Nga Fatjon Kaloçi
Të dhëna të ndryshme, ndonjë herë edhe kontradiktore, vijnë për gjenealogjinë e familjes së bejlerëve të Koprënckës, që mbajnë mbiemrin Mançe. Nga gojëdhënat, e më pas nga dokumentet historike, saktësohet se kjo familje nga mesi i shekullit të XIX-të, deri në vitet ’30-të të shekullit të XX-të, ka pasur në zotërim mijëra hektarë tokë buke, livadhe, kullota, kryesisht verore dhe pyje. Këto toka kanë qenë në; Gostënckë, Leshnje, Vlushë, Kapinovë, Krastë (Bërsakë), Potom, Çorovodë, kullotat verore të Ostrovicës, Shtyllës, Sherës, Qafës së Martës, Gorrulit, Bulgarecit të Korçës, si dhe tokat e fshatit Cërrunjë të Gramshit. Se si është vënë ky çiflig, ka versione të ndryshme, një ndër të cilët është edhe lidhja me Ali Pashë Tepelenën dhe besnikëria e pinjojve të kësaj dere ndaj tij, çka është një e vërtetë historike. Por titulli bej me ferman duhet të jetë marrë shumë kohë më parë, në kohën e spahinjve.
Në Kuvendin e Durrësit
Xhelal Koprëncka, ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Durrësit, ku më 25 dhjetor të vitit 1918, kryeministër u zgjodh Turhan Pasha (Përmeti). Ky i fundit u ngarkua edhe me detyrën e kryetarit të delegacionit, që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris.
Por, krahas Turhan Pashës, pa mandat përfaqësimi shkoi edhe Esat pashë Toptani, i cili, duke shfrytëzuar dobësitë, mori atribute të vetë përfaqësimit. Kjo e revoltoi shumë Xhelalin, ndaj në fillim të janarit të vitit 1919, nga Berati ai i dërgon një protestë telegrafike Konferencës së Paqes në Paris, për të mos e pranuar Esatin, si përfaqësues të Shqipërisë, pasi ai nuk gëzon atribute përfaqësimi.
Pas 10 ditësh, ai organizon një miting në Çorovodë, ku marrin pjesë mbi 2000 vetë për të kundërshtuar përfaqësimin e Esat Pash Toptanit. Pas mitingut, 100 burra nga paria e Skraparit, midis tyre Rakip, Rustem e Ali Gostëncka, Sinan e Taulla Leshnja, Riza Vëlusha, Riza Gradeci, Mehmet Radëshi, Mahmut Zaloshnja, Hasan Gërmënji, Baba Meleq Staravecka etj., firmosin një peticion dhe e dërgojnë me postë në Paris. (AQSH, dosja nr. 28, fleta 13, 14, viti 1919).
Vrasja, që mbeti enigma…!
Nga mesi i vitit 1919, Korçës iu hoq statusi i Republikës Autonome, dhënë nga gjenerali francez, që komandonte trupat ndërluftuese në këtë rajon. Mirëpo Korçës, iu shfaq një rrezik tjetër, ai i pushtimit nga shovinistët grekë. Në këtë kohë, patriotët dhanë alarmin, për të mbrojtur Korçën.
Xhelali vihet në krye të forcave të Skraparit dhe niset për atje. Para se të shkojnë në Korçë, bëhet një takim edhe me forcat e tjera në Gjergjevicë. Duke u kthyer prej andej, në vendin e quajtur Dëllinjë, në lindje të Qafës së Martës, më 21 tetor 1919, Xhelali vritet në pritë, nga Syrja Guri, nga Leshnja e Skraparit. Vrasja ishte e pamotivuar në ato rrethana.
Thuhet se ajo u krye për hakmarrje, sepse djali i Xhelalit, Samiu, kishte vrarë dajon e Syrjait, Abdurrahman Gjonin. Në këto rrethana, u krijua një pështjellim i madh, forcat u përçanë. Përkrahësit e Xhelalit, shkuan në Leshnje për t’u hakmarrë.
Mirëpo ndërhynë forcat e moderuara patriotike, si Shefit Krasta, Avni e Muço Kapinova, Ali Koprëncka, kushëri i Xhelalit dhe mbasi e arrestuan Syrjanë, bënë pajtimin. Xhelali u varros në Gostënckë, pranë shtëpisë së dajallarëve, pas një vrasjeje tepër të dyshimtë se, qenë vërtet motivet e mësipërme, apo ndonjë plan tjetër nga kundërshtarët e tij?! Misteri i vdekjes së tij ende nuk është zbardhur!
Klisheja absurd: “Ka bashkëpunuar me Zogun”
Kështu u mbyll jeta e Xhelal bej Koprënckës, po ajo që ndodhi më tej ishte edhe më e rëndë se fundi i tij tragjik. Emri i u harrua shpejt, veprat aq të guximshme patriotike u injoruan. Mosmirënjohja arriti deri atje, sa t’i fshihej emri nga faqet e historisë dhe t’i retushohej firma në dokumentin historik të Shpalljes së Pavarësisë. Argumenti: “U bashkua me forcat reaksionare të Ahmet Zogut dhe i shërbeu atij me besnikëri”. Nuk e dihet se kush e sajoi këtë alibi, por Xhelali, kishte 5 vjet që kish vdekur, kur erdhi Zogu në pushtet(!). Për më tej, Zogu nuk i afroi pranë vetes, pasardhësit e Xhelalit dhe nuk dihet të ketë bashkëpunuar njeri me të.
Shtrembërime të qëllimshme historike
Një ”argument” tjetër, që paraqitet në formën e një dokumenti “të rëndësishëm historik”, është një letër e shkruar nga një skraparlli, që me siguri ka pasur probleme personale me Xhelalin. Në letër thuhet se; Xhelal beu ka qenë vegël e ambicieve të Esat Pashës, që kur ky ishte në Janinë, komandant xhandarmërie(!). Po, a nuk ishte ai Xhelal, që u vu në krye të kryengritjes kundër Esat pash Toptanit dhe la në brigjet e Shkumbinit shokët e tij më të mirë?!
A nuk ishte ai Xhelal, që mblodhi gjithë Skraparin dhe i bëri peticion Konferencës së Paqes në Paris, për të mos njohur përfaqësimin atje të Esat pash Toptanit?! Kur bashkëpunoi ky Xhelal me Esatin, kur ishte komandant xhandarmërie në Janinë më 1911, nga ku braktisi detyrën për të ardhur në Vlorë, në Shpalljen e Pavarësisë!?
Këto janë pyetje që e kanë përgjigjen brenda. Në këtë rast, shtrembërimet historike janë të qëllimshme dhe dashakeqe. Shteti shqiptar, i ngjitur në këto lartësi, nuk duhet të harrojë ata që çanë themelet e tij. Më e pakta që duhet të bëjë për këtë figurë historike, është t’i marrë eshtrat nga varrezat e braktisura të Gostënckës e, t’ia çojë te ‘Dëshmorët e Kombit’ për një prehje më të qetë.
Por çuditë nuk mbarojnë akoma. Ndërsa në 95-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, propozoi të rehabilitoheshin një sërë figurash të asaj ngjarje të madhe, por emrin e Xhelalit nuk e zuri në gojë!
Abdyl dhe Hasan Koprencka
Përveç Xhelalit, aktiv në jetën politike dhe shoqërore, ishin edhe vëllezërit e tij, Abdyli (Dulja) dhe Hasani. Dulja, që vinte pas Xhelalit, arsimin e lartë e kishte mbaruar në Stamboll. Bashkë me vëllezërit e tij, ai është përfshirë në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare dhe Shpalljen e Pavarësisë. Është autori kryesor i hapjes, financimit dhe drejtimit të shkollave shqipe më 1908, në Çorovodë, Koprënckë dhe Gostënckë. Është marrë drejt për drejt, me ngritjen dhe funksionimin e klubit patriotik “Pellazg”.
Më 1909-ën, ka qenë delegat i Sanxhakut të Beratit, në Kongresin e Arsimit në Elbasan. Ka kontribuar financiarisht për ngritjen e ‘Normales’ së Elbasanit. Ka organizuar në Koprënckë më 1909, një miting për gjuhën dhe arsimin shqip, ku merrnin pjesë mbi 1000 vetë, nga të gjitha trevat e Jugut. U angazhua në mbarëvajtjen e punëve të Qeverisë së Vlorës dhe kreu detyra të ndryshme. Më 1918-1919, ka qenë nënprefekt i Skraparit. Vdiq në Zvicër, ku kish shkuar për t’u kuruar më 1920.
Më i vogli i vëllezërve Koprëncka, ishte Hasani, që edhe ky arsimin e lartë, e kishte marrë në Stamboll. I pashkëputur nga vëllezërit, ai ka kontribuar në Lëvizjen Kombëtare, në ngritjen e shkollave në Çorovodë, Koprënckë dhe Gostënckë, si dhe klubit patriotik “Pellazg”. Në vitin 1911, vendoset në krye të kryengritjes anti-osmane, në Skrapar. Ka qenë kryetar i Komitetit për Shpalljen e Pavarësisë në Skrapar.
Duke udhëtuar me forcat kryengritëse në Dërrasën e Kajcës, më 1911, vritet nga një shkarkim atmosferik (rrufeja). Ndryshe nga Xhelali, mbi të cilin është hedhur baltë padrejtësisht dhe askush nuk kujtohet për rehabilitimin e vlerësimin e tij pas vdekjes, të paktën Dulja dhe Hasani, janë dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me medaljen “Për Veprimtari Patriotike”.
Samiu
Xhelali kishte katër djem dhe tri vajza. Një ndër djemtë e tij ishte Samiu, i cili përkrah të të atit, ka marrë pjesë në kryengritjen antiesadiste në vitin 1915. Më 23 dhjetor 1923, zgjidhet deputet i Qarkut të Beratit, krahas 12 të zgjedhurve të tjerë. Vazhdon deri në maj të vitit 1924. Pas “Revolucionit të Qershorit” të kryesuar nga Noli, shmanget nga politika për shumë vite me radhë dhe nuk aktivizohet në Qeverinë e Zogut. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, riaktivizohet në “qeveritë kolaboracioniste”.
Pas ‘39-ës, shërben në funksionin e nënprefektit në Gramsh, në ‘40-ën, nënprefekt në Skrapar, pastaj nënprefekt në Tropojë, dhe më në fund kryetar bashkie në Shkodër, ku e zuri edhe 29 nëntori, çlirimi i Shqipërisë. U dënua me dy vjet burg, por për mungesë provash, (pasi ishte akuzuar për krime gjatë Luftës) është liruar. Vdes në Shkodër, ku kishte familjen, i veçuar, i harruar, por edhe me drama të tjera më të tmerrshme më pas.
Xhelali i dytë
Djali i Samiut, Xhelali në kohën e regjimit komunist, arrestohet për “tentativë arratisje dhe agjitacion e propaganda”. Arsyeja qe sa e thjeshtë, aq edhe banale, se gjoja; Xhelali kishte sharë regjimin e atëhershëm. Dhe, siç ndodhte rëndom në atë kohë, në mënyrë spektakolare, ishte marrë nga qendra e tij e punës, Uzina e Telave në Shkodër. E dërgojnë në burgun famëkeq të Spaçit. I bindur se tashmë nuk kishte çfarë të humbiste më, ai si asnjë tjetër, mbajti në gjyq një qëndrim të vendosur dhe burrëror, gjë të cilën e mbajti edhe në burg.
Një ditë, teksa ishte i dënuar me izolim i mbyllur në qeli, vendos t’i dërgojë një letër, njërit prej udhëheqësve të lartë të Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alisë, te i cili kishte pak shpresë se do ta kuptonte, atë promemorie të ashpër. Një letër që i kalonte përmasat e guximit të atëhershëm dhe padyshim, mund të meritonte të gjitha ndëshkimet që parashikonte kodi penal represiv i asaj kohe.
Logjika e djalit të ri, ishte fare e thjeshtë. “Tani që ishim prishur me Kinën, tani që edhe vetë Kina kishte drejtuar sytë nga Perëndimi, duhej që udhëheqja komuniste e Tiranës, të shihte situatën më realisht”. Sugjerimi i tij ishte që; Enver Hoxha të izolohej, t’i jepej fund çmendurisë së tij dhe vendi të rindërtonte lidhjet e munguara me
Perëndimin.
Askush nuk e ka marrë vesh deri me sot, nëse letra i bënte thirrje drejtuesit të lartë komunist, që ta bënte vetë këtë gjë, apo ajo ishte thjeshtë një sugjerim i një djaloshi të burgosur, në kampin më famëkeq të Shqipërisë, për të thënë direkt ato gjera që nuk kishte guxuar t’i mendonte, e jo më t’i hidhte në letër, askush. Siç mund të merret me mënd, pas kësaj filloi furtuna. Shokët e tij të burgut, mbajnë mend vetëm frazën e tij të përmendur dhe proverbiale, kur shkuan hetuesit për ta ri arrestuar.
– Xhelal Koprencka, në emër të popullit je i arrestuar, i kishin thënë hetuesit. – Të kujt populli?- kish pyetur Xhelali, më mirë thoni në emër të armiqve të popullit. Një gjyq i shpejtë, ashpër e dënoi me vdekje dhe pak ditë më vonë, e pushkatuan pa i lënë kohë as të apelojë vendimin në Kuvendin Popullor! Fotot e tij pas pushkatimit, me plumbat në trup, u ekspozuan disa ditë me radhë, në stendat e kampit të Spaçit, për të terrorizuar bashkëvuajtësit e tjerë.
Deri kur do të vazhdojë kjo mosmirënjohje…?!
Duke u përpjekur për të gjetur më tepër të dhëna për këtë familje, një ditë rastësisht, gjeta një letër që mbesa e Xhelalit të Dytë, i dërgonte Presidentit të Republikës, pas dekorimit me: “Medaljen e Mirënjohjes”, nga ana e këtij të fundit, të ish-prokurorit që kishte dënuar me vdekje Xhelalin.
Ndër të tjera, ajo në emër të familjes, kërkon që t’i hiqet Xhelalit titulli ““Martirit të Demokracisë”, pasi është fyese që të nderohet njëlloj, si vrasësi dhe i vrari. Ajo shton që; ky prokuror, më parë se të nderohet, me qenë se gëzon shëndet të mirë e të plotë, të paktën gjë që duhet të bëjë, të tregojë ku prehen eshtrat e Xhelal Koprënckës, të pushkatuar më 29 maj 1979, të cilat nuk janë gjetur akoma nga familjarët.
Preambul nga Zylyftar Hoxha
Edhe pse janë bërë përpjekje për të rehabilituar disa nga figurat historike të Qeverisë së Vlorës, përsëri për disa të tjerë, ende heshtet. Historianët e dikurshëm, të detyruar nga ideologjia komuniste, apo ndonjë motiv tjetër, të cilën e dinë vetëm ata, kanë fshirë faqe të tëra historie dhe emra, kanë retushuar fotot apo gërvishtur me brisk, firmat e protagonistëve në këtë ngjarje të madhe.
Duhet të kishin kurajën, në mos ata, kolegët e tyre, dhe në këtë përvjetor, të ndreqnin atë që është prishur dhe manipuluar keqas me të vërtetat historike. Duke mos u zgjatur, unë po marr në shkrim vetëm një emër, atë të Xhelal Koprënckës, që ka firmën në dokumentin e njohur të Shpalljes së Pavarësisë, por edhe që është në 18 emrat e Pleqësisë të zgjedhur, dy ditë më vonë pas formimit të qeverisë.
Po shikoj nëpër botime të ndryshme, që ende u referohen dy bibliografive, (mendoj jo serioze), të hartuar që në periudhën komuniste, me dokumentet e prodhuara të Qeverisë së Vlorës, ku mungojnë “thesare” të tërë. Fatkeqësisht, emrin e Xhelalit nuk e gjen gjëkund, në këta libra jo e jo, por edhe në asnjë dokument tjetër.
Fshirja e emrit të tij, është bërë sipas logjikës se; “u bashkua me forcat reaksionare të Ahmet Zogut dhe i shërbeu atij me besnikëri” dhe se; “ka qenë Bej”, kur, në të vërtetë, ai është vrarë në vitin 1919, katër vjet para se Zogu të vinte në fuqi, si bashkëpunoi ai me Zogun(?!).
Por edhe po të kishte bashkëpunuar, pse duhet fshehur e vërteta? Megjithatë, fakt është se veprat aq të guximshme patriotike tij dhe të shumë shokëve të tij janë injoruar! Dhe është me të vërtet për të ardhur keq, kur shikon që edhe në firmën e tij, që firma në një farë mënyre është e shenjtë, është vënë dorë, dhe dikush ka dashur, që ky emër të mos identifikohej.
I vetmi që ka hedhur disi dritë mbi këtë figurë dhe që ka sjellë shumë të dhëna arkivore e dokumente të pakundërshtueshme, ka qenë Izet Dyrmishi, por këto janë në një libër kujtimesh, me një tirazh të vogël, që ka kaluar pa u vënë re. Memorie.al