Tranzicioni në Shqipëri do të përfundojë kur politikanët të kuptojnë se nuk janë më të pandëshkueshëm.
Tranzicioni në Shqipëri do të përfundojë kur përfundimisht asnjë person nuk do të manipulojë të vërtetën historike, kur çdo politikan e qytetar të ketë marrëdhënie të ndershme me faktet dhe të vërtetën…
Por…
Po t’i rikthehem pyetjes, me të cilën nisa këto shënime: Si do të jetë Shqipëria pas pesë vitesh?
Pas pesë vjetësh, kam frikë se vendi do t’i ngjajë akoma Shqipërisë së tranzicionit, pasi materialet me të cilat është krijuar (qëndrimet, zakonet, etj.) vijnë prej andej, por në të njëjtën kohë do të shkojë përtej saj, sepse kushtet që e mbajtën atë në jetë deri vonë, thjesht u zëvendësuan.