BallinaOP EDDështimi me ligj i shëndetësisë “falas”

Dështimi me ligj i shëndetësisë “falas”

PROF. ASOC. DR. GAZMENT KODUZI

Fillimi i vitit 2013, përmes “programit” të Partisë Socialiste, do të risillte në skenën politike një koncept për shëndetësinë, të harruar në demagogjinë e përdorur gjatë periudhës së diktaturës komuniste, “shëndetësinë falas”. Qytetarët, të lodhur nga shumë probleme që kishte sistemi shëndetësor, për shkak të reformave gjysmake, që nisnin dhe nuk përfundonin, dhe si pasojë jepnin efekte negative, besuan dhe votuan për “shëndetësinë falas”.

Impakti në sistemin shëndetësor dhe popullatë i demagogjisë, pati efekte të menjëhershme dhe afatgjata. Në efektet e menjëhershme, ishte “lufta” ndaj armiqve të reformave, që ishin personeli shëndetësor. Kjo luftë filloi me filmime duke i future 200 Lekë në xhep me zor doktorit, deri te arrestimet e mjekëve me policë me kapuconj të zi, sikur të ishin anëtarë të mafies. Kjo përndjekje ndaj personelit mjekësor, së bashku me kushtet e këqija të punës, rroga të papërshtatshme, solli një ambiente mbytës, që detyroi personelin mjekësor të kthejë kokën nga emigrimi. Sipas burimeve të ndryshme, janë rreth 1200 mjekë, pa përfshirë mijëra infermierë, që kanë kërkuar “Certicate of Good standing”, dhe kanë ikur për të punuar në Gjermani, Itali, Angli, Amerikë, etj. Fenomeni i emigrimit është trajtuar nga shumë autorë, ku njëri prej kryesorëve është Evveret Lee me punimin “A theory of migration”, botuar në vitin 1966. Sipas teorisë “shty dhe tërhiq” të Lee, migrimi ka shumë gjasa të ndodhë kur faktorët tërheqës në vendin e shkuarjes tejkalojnë faktorët tërheqës në vendin e origjinës. Për të zbuluar arsyet e emigrimit të personelit shëndetësor në Shqipëri, është kryer një studim nga Healthgruper me financim të Qeverisë Zvicerane, botuar në revistën ndërkombëtare “Europian Journal of Interdisiplinary Studies, Vol. 7, nr. 2, 2017, Why do Albania doctors migrate” (G. Koduzi, A. Kongjonaj, V. Lazarevik), ku arsyet kryesore që mjekët migrojnë, janë: nevoja për më shumë të ardhura ( rrogë më të mirë), kushtet më të mira pune dhe jetese, mundësia për karrierë profesionale, statusi social. Qeveria shqiptare duhet që të delegojë arsyet e ikjes së personelit mjekësor, me qëllim mbajtjen e tyre në vend, përmes politikave të bazuara në evidence, dhe jo politika me mentalitet detyrues dhe pengues, si neni famëkeq 55 i Kushtetutës komuniste, aq më pak të porositura nga palë të interesuara.

Delegimi i arsyeve që personeli mjekësor emigron, bëhet përmes politikave që motivojnë burimet njerëzore, ku më e njohura dhe e përdorura sot, është teoria “Faktorët motivues dhe higjienikë” e Herzberg, që i ndan në faktorë të kënaqësisë dhe pakënaqësisë. Herzberg sugjeron që nëse dëshironi të motivoni skuadrën tuaj, atëherë duhet të fokusoheni te faktorët e kënaqësisë. Kënaqësia në punë ndikohet nga dy faktorë të ndarë dhe të pavarur: Faktorë të brendshëm në punë si shpërblimi, vlerësimi, mundësi për promovim. Faktorë të jashtëm të quajtur edhe “faktorë higjenik” që vetëm qetësojnë punonjësit kur janë prezent, por ato shkaktojnë pakënaqësi kur mungojnë. Midis faktorëve të jashtëm janë: paga, siguria në punë, kushtet e punës, politikat e organizatës dhe administrimi, lidhjet ndërpersonale.

Sipas një studimi të vitit 2020 të kryer nga projekti “Health for all Albania”, Shqipëria nuk ka strategji të menaxhimit të burimeve njerëzore. Strategjia e burimeve njerëzore, trajton edukimin, specializimin, punësimin, pagën, mbajtjen në punë, karrierën profesionale dhe shkencore. Shembulli më i prekshëm i mungesës së strategjisë, është balanca midis numrit të studentëve të diplomuar dhe numri i mjekëve që dalin në pension. Çdo vit dalin në pension rreth 3% e mjekëve në pension, nga 6300 mjek në punë janë afërsisht 190, ndërsa diplomohen 250 mjek të përgjithshëm. Një pjesë e mjekëve të diplomuar ikin jashtë vendit, dhe ngelet shumë pak për të mbushur hapësirat e krijuara ose rritur numrin e mjekëve në sistem. Nga njëra anë numri i vogël i studentëve që diplomohen, dhe nga ana tjetër numri i lartë i mjekëve që largohen, ka bërë që Shqipëria të jetë vendi me numrin më të vogël të mjekëve në raport me popullsinë 1.9/ 1000 banorë. Numrin i ulët i personelit mjekësor në vend sjell ulje në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore, dhe dëmtoncilësinë e kujdesit shëndetësor, pasoja që i vuajnë pacientët, që u vu re gjatë pandemisë së Covid-19.

Të gjitha sa më sipër, zgjidhen përmes një reforme totale të sistemit shëndetësor, duke marrë në konsiderate: racionalizimin e shërbimeve shëndetësore, financimin e institucioneve shëndetësore, funksionimin e tyre si ndërmarrje, krijimin e tregut shëndetësor ku pacienti është mbreti, që me anë të kartës së sigurimeve shëndetësore vendos ku do të marrë shërbimin, dhe mbi të gjitha, një strategji të menaxhimit të burimeve njerëzore.

Por, qeveria duke mos pasur vullnetin dhe vizionin për kryerjen e reformave, kryen aktin më të lehtë, duke nxjerrë ligj për të detyruar studentët të firmosin kontrata që i mbajnë të lidhur me sistemin, nëpërmjet të cilit ka pranuar dështimin e politikave të saj në fushën e shëndetësisë.

Shëndetësia falas vdiq!

*Profesor i Menaxhimit Shëndetësor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular