BallinaOP EDRikthimi i Lulzim Bashës

Rikthimi i Lulzim Bashës

spot_img
spot_img

Nga Albi Xhunga
DJE
Fabula se Lulzim Basha nuk ishte larguar, por thjesht ishte tërhequr për t’i lënë hapësirë bashkimit të Partisë Demokratike, është shumë e bukur për t’ua treguar fëmijëve në mbrëmje. E vërteta është pak më ndryshe. Lulzim Basha vërtet mund të jetë tërhequr me këtë ide, po historia është pak më e komplikuar…
Synimi i atyre që donin largimin ‘’e përkohshëm’’ ishte vrasja e tij politike. Kundër tij ishin jo vetëm berishistët, jo vetëm rilindasit, por edhe shumë elementë brenda anijes me vela të shqyera nga erërat e furtunave politike të post 9 shtatorit. Kurrë në historinë e politikës shqiptare një lider nuk është sulmuar aq egër e në mënyra aq të ulëta. Kurrë ndonjëherë një lider nuk është sulmuar nga e gjithë hapësira televizive majtas e djathtas pa asnjë përjashtim të vetëm. Armiqtë e sulmonin, ‘’të tijtë’’ nuk e mbronin. Synimi ishte i qartë. Kërkohej likuidimi i të vetmit faktor politik që mund të përmbyste një status quo 32 vjeçare nga e cila përfitonin të gjithë, përveç shqiptarëve.
Në momentin e largimit të ish liderit demokrat të gjitha erërat frynin kundër tij. Çdo ditë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, në të gjitha ekranet (pa asnjë përjashtim të vetëm) bëhej propagandë kundra tij. ‘’Humbësi i madh’’, ‘’tradhtari i PD’’, ‘’pazarxhiu i interesit opozitar’’ ‘’i shituri te Rama’’, etj, etj. Fundi i karrierës politike të Lulzim Bashës dukej i sigurt pothuaj për këdo. Ata që i besonin, apo i druheshin një rikthimi të tij ishin pak, shumë pak. Mirëpo mes tyre kishte një aktor me peshë. Ai ishte as më shumë e as më pak se vetë lideri historik i demokratëve, Sali Berisha. Sali Berishën mund ta akuzosh për gjithçka dhe të kesh të drejtë në çdo akuzë që i bën. Por askush nuk mund ta akuzojë për mosnjohje të politikës, për mungesë nuhatje politike, për mungesë instikti politik. Populisti i vjetër në asnjë moment, në asnjë dalje publike, nuk harronte të sulmonte pasardhësin e tij.
Ashtu si senatori i famshëm romak, i cili edhe kur në senat flitej për grurin, kërkonte fjalën dhe thoshte ‘’duhet të mposhtim Kartagjenën’’. Kryesisht historianët e kanë trajtuar si të rrjedhur senatorin plak të njohur për patriotizmin e tij. Me prejardhje nga klasa e plebenjve, Katoni i vjetër (Marcus Porcius Cato) kishte arritur të ngjiste shkallët e karrierës dhe pastaj edhe të aristokracisë, me anë të shërbimeve ushtarake dhe kurajos së treguar në luftë. Mirëpo historian të tjerë modernë e trajtojnë ndryshe plakun patriot. Ata thonë se ndoshta senatori i vjetër, jo vetëm që nuk kishte rrjedhur, por nga përvoja e gjatë në punët e shtetit mund të ishte edhe senatori më realist dhe më i mençur i Senatit. Vërtet tema e ditës ishte gruri, por Roma nuk rrezikonte ekzistencën nga 100 tonë grurë më shumë apo më pak. Rreziku i vërtetë ishte Kartagjena.

Edhe Sali Berisha në çdo dalje televizive, cilado të ishte tema, nuk harronte kurrë të sulmonte Lulzim Bashën. Ujku i vjetër i politikës shqiptare i kishte shumë të qartë shanset e tij dhe objektivat e tij politikë. Duke qenë i ndërgjegjshëm se nuk do të ulej dot më kurrë në kolltukun e kryeministrit, ai synonte të dominonte opozitën shqiptare, për ta përdorur pastaj si mburojë ndaj sulmeve të drejtësisë së mbështetur nga SHBA, ndaj tij dhe familjarëve të tij. Këtë plan mund t’ia rrëzonte vetëm një njeri, Lulzim Basha. Ujku plak e ndjente se e kishte plagosur rëndë, por nuk e kishte vrarë dot.

Për hir të së vërtetës objektivë permanentë të sulmeve të Sali Berishës ishin dy vetë, Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj (alibasha). Rezistenca e kryetarit në detyrë të PD meriton një shkrim më vete. Pa mjete e pa njerëz, si një kapiten me një pjesë të mirë të ekuipazhit të korruptuar, i sulmuar nga të gjitha krahët dhe i tradhtuar edhe nga njerëzit më të afërt, Enkelejd Alibeaj, me një vendosmëri mbresëlënëse, duke vënë bast karrierën politike dhe deri dinjitetin e tij, arriti të mbante mbi ujë në kohë furtune një anije pa direk, me vela të shqyera dhe me një gjysmë timoni (tek e fundit ishte vetëm kryetar në detyrë). Pa 104 mijë votat e marra më 14 maj me meritën e tij dhe të atyre pak qëndrestarëve të Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk do të kishte ku të kthehej. Këtë të vërtetë të madhe nuk mund ta mohojë askush.
Sot
Lulzim Basha duket sikur kishte gjithçka që i duhet një lideri politik. Kishte formimin, artikulimin, njohjen e disa gjuhëve, idetë të qarta, përvojën e vyer politike, njohjen e konjukrurave përfshirë ato ndërkombëtare që gjithmonë e kanë trajtuar si të preferuar. E megjithatë kishte një mungesë të rëndësishme për të qenë një lider shqiptar. Ishte i vetmi që nuk kishte zbritur në katin e fundit të ferrit. Lulzim Basha që nga futja e tij në politikë në vitin 2005, kishte parë dhe jetuar vetëm majat. Mirëpo nuk e kupton dot plotësisht botën po e pe vetëm nga lart. Për të pasur një panoramë të plotë, bota duhet parë edhe nga parajsa, edhe nga ferri.
Nëse për Fatos Nanon kati i fundit i ferrit ishte burgu i Bënçës, nëse për Sali Berishën kati i fundit i ferrit ishte rrokullisja e vitit 97, nëse për Edi Ramën kati i fundit i ferrit ishte dhoma e spitalit ku e çuan pasi e gjetën gjysmë të vdekur nga goditjet e banditëve të pushtetit të kohës, për Lulzim Bashën kati i fundit i ferrit ishte post 21 marsi 2022.
I fokusuar prej pothuajse dy dekadash nga drita e prozhektorëve dhe nga verbimi i blicave, i pranishëm permanent në sallonet e larta të politikës, Lulzim Bashës tashmë do t’i duhej të qëndronte në errësirë. E sikur të mos mjaftont kjo, nga errësira ku gjendej do t’i duhej të duronte pa u përgjigjur dot, sulme të ulëta të atyre të cilët i kishte parë vetëm nga lart. Shumë prej tyre e sulmonin sepse ishin besnikë të doktorit të tmerrshëm, shumë të tjerë e sulmonin sepse gjykonin se ai kishte marrë fund dhe kështu fitonin pikë te mbreti i rikthyer, shumë të tjerë e sulmonin për të nxjerrë mllefin e kohës kur nuk e sulmonin dot sepse nuk kishin kurajo, shumë të tjerë e sulmonin sepse i ishin lëpirë aq shumë dhe tani iu kishte ardhur rasti ta urrenin. Dmth gojoret e së djeshmes bëhen nepërkat e të sotmes. Duhet të jetë argëtuese gjithsesi ta shohësh këtë teatër nga distanca. Pra Lulzim Basha vjen sot si lider i kompletuar. Nuk mund të jesh një lider i kompletuar pa ditur se kush është kush. Lulzim Basha sot e di se kush është kush.
Mirëpo ndërkohë kanë rrjedhur shumë ujëra. Bota politike në të cilën rikthehet Lulzim Basha nuk është e njëjta botë politike nga e cila u largua. Ata që e quanin humbës atë që diferencën me pushtetin e kishte më pak se 30 mijë vota, e katandisën opozitën në përfaqësimin e 5 përqind të pushtetit vendor. ‘’Opozita reale’’ i lejoji pushtetit më të korruptuar në historinë e tranzicionit ta ngjyrosë të gjithë Shqipërinë ngjyrë mavi. Opozita ‘’e shitur’’ e Enkelejd Alibeajt censurohej nga të gjitha ekranet shqiptare të kontrolluara nga pushteti dhe oligarkia, ndërkohë që lideri historik i ‘’opozitës reale’’ rezultoi politikani më i pranishëm në ekrane përgjatë fushatës. Kush ka sy shikon, kush ka veshë dëgjon. Shqiptarët kanë edhe sy edhe veshë. Mund t’i bombardosh me propaganë për një kohë, por propaganda efektin e ka me një afat të caktuar kohor. Propagandës kundra Lulzim Bashës dhe PD tashmë i ka ardhur koha e skadimit.
Bota politike nga e cila u largua Lulzim Basha ishte një botë politike ku Edi Rama kishte përkrahje të fortë ndërkombëtare. Mirëpo ndërkohë, shpërthimi i aferave korruptive, përfshirë atë të korruptimit të një agjenti të lartë të FBI, e kanë ndryshuar status quo-në. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Ballkanin Perëndimor, kur u pyet për marrdhëniet me kryeministrin, u përgjigj se marrdhënia amerikane nuk është me individë të caktuar (kryeministri ishte thjesht një individ), por me popullin shqiptar. Bota politike nga e cila u largua Lulzim Basha kishte një kryeministër të fortë. Sot ‘’luanit’’ po i rrjedh gjak. Lista e pentitove eventualë është shumë e gjatë për t’u menaxhuar. Duke filluar që nga tigri, i cili pritet të lëshojë bomba nga arratia. Burime të shumta thonë se tashmë rradhën e ka opozita. Ajo reale, natyrisht. Ndoshta biri, ndoshta dhëndri, ndoshta aleati më i afërt, apo ndoshta të tre.
Nesër
Nuk ishte e drejtë të largohej nga politika i vetmi lider që nuk ishte provuar kurrë në pushtet. Duhet sqaruar se, jo vetëm në Shqipëri po në të gjithë botën demokratike, pushtet ka vetëm kryeministri. Pushteti i ministrit është pushtet i deleguar. Populli zgjedh parlamentin, parlamenti zgjedh kryeministrin, kryeministri zgjedh (emëron) ministrat, të cilët mund t’i shkarkojë kur të dojë. Dmth ministri është inxhinier zbatues. Arkitekti është kryeministri.
Kur flas për rikthimin e Lulzim Bashës nuk e kam fjalën për rikthimin në krye të Partisë Demokratike, apo në krye të opozitës. Lulzim Basha është sot i vetmi kandidat i qënësishëm për kryeministër. Ju ftoj t’i hidhni një sy skakierës politike shqiptare. Jam i sigurt se nuk ka asnjë politikan tjetër që të ketë shanse reale të ngjitet në postin e kryeministrit. Edhe atë që ëndërronte trashëgiminë e Edi Ramës, e vrau gazetarja kurajoze, Ola Xama. Vetëm se jo me pagesë, natyrisht. E vrau thjesht duke bërë punën e saj. Ose më saktë e vranë veprimet e tij të publikuara në shkrimin e saj për BIRN.
SPAK është bast amerikan dhe si i tillë nuk mund të dështojë. Superfuqia nuk mund të dështojë në një cep të humbur të globit me banorë sa një lagje e një qyteti të madh. Propaganda vazhdon nëpër televizione, ndërkohë që rilindjes i ëshë krijuar grupi parlamentar në burg dhe stafetën pritet ta marrë ‘’opozita reale’’. Në një kohë kur shoqëria shqiptare ka nevojë ulëritëse të rivendosë moralin në politikë, e vetmja forcë politike që me të drejtë mund ta pretendojë është Partia Demokratike. Àsnjë nga eksponentët e saj nuk shikohet si kandidat për podiumin e SPAK.
Ata që duken të fortë sot, nesër kur të bjerë perdja nuk do të jenë në skenë. Vetë i kanë të gjitha shanset t’ia mbathin si tigri, por pasuritë do t’iu sekuestrohen. Goditjet e SPAK do të krijojnë përplasje të brendshme tek të dyja bandat kundërshtare të Partisë Demokratike, Rilindjes dhe Rithemelimit. Në historinë e goditjes penale të bandave nuk ka asnjë rast ku të mos jenë krijuar pentito. Do hanë njëri tjetrin dhe ne, të vjedhurit e tre dekadave do shijojmë spektaklin.
Të gjitha planetet po pozicionohen në favor të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Asgjë nuk mund ta ndalë marshimin e tij drejt pushtetit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular