Nga Ardi Stefa
Nëse një parti dëshiron të quhet parti, sidomos parti që pretendon të qeverisë, duhet të mbështetet në ide dhe vizion. Veçanërisht në ide, sepse idetë nuk duhet të lihen mënjanë, e as të hidhen poshtë.
Idetë normalisht duhet të kenë vijimësi. Oferta e një partie në shoqëri nuk janë dhjetë emra, as edhe një person i vetëm, fjalët e të cilit përsëriten e përsëriten si gramafon i prishur.
Këtë gjë duhet ta kuptojë mirë opozita shqiptare. Të vërtetojë se është një parti që ka ide, sikundër pretendon. (Nuk po merrem me pozitën, pasi pozita fiton këto dhjetë vite pa program, ide e vizion. Me daulle, def e tigan. Me batuta, arrogancë. Me urrejtje, frustrim, gjuhë agresive. Më intereson përmirësimi i opozitës dhe roli i saj.)
Përfaqësuesit e qytetarëve në politikë, si në atë qendrore ashtu edhe në nivel lokal janë e do të jenë jashtë pritshmërive dhe tregojnë se nuk po kuptojnë ende përgjegjësinë që kanë. Sjellja dhe pozicioni i tyre, mënyra sesi kanë zgjedhur të bëjnë opozitë, vizioni dhe alternativa që paraqesin janë është shumë të varfra, të vjetëruara, pa argumente ose me argumente të paqëndrueshme, me qëndrime refraktare, me gjuhë të vjetër, të lodhur e të tejkaluar politike.
Opozita deri tani pret që pozita të bjerë vetvetiu nga pushteti si pasojë e kohës së gjatë në qeverisje, në një qeverisje të korruptuar e plot skandale.
Flasin për vjedhje votash, por nuk e kanë të qartë, që kjo është më keq për ta e më tepër në favor të jetëgjatësisë së pushtetit të Ramës.
Flasin për revolucion, i cili nuk fillon. Pastaj për protesta, të cilat edhe kur bëhen, i ngjajnë një shëtitjeje shumë të kushtueshme në bulevardin e Tiranës dhe që në përfundim të tyre dëshmojnë dështimin dhe mungesën e kauzave, ideve të qarta dhe alternativave të besueshme e frymëzuese.
Ndërkohë me kalimin e kohës, mbështetësit e opozitës humbasin shpresën se si do të vijnë, nëse do të vijnë ndonjëherë në pushtet. Sepse shohin që opozita përfaqësohet nga njerëz pa peshë publike, pa identitet, pa karakter ose me karakter të dyshimtë, akrobatë sa nga njëra parti në tjetrën, pa kapacitet politik, njerëzor e intelektual, që janë në lojën politike vetëm për interesat e veta.
Përfaqësuesit e opozitës nuk po kuptojnë përgjegjësinë që kanë, duke mos e drejtuar asnjëherë gishtin nga vetja. Nuk po arrijnë të kuptojnë që mbi ta rëndon pesha e asaj përqindjeje votash që morën në zgjedhje dhe nuk po kuptojnësi besimin, ashtu edhe mosbesimin që u dha populli.
Sepse nuk ka mundësi që të gjithë ata që votuan opozitën të mos kenë bosht, mendim e vizion, ide e integritet.
Opozita duhet të dëshmojë vlerën që i ka dhënë vetë populli. Të përgjigjet ndër të tjera: A është parti oportuniste? Apo është një parti që thjesht vuan nga virusi i partive në pushtet. Ishte një parantezë në skenën e jetën politike shqiptare? Është një parti aksidentale që e ka mbyllur ciklin e saj jetësor e politik dhe mbahet në këmbë nga pushteti, duke luajtur me ndjenjat dhe idealizmin e demokratëve? Është parti e mbyllur, që as u hap, as më e fortë, as më e bashkuar, as më konkuruese për pushtetin u bë?
Apo do të rigrupohet dhe do të provojë se është nga ato parti, që fituan dikur pushtetin, qeverisën, por më pas populli i dërgoi në opozitë për gabimet e tyre. Respektuan verdiktin e popullit, pastaj reflektuan, dhanë ide e alternativa, gjetën rrugën dhe u kthyen.
Si parti. Si një ide e alternativa të besueshme e frymëzuese.
Partitë e kanë këtë përgjegjësi ndaj votuesve të tyre.
Epoka e tejzgjatur e tranzicionit 32- vjeçar, nuk ishte e vetmja krizë në Shqipëri.
Gjatë kësaj periudhe ishin të shumtë ata që e përfituan politikisht. Ata përdorën ankthin e njerëzve, idealet e tyre, pse jo edhe mizantropinë, kërkesën për ndryshim. U imponuan me paratë e pushtetin që buronte prej tyre, për të mbrojtur paratë dhe pushtetin e përfituar padrejtësisht në interes të tyre.
Megjithatë, shoqëria shqiptare – pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve – po kërkon të bazohet në ide. Prandaj ndodh edhe abstenimi i madh zgjedhor. Prandaj edhe elektorati bojkoton zgjedhjet.
Sepse kërkon të ndryshojë krejtësisht lidershipi dhe mentaliteti me njerëz të rinj jashtë mentalitetit aktual.
Nga ana politike dhe shoqërore, në këto 32 vite Shqipëria kaloi nëpër aventura të mëdha dhe aty lindën shumë parti pa ide, vizion e ndershmëri, që sot nuk ekzistojnë më.
Pikërisht se nuk kishin apo u tradhtuan idetë!