Basha: Do bëjmë ndarjen përfundimtare me të shkuarën. Askush nuk e ndal dot këtë
Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës së parë dhe ka për mision të kthehet një orë e më parë në detyrën që i ka ngarkuar historia dhe shqiptarët, në një aleancë të pacekshme me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE.
Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Askush nuk do të mund ta ndalë këtë sado të përpiqet. Demokratët dhe shqiptarët nuk do të mbeten peng i halleve personale të politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar.
Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund modelit të përbaltjes.
Përballja pa kompromis me korrupsionin, pastrimi i politikës, dhënia fuqi qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e diasporës janë jetike në rrugën që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë.
Ne do të ndërtojmë një aleancë gjithëpërfshirëse me të gjithë faktorët shoqërorë, për të çliruar sistemin politik dhe atë ekonomik përmes:
✅ Listave të hapura;
✅ Vetting-ut në politikë;
✅ Kufizimit të mandateve;
✅ Votës së diasporës;
✅ Zgjedhjes së Presidentit nga populli.
Ne do të ndërtojmë një parti moderne, që reflekton kërkesat e kohës, shoqërisë dhe nevojave të saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë.